MENU
klinika

DW për zgjedhjet në Kosovë

Vota e qartë për kthesë, por votuesit nuk duhen zhgënjyer

16.02.2021 - 09:03

Kosova votoi parlamentin e ri. Me shumicë të qartë elektorati u shpreh për ndryshimin që e presin nga lëvizja Vetëvendosja por zgjedhësit nuk duhen zhgënjyer sërish, thotë në komentin e saj Vilma Filaj-Ballvora.

Kosova votoi parlamentin e ri. Me shumicë të qartë zgjedhëset dhe zgjedhësit u shprehën për ndryshimin: Ata e presin këtë ndryshim nga lëvizja opozitare Vetëvendosja (LVV), e cila fitoi me gati 48 përqind, ndërkohë që partitë e mëdha tradicionale, si LDK, pësuan një humbje historike. Po ashtu edhe rezultati i PDK-së ishte i dobët.

Në Kosovë në vitet e fundit u akumulua shumë pakënaqësi. Zhgënjimi është i madh prej korrupsionit galopant, pagave të ulëta, papunësisë, mungesës së perspektivës si dhe prej shumë problemeve të tjera, që burojnë nga konflikti i pazgjidhur me vendin fqinj, Serbinë.

Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare tregoi: Që shteti më i ri i Europës do të përshkojë tani i mëvetsishëm rrugën e procesit të demokratizimit të politikës dhe të institucioneve. Një rrugë kundër struktruave të kalcifikuara dhe lidhjeve të vjetra, që kanë dominuar deri tani politikën. E jo rastësisht partia fituese mban emrin „Vetëvendosja”. Sepse e drejta për vetëvendosje është program i lëvizjes nën drejtuesin karizmatik Albin Kurti, i cili për një kohë të gjatë është konsideruar si enfant terrible i politikës kosovare.

“Fillimi i një epoke të re”

Lëvizja Vetëvendosja kishte si slogan elektoral „Krejt dhe Drejt”. Kjo e bën për vete elektoratin: Sepse kjo lëvizje i ka shpallur luftë të pamëshirshme korrupsionit dhe angazhohet për forcimin e shtetit ligjor. Ajo premton, se do të fokusohet tek zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të punës, për t’u mundësuar njerëzve në vendin me popullsinë më të re në moshë në Evropë (mosha mesatare 27 vjeç) një perspektivë për një jetë më të mirë në atdheun e vet.

LVV qysh në tri zgjedhjet e kaluara nga 2014 ka fituar pikë në elektorat me premtimin, që Kosova si shtet i pavarur duhet t’i marrë vetë në dorë fatet e veta dhe të mos vazhdojë të mbetet nën varësinë e mbikqyrjes perëndimore. Ky është një program i vetpërgjegjësisë, që nënkupton refuzimin e institucioneve ndërkombëtare. Në Kosovën e pavarur që nga viti 2008 janë instaluar qysh pas luftës (1999) strukturat ndërkombëtare UNMIK, KFOR dhe EULEX, të cilat ende vazhdojnë të kenë ndikim të fortë në shumë institucione. Me premtimin për një epokë të re kësaj here LVV arriti ta dyfishojë elektoratin në kohë rekord krahasuar me rezulatin e zgjedhjeve më 2019.

Koha nuk pret

Premtimet e LVV-së duken mjaft ambicioze, nëse marrim parasysh që qeveria e re gjendet para një detyre herkuliane: pas zgjedhjeve me fitoren në votime LVV ndodhet përpara zgjedhjeve. Kjo lëvizje përbëhet kryesisht nga politikanë të rinj nga opozita jashtë-parlamentare dhe pa përvojë në qeverisje. Kësaj i shtohet edhe fakti, që kryetari Albin Kurti bazuar në vlerësimin e KQZ-së dhe në gjykimin e Gjykatës Supreme nuk u lejua të përfshihet në listat e votimit. Ai është i dënuar me kusht për shkak të sulmeve me gaz lotësjellës më 2015 në parlament, kur ndodhej në radhët e opozitës.

Nëse tani ai do të lejohet të bëhet kryeministër, ndoshta këtë do të duhet ta gjykojë Gjykata Kushtetuese. Nisur edhe nga fakti që shumica e partive kryesore e refuzojnë bashkëpunimin me LVV-në, krijimi i koalicionit qeveritar mund të rezultojë me bisedime shumë të vështira e të stërzgjatura. Ajo që e ndërlikon edhe më shumë këtë proces është fakti, se parlamenti i ri pas konstituimit duhet të zgjedhë brenda një afati mjaft të shkurtër kohor presdientin e ri. Post ky që në bazë të kushtetutës e drejton si ushtruese e detyrës deri në prill kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani.

Last but not least: LVV e vendos në rend të fundit të listës së prioriteteve të veta dialogun me Serbinë. E kjo çështje vazhdon të mbetet pengesa kryesore, prej së cilës edhe kanë dështuar deri më sot pa e përfunduar mandatin pothuajse të gjitha qeveritë e mëparshme të Kosovës. Në nivelin ndërkombëtar qeveria e re do të vlerësohet pikërisht nga arritjet dhe gatishmëria për kompromise të dhimbshme për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë. Një marrëveshje me Serbinë mund të arrihet, vetëm nëse qeveria bashkëpunon ngushtë me partnerët perëndimorë SHBA-në dhe BE-në, por edhe në rakordim me vendet fqinje. Presioni për arritjen e një marrëveshjeje ndaj të dyja palëve është mjaft i madh si nga SHBA-ja edhe nga BE-ja. Koha për këtë nuk pret.

Një akord mjaft i vështirë

Procesi i demokratizimit në Kosovë ndodhet tani nën një sfidë të dyfishtë: Ndjekja e një rruge si shtet me „vetëvendosje” dhe i vetëdijshëm mund të rezultojë e suksesshme vetëm në rakordim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Kosova është kjo që është sot falë angazhimit dhe mbështetjes nga SHBA dhe BE. Kosova është një shtet i pavarur, ku në përgjithësi institucionet si ato të drejtësisë dhe strukturat elektorale funksionojnë mirë falë ndihmës ndërkombëtare. Sidoqoftë në radhë të parë është merita e qytetareve dhe e qytetarëve të Kosovës që përmes një procesi korrekt dhe të disiplinuar iu pëgjigjën detyrimit qytetar për të shprehur vullnetin e tyre. Tani ata duan të shohin sa më parë zgjidhjet e shumëpritura prej politikës. Nëse Vetëvendosja i përballon të gjitha këto pengesa dhe së shpejti do të qeverisë, ajo nuk duhet t‘i zhgënjejë zgjedhësit e vet. Gjithashtu ajo duhet të dëshmojë, se i vlerëson seriozisht zgjedhësit dhe është në gjendje ta përballojë me mjeshtëri akordin e vështirë me Serbinë në koordinim me partnerët./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“LVV fitoi zgjedhjet parlamentare në Kosovë”

DW: Dy partitë tradicionale LDK dhe PDK kanë…


“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!