Ekonomia shqiptare vazhdon të jetë e rrezikuar nga pandemia dhe masat kufizuese që shoqërojnë atë. Që prej marsit të viti të kaluar vendi ynë është në stanjacion ekonomik pas izolimit dy mujor që ndërmori qeveria në kuadër të frenimit të përhapjes së virusit. Gjatë verës vendi filloi të rimarrë frymë, por kjo zgjati vetëm për pak, sepse me ardhjen e vjeshtës u ashpërsua situata pandemike dhe disa masa kufizuese u rikthyen. Sipas raportit të publikuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë, rikthimi i këtyre masave i dha pasojat në tremujorin e fundit të 2020 ku u pa një frenim i madh i rikuperimit të lehtë që nisi në sezonin turistik. Banka raporton se, mbyllja e vendeve fqinje në shtator ka cenuar sërish tregun shqiptar, ndërsa papunësia vijon të mbetet e lartë dhe indikatorët e tjerë shumë të rrezikuara. “Pandemia vijon të jetë një sfidë serioze, si për ekonominë shqiptare dhe për atë botërore. Në shumë vende, riprezantimi i kufizimeve në fundin e vitit 2020, frenoi rikuperimin ekonomik të nisur në muajt e verës. Ekonomia europiane, partnerit tonë kryesor tregtar, pritet të tkurret në tremujorin e fundit të vitit. Situata në tregun e punës mbetet e vështirë, pavarësisht programeve mbështetëse të qeverive dhe punësimi vijon të jetë më i ulët se në periudhën përpara pandemisë”, thuhet në raport. Në këto kushte dhe për muajt e parë të 2021 parashikimet për ekonominë janë të pesimiste dhe tregohet se gjithçka varet nga ecuria e vaksinimit dhe politikave stimuluese që duhet të ndërmarrë qeveria që tani për të qenë gati në sezonin veror. “Në pasqyrim të dobësisë së kërkesës, inflacioni qëndron në territor negativ. Parashikimet për ekonominë mbeten të zymta në afatin e shkurtër, por fillimi i fushatës së vaksinimit në fund të vitit 2020 ka shtuar besimin për një rikuperim gradual në afatin e mesëm. Rimëkëmbja ekonomike dhe kthimi i inflacionit në objektiv duhet të mbështeten nga ndjekja e politikave monetare e fiskale stimuluese”, thuhet në raport.
Ja risqet kryesore në 2021
Në raportin e publikuar Banka e Shqipërisë tregon risqet kryesore që i kanosen ekonomisë për vitin 2021. Banka analizon se rrasiku më i madh vjen nga variantet e reja të koronavirusit që janë shfaqur në javët e fundit, sepse nëse ato e ashpërsojnë pandeminë jo vetëm ekonomia shqiptare, por edhe ekonomia botërore do të jetë në rrezik. Risk tjetër është edhe ai që, nga pasiguritë familjet po kursejnë gjithmonë e më shumë dhe kjo bllokon qarkullimin e ekonomisë. Ngadalësimi i procesit të ekonomisë është një tjetër faktor që kontribuon në ekonominë shqiptare, por nëse ai ngadalësohet do të sjellë shumë probleme. Faktor tjetër risku është shpejtësia me të cilën do të aplikohet vaksina në vend. “Arritja e një imuniteti të plotë do të kërkojë kohë dhe valë të përsëritura të përhapjes së virusit apo varianteve të reja janë ende faktorë rreziku për kushtet ekonomike e financiare. Përpos tyre, faktorë të tjerë rreziku janë: një prirje e rritur e familjeve për kursim në kushtet e një situate krize të zgjatur në kohë; realizimi më i ngadaltë i programit të rindërtimit; dhe ndryshimet strukturore potenciale që pandemia mund të sjellë në ekonominë botërore dhe atë shqiptare”, përcaktohet në raport. Nga ana tjetër bizneset nuk kanë shpresë për rikuperim edhe në muajt e parë të 2021, madje ata kanë humbur aftësitë paguese ndaj bankave në tre mujorin e tretë të 2020. Sipas bankës, këto borxhe të pashlyera i stepin ata të marrin sërish kredi për të nisur rikuperimin ekonomik. “Zgjatja e pandemisë globale dhe e pasigurive që ajo përcjell në rimëkëmbjen ekonomike, ka rritur shqetësimet e bankave lidhur me aftësinë paguese apo gjendjen aktuale të bizneseve e perspektivën e tyre në të ardhmen. Këto zhvillime i kanë bërë bankat të jenë më të kujdesshme në terma të tolerancës ndaj rrezikut në miratimin e kredive të reja për bizneset. Këta faktorë kanë sjellë vlerën më të lartë negative të balancës për standardet e kreditimit për biznese”, thuhet në raport.