MENU
klinika

10.000 veta kanë firmosur peticionin

‘Shtoni Kosovën si shtet në Netflix’

11.02.2021 - 09:04

Vetëm për një ditë peticioni që kërkon emërtimin e Kosovës si shtet në Netflix është firmosur nga më shumë se 10.000 veta dhe numri sa vjen e rritet.

“Kur shqiptarët e Kosovës hyjnë në Netflix, vendndodhja e tyre shfaqet sikur të ishin në Serbi, edhe pse ata po e përdorin platformën nga Republika e Kosovës.”

Krijuesi i peticionit, Sovran Hoti, shkruan se “kjo i ka ndodhur shumë herë.” Ai madje s’mund të verifikojë as numrin e telefonit sepse Kosova nuk shfaqet në listën e vendeve me prefikset e tyre telefonike.

“Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Që atëherë, 98 vende të Kombeve të Bashkuara e kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Propaganda nga Serbia për të ulur Kosovën në arenën ndërkombëtare vazhdon, veçanërisht në platformat kryesore online. Kjo duhet të ndryshojë. Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë dhe institucionet e saj, dhe pavarësia jonë nuk mund të zhvlerësohet prej tyre. Netflix është një kompani amerikane, dhe meqenëse SHBA-ja e njeh Kosovën, a nuk duhet që Netflix ta shtojë dhe atë si një shtet në shërbimin e saj streaming?”

Kërkesa në peticion vazhdon:

“Ne jemi vendi më pro-amerikan në botë dhe e duam Netflix. Me këtë peticion, mendoj se ata do të na dëgjojnë me mirësi.”

Për të firmosur peticionin, klikoni këtu.