MENU
klinika

“Oborret e spitaleve Covid janë plot me familjarë që vrapojnë…”!

Zëri i Amerikës analizon situatën e pandemisë në Shqipëri

25.02.2021 - 20:28

Në 24 orët e fundit humbën jetën 21 pacientë dhe u zbuluan 986 infektime të reja. Në spitalet Covid po mjekohen 628 pacientë, nga të cilët 46 në terapi intensive dhe 18 të intubuar. Në 11 muaj kanë vdekur 1 mijë e 736 dhe janë infektuar mbi 104 mijë persona me COVID.

Në Shqipëri, Komiteti Teknik i Ekspertëve shprehu sot një optimizëm të matur pas uljes së infekimeve nga koronavirusi.

Ekspertët pohuan se piku ishte 15 shkurti, dhe më pas shifrat janë në rënie, por masat kufizuese në mbrojtje nga COVID do të mbeten në fuqi.

Ata po ndjekin nga afër përhapjen e epidemisë Covid-19 dhe thanë sot se masat e fundit kufizuese në qarkullim për të mbrojtur qytetarët nga koronavirusi kanë dhënë rezultat, dhe shifrat në rënie i shtyjnë ata drejt një optimizmi të kujdesshëm.

Por vendosën që asgjë të mos ndryshojë nga kufizimet: mbyllja në orën 8 të mbrëmjes dhe sistemi shkollor online nga klasat e ulëta e deri tek universitetet.

Ekspertët deklaruan se pandemia vazhdon të jetë në një periudhë delikate, megjithëse shifrat janë të qëndrueshme.

Shkollat e mesme dhe universitetet do të vazhdojnë online, ndërsa fluturimet ajrore me Britaninë e Madhe mbeten të pezulluara edhe për një eriudhë kohe. Edhe numri i thirrjeve telefonike drejt urgjencës ka shënuar rënie së fundi.

Pjesëtarët e Komitetit Teknik thanë se situata e pandemisë është nën kontroll, numri i vizitave në banesë pati një rritje nga fundi i janarit deri në mes të shkurtit, kur arriti maksimumin edhe numri i vizitave edhe numri i shtrimeve në spitale.

Tani mesatarja ditore e javës së 7 ka pësuar një rënie, mesatarja e pozitivitetit mbetet e qëndrueshme, përhapja ka një tendencë uljeje dhe i vetmi ndryshim është shtrirja e epidemisë tek moshat e reja.

Megjithë masat kufizuese dhe gjobat e shumta nga policia dhe inspektoriatet, në rrugët e Tiranës shihet që një numër i konsiderueshëm qytetarësh nuk i mbajnë maskat dhe as nuk zbatojnë rregullat e pandemisë për distancim dhe higjenizim.

Por kur familjarët e tyre preken nga Covidi, sjelljet dhe kujdesi i tyre ndryshojnë krejtësisht.

Oborret e spitaleve Covid si tek Nënë Tereza edhe tek Shefqet Ndroqi janë plot me familjarë që vrapojnë të mësojnë për shëndetin e të afërmve të shtruar aty, duke sjellë ushqime dhe ndërresa për të lehtësuar sadopak trajtimin e të sëmurëve./ VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rritja e rasteve dhe viktimave nga COVID javën e fundit

Çfarë shkruan Zëri i Amerikës për situatën në Shqipëri?