MENU
klinika

E ardhmja e ish-presidentit

Trump është larguar nga detyra, por jo nga politika

19.02.2021 - 12:59

Ish Presidenti Donald Trump është larguar nga detyra, por jo nga politika. Ai mbetet popullor në mesin e republikanëve dhe po përballet tani me disa udhëheqës të lartë në një betejë për kontrollin e Partisë Republikane.

Hoteli Trump Plaza dhe Kazino u shemb të mërkurën – mbetjet e fundit të një destinacioni argëtues dikur dominues në Atlantic City.

Por ish-presidenti nuk po heq dorë nga politika. Të martën, ai sulmoi udhëheqësin e pakicës në Senat Mitch McConnell, republikan i shquar që e fajësoi atë për sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar.

“Presidenti Trump është praktikisht dhe moralisht përgjegjës për provokimin e ngjarjeve”, tha zoti McConnell.

Në një deklaratë, ish-Presidenti Trump tha se senatorët republikanë që mbështesin McConnell-in nuk do të fitojnë më. Ai kërcënoi të mbështesë në zgjedhje sfiduesit e krahut të djathtë kundër kandidatëve të partisë.

“Qëllimi kryesor ishte që të sigurohemi se 75 milionë njerëzit që votuan për Presidentin Trump e dinë se Presidenti do të jetë akoma aktiv dhe i angazhuar në politikën amerikane, se ai do të vazhdojë të mbështesë kandidatë që përqafojnë axhendën e tij Amerika e Para”, tha Jason Miller, këshilltar i zotit Trump.

Shtatë senatorë republikanë që votuan për fajësimin e tij në gjyqin e Senatit përballen me kritika, madje edhe qortim nga partia, duke nënvizuar refuzimin e republikanëve të bazës për t’u shkëputur nga Trumpi.

“Partia Republikane është partia e Trumpit. Dhe për fat të keq, ka konservatorë të moderuar parimorë, njerëz të qendrës së djathtë, së cilës ndoshta i takoj edhe unë politikisht dhe që ndihen si të pastrehë tani“, thotë Olivia Troye, drejtore e Projektit për Përgjegjshmërinë Republikane.

Roli i Trumpit në trazirat e Kapitolit ka të ngjarë të mbetet në fokus ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve kërkon të krijojë një komision të pavarur, të ngjashëm me komisionin që analizoi sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Ish kryetari i komisionit të 11 shtatorit, Thomas Kean, po bën thirrje për një komision dypartiak për sulmin e 6 janarit.

“Ky nuk është një komision për të kapur në faj Presidentin Trump. Ky është një komision fakt-mbledhës”, tha ligjvënësi Kean.

Një sondazh i fundit tregon se 75% e republikanëve thonë se do të dëshironin që ish-presidenti të luante një rol të rëndësishëm brenda partisë.

“Ju duam. Do të kthehemi përsëri në një lloj mënyre”, tha ish presidenti Trump.

Por hetimet kriminale mbi rolin e Trump-it në trazirat e Kapitolit dhe ndërhyrjet në zgjedhje, si dhe sfidat ligjore mbi dyshimet për mashtrim taksash dhe siguracionesh, mund të përcaktojnë gjithashtu rolin e ardhshëm të ish presidentit në politikë./voa