Viti 2020 u mbyll me nivel rekord të borxhit publik. Me papunësinë në rritje, të ardhurat u reduktuan dhe me shëndetësinë që pati nevojë më shumë se kurrë për investime, qeveria gjeti zgjidhje tek rritja e borxhit përtej parashikimeve. Në këto kushte, në fund të Dhjetorit borxhi arriti në 77.8% të PBB.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave përmes një raporti përfundimtar sa i përket parametrave ekonomik vihet re se ky është një nivel historik i borxhit në 4 vitet e fundit, madje edhe në 2015 kur ekonomia pësoi krizë borxhi ishte në nivele më të ulta. Për shkak të pandemisë Qeveria shqiptare ka marrë 900 milionë euro borxh, një rritje me 11% krahasuar me 2019, por edhe me planin fillestar të buxhetit 2020.
“Norma prej 77.8% është më e larta e regjistruar ndonjëherë për financat shqiptare edhe përtej nivelit rekord të prekur në vitin 2015, kur fiksohej në rreth 72.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në terma absolut, borxhi publik gjatë vitit të kaluar është rritur me rreth 111 miliardë lekë, ose rreth 895 milionë euro. Këto shifra, pra kapërcimi i borxhit publik me rreth 11 pikë përqindje, ose me rreth 900 milionë euro, ilustron më së miri impaktin e krizës në ekonominë shqiptare dhe sidomos në financat e vendit”, thuhet në raport.
Të dhënat theksojnë se, gjatë vitit 2019 norma e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto fiksohej në 66.2%, sërish në nivel risku, ama shumë më ulët se 2020. Sakaq, në total, borxhi publik i Shqipërisë u ngjit në 1.22 trilionë lekë gjatë vitit 2020, nga rreth 1.11 trilionë lekë që ishte gjatë vitit paraardhës.
Të ardhurat në stanjacion
Arka e shteti mbyll me humbje 2019, për shkak të tërmetit, por rënia e të ardhurave vazhdoi edhe gjatë 2020 për shkak të pandemisë. Rritja e raportit të borxhit me PBB me 11,1 pikë përqindje brenda një viti u shty nga dy faktorë kryesorë. E para ulja e pritshme e PBB-së së 2020-s me 107 miliardë dhe e dyta, rritja e deficitit buxhetor në rekorde historike në një vlerë prej 110 miliardë lekësh më 2020.
Sigurisht, deficiti buxhetor u rrit si pasojë e disbalancës mes të ardhurave të grumbulluara në arkën e shtetit dhe shpenzimeve të kryera për shkak të pandemisë. Një pjesë e borxhit të ri u përdor kryesisht për të kompensuar rënien e të ardhurave buxhetore prej 20,6 miliardë lekësh, në raport me planin e rishikuar të vitit 2020, kjo sepse të ardhurat ranë në mënyrë drastike sidomos gjatë muajve kur vendi ishte në izolim total.
Sipas të dhënave të Ministrisë, të ardhurat rezultuan 34.7 miliardë lekë minus në krahasim me planin fillestar, ndërsa shpenzimet u rriten me 44.7 miliardë lekë. Pastaj kujtojmë këtu se, ngrirja e ekonomisë solli dobësim të konsumi dhe rënie të të ardhurave për frymë çka tregojnë një rënie të ndjeshme të punësimit. Pagat e të larguarve nga puna u mbuluan nga vetë Qeveria dhe ndihma e bizneseve gjithashtu, ama shpesh janë marrë borxhe për subvencionimin e programeve në këtë çështje dhe sidomos për financimin në shëndetësi.
Ndërsa përmendet si një shkak tjetër i rënies së të ardhurave dhe kështu rrjedhimisht të borxhit, është informaliteti në vend. Sipas Ministrisë, për shkak të tërmetit dhe më pas pandemisë nuk ka pasur kontrolle dhe shumë tatimpagues kanë operuar në mënyrë informale. Ndërsa theksohet këtu se infromaliteti në ekonomi u bë më i dukshëm me rihapjen e vendit ku shumë punonjës nuk përfituan dot nga ndihmat për këtë shkak. Falja e taksave për një pjesë të bizneseve dhe reduktimit për disa të të tjerëve ka ndikuar gjithashtu në rënien e të ardhurave dhe ka rritur ndjeshëm deficitin buxhetor.