Jonida Drogu mësohet se është diplomatja shqiptare e dëbuar së fundmi nga Rusia. Drogu shërbente si sekretare në ambasadën shqiptare në Moskë.
Vendimi i marrë nga Moska vjen si kundëpërgjigje ndaj Tiranës, pas dëbimit nga MEPJ të diplomatit rus Aleksej Krivoshejev.
Diplomatja Jonida Drogu ka 72 orë kohë për t’u larguar nga Rusia drejt Shqipërisë.
“Më 8 shkurt, Ambasadori i Shqipërisë Arben Gazioni u ftua në Ministrinë e Jashtme Ruse, ku iu dha një shënim nga ministria që shpall sekretaren e parë të ambasadës shqiptare në Moskë, Jonida Drogu person ‘non grata’. Punonjësi i specifikuar u urdhërua të linte territorin e Federatës Ruse brenda 72 orësh. Ky hap u mor nga pala ruse në përgjigje të vendimit të Shqipërisë për të dëbuar nga vendi nën një pretekst krejtësisht të largët të sekretarit të parë të ambasadës ruse në Tiranë”, shtoi ministria e Jashtme Ruse.
Sjellim në vëmendje që vendimi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë për dëbimin e diplomatit Aleksej Krivoshejev, për shkak të mosrespektimit të masave anti-Covid, nuk u prit aspak mirë nga Ambasada e Rusisë në Tiranë.
Në një deklaratë të datës 22 janar, ambasada ruse e konsideroi vendimin të paarguementuar, ndërsa shprehu befasi për përmbajtjen e deklaratës së MEPJ.
“Përkundër pretendimeve të Ministrisë, emri i Aleksej Krivoshejev nuk është përmendur asnjëherë gjatë kontakteve midis Ambasadës Ruse dhe Ministrisë përkatëse. Për herë të parë dhe të fundit, ai është përmendur në Notën Verbale të MEPJ-së me dt. 20.01.2021, sipas së cilës z. Krivoshejev është shpallur “persona non grata”. Në të njëjtën kohë, asnjë provë e shkeljes prej tij të masave anti-kovid, të vendosura në Shqipëri, nuk është sjellë“, thuhej në deklaratën e ambasadës ruse.