MENU
klinika

Këto veto janë pasqyrë e marrëdhënieve të këqija ndërmjet...

“Vetot kulturore”, një kërcënim i ri për anëtarësimin e Ballkanit në Bashkimin…

22.02.2021 - 17:01

Politika e Evropës Juglindore ka qenë prej kohësh e kërcënuar nga vetot dhe kërcënimet për vendosjen e tyre. Përparimi i Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian u pengua nga Greqia për shkak të kontestimeve të emrit të saj gjatë viteve 1991-2019.

Në vitin 2009, Sllovenia bllokoi negociatat e Kroacisë me BE-në, për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe mbi kufirin detar në Gjirin Piran.Në prillin e vitit 2016, Kroacia bllokoi procesin e Serbisë fqinje,bazuar në shqetësimet e Zagrebit mbi trajtimin e pakicës kroate në Serbi, bashkëpunimin e Serbisë me gjykatën e OKB-së për krimet e luftës në Hagë, dhe në lidhje me juridiksionin e gjykatave serbe mbi krimet e luftës të kryera në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë.

Shpesh këto veto janë pasqyrë e marrëdhënieve të këqija ndërmjet vendeve të Ballkanit. Gjithsesi, një nga kërcënimet më të fundit me veto, ai i Bullgarisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, nuk bazohet aspak në konsiderata politike ndërkombëtare, por më tepër në ato kulturore.

Një veto e tillë nënvizon faktin se marrëdhëniet fqinjësore, mund të jenë goxha të vështira, nëse kulturës nuk i jepet e njëjta rëndësi si çështjeve të tjera si për shembull irredentizmi territorial, që tradicionalisht shihet si një kërcënim më i drejtpërdrejtë për paqen në rajon.

Vetoja aktuale bullgare e procesit të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE, fokusohet pjesërisht tek rebelët e shekullit XIX-të që luftuan kundër sundimin osman në zonën e njohur atëherë si Maqedoni, e cila përfshinte Maqedoninë e Veriut dhe pjesë të Bullgarisë dhe Greqisë moderne.

Historianët bullgarë, kanë argumentuar prej kohësh se këta rebelë ishin bullgarë në etni dhe gjuhë, ndërsa për Maqedoninë e Veriut ata janë artikuluesit më të hershëm të identitetit të sotëm maqedonas. Vija ndarëse midis identitetit bullgar dhe maqedonas, ishte e paqartë gjatë shekullit XIX-të.

Ideja për të dhënë një përgjigje përfundimtare nëse ata ishin bullgarë apo maqedonas, në një kohë kur Bullgaria ishte një shtet shumë i ri, dhe kur Maqedonia nuk kishte qenë kurrë një vend i pavarur, është jashtëzakonisht e vështirë.

Gjithsesi, kjo dilemë ka hyrë tashmë në debatet e sotme politike, duke shkaktuar veton e mundshme bullgare kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Polemika të ngjashme shoqërojnë edhe çështjen e gjuhës, ku Bullgaria kundërshton referencat për “gjuhën maqedonase” gjatë negociatave me Bashkimin Evropian.

Prandaj, me gjithë marrëdhëniet e përgjithshme të mira midis Sofjes dhe Shkupit, narrativat historike janë bërë një pengesë për çështjen kryesore strategjike të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Kjo ndodh kryesisht edhe për shkak të problemeve të brendshme që ka sot Bullgaria, teksa qeveria aktuale synon të garantojë mbështetjen midis votuesve nacionalistë në mesin e protestave të mëdha anti-korrupsion dhe zgjedhjeve të afërta parlamentare në muajin prill.

Përdorimi i vetos nga Bullgaria pasqyron faktin që ndërsa çështjet jetike të kontestimeve territoriale midis 2 vendeve janë zgjidhur, mosmarrëveshjet e thella historike dhe kulturore nuk janë trajtuar kurrë sa dhe si duhet.

Qasja tejet teknike që përdor BE-ja në marrëdhëniet me shumë vende të rajonit, neglizhon shpesh përplasje të tilla mbi kulturën. Për shembull, që nga viti 2013, Brukseli po ndërmjetëson një dialog midis Serbisë dhe ish-provincës së saj, Kosovës.

Strategjia e BE-së ka qenë pasja e një qasje teknike, e përqendruar në sigurimin e marrëveshjeve për çështje teknike, si njohja reciproke e diplomave dhe targave. Por një qasje e tillë teknike, neglizhon rëndësinë e çështjeve kulturore në marrëdhëniet midis dy palëve.

Në vitin 2016, dialogu gati u prish kur Kosova bëri kërkesën zyrtare për anëtarësim në UNESCO, kundër së cilës loboi fort Serbia. Ajo ishte pjesë e betejës diplomatike të Serbisë për të mohuar shtetësinë e Kosovës, e cila përfshin gjithashtu përpjekjet për të bindur vendet individuale që të heqin dorë nga njohja e pavarësisë së Kosovës.

Për më tepër, Serbia argumentoi se kishte një mungesë të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë. Një fushatë në mediat sociale me titull “Jo Kosova në UNESCO” u ndërmor nga studentët e Universitetit të Prishtinës që banojnë në Mitrovicë në veriun e Kosovës, të dominuar nga serbët.

Ajo u mbështet shumë tek imazhet dhe videot e trazirave anti-serbe të vitit 2004, për të nxitur mesazhin se qeverisë kosovare nuk mund t’i zihej besë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë. Serbia ishte e suksesshme në fushatën e saj, dhe anëtarësimi i Kosovës u refuzua.

Në një nivel më të thellë, dëshira e Serbisë për të penguar njohjen e Kosovës, ndikohet shumë nga një narrativë historike që e konsideron Kosovën si tokën e shenjtë të Serbisë. Beteja e Kosovës, e cila vlerësohet në këtë rrëfim si disfata e madhe përballë osmanëve, që shënoi edhe fillimin e shtrirjes së Islamit mbi Serbinë, luan një rol të madh në përcaktimin e Kosovës si tokë të humbur serbe.

Kjo narrativë u përdor nga Slobodan Miloshevic në vitet 1990, për të ri-ngritur nacionalizmin serb, gjë që shkaktoi një kasaphanë në të gjithë ish Jugosllavinë, me çështjen e Kosovës që u përshkallëzua në një konflikt të armatosur në vitin 1999.

Kjo, ashtu si vetoja e fundit bullgare ndaj aspiratave të Maqedonisë së Veriut për në BE, tregon se mosmarrëveshjet kulturore janë të rrënjosura thellë, dhe ato kërkojnë po aq, në mos më shumë, përpjekje për t’u zgjidhur ashtu si mosmarrëveshjet territoriale dhe ato të tjera të natyrës politike.

Derisa Bashkimi Evropian ta njohë këtë realitet, mosmarrëveshjet mbi kulturën do të vazhdojnë që të minojnë si marrëdhëniet rajonale ashtu edhe integrimin evropian.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


AP: Ose na tregoni se ju interesoheni për ne ose...

Ballkanasit ndihen të braktisur ndërsa në Europë ka nisur vaksinimi