MENU
klinika

Analiza

A mund të bashkëpunojë BE me Joe Biden në Ballkanin Perëndimor?

01.03.2021 - 15:18

Nga Hugo Blewett-Mundy, Global Risk Insight

Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Investimeve (CAI), e nënshkruar dhjetorin e vitit të shkuar, siguron hyrjen në tregun kinez të investitorëve evropianë, duke mbrojtur të drejtat ekzistuese të Kinës për qasje në tregun e BE-së.

Megjithatë, këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, ka shprehur shqetësime rreth marrëveshjes, duke deklaruar se Uashingtoni do të mirëpriste konsultimet paraprake të Brukselin para siglimit të kësaj marrëveshje. Por mungesa e mendimit strategjik të koordinuar BE-SHBA mbi Kinën,vë në rrezik edhe për integrimin euro-atlantik në Ballkanin Perëndimor.

Ka të ngjarë që CAI ta bëjë më të vështirë për Brukselin, krijimin e një fronti të bashkuar me administratën Biden, për të adresuar problemet në lidhje me procesin e pranimit në BE. Me lejimin e qasjes së Kinës në sektorët evropianë të prodhimit dhe energjisë së rinovueshme, Marrëveshja e Investimeve e lë mënjanë çështjen e pranisë ekonomike të Pekinit në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA-ja shtatorin e vitit të shkuar midis Serbisë dhe Kosovës, i angazhon që të dyja shtetet për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, e përshëndeti marrëveshjen si një përparim të madh, pas përpjekjeve të mëparshme për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis dy shteteve. Gjithsesi, ajo marrëveshje mund të shihet më shumë si një marifet i politikës së jashtme, sesa një angazhim serioz me dialogun Kosovë-Serbi.

Fokusi ekonomik i marrëveshjes nënkupton se ajo mbulon vetëm çështjet dypalëshe të adresuara tashmë nga BE nën Procesin e Stabilizim-Asociimit dhe Procesin e Berlinit, të cilat synojnë të rrisin bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Zëdhënësja e BE-së për Zgjerimin, Ana Pisonero, vuri në dukje se Evropa po miraton investime për ndërtimin e një autostrade që lidh Serbinë me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, të parashikuar në marrëveshjen e Uashingtonit.

Por mungesa e koordinimit midis SHBA-së dhe BE-së, e ka dobësuar procesin e integrimit euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor. Edhe pse marrëveshja e shtatorit, mund të ketë kënaqur interesat e politikës së jashtme të administratës Trump, ajo është problematike për axhendën e zgjerimit të BE-së.

Një pjesë e marrëveshjes, përfshin detyrimin e Serbisë për ta zhvendosur ambasadën e saj në Izrael, nga Tel Avivi në Jerusalem. Por kjo dispozitë bie në kundërshtim me dakordësimin në politikën e jashtme, që është një kriter kryesor për anëtarësimin në BE.

Ndërkohë, nënshkrimi i kësaj marrëveshje acaroi pa pasur nevojë tensionet politike në rajon, dhe për pasojë e dëmtoi përparimin e Kosovës drejt BE-së. Qeveria Kurti, që po ndiqte një axhendë anti-korrupsion, u rrëzua pas refuzimit të saj për të hequr tarifat mbi importet serbe, një qasje që e zhgënjeu Uashingtonin.

Edhe pse CAI siguron përfitime ekonomike për BE-në, marrëveshja do të ketë pasoja për marrëdhëniet transatlantike, teksa si Uashingtoni po ashtu edhe Brukseli e kanë të vështirë që të bashkëpunojnë mbi çështjet politike me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.

Kjo marrëveshje ka të ngjarë të shkaktojë fërkime me SHBA-në, pasi administrata Biden ka qenë e qartë në synimin e saj për të rindërtuar një aleancë me BE-në, për të ushtruar presion mbi praktikat ekonomike të Pekinit. Fokusi i Marrëveshjes së Investimeve, është të sigurojë rregulla të barabarta loje, në mënyrë që kompanitë evropiane të mund të konkurrojnë drejt me Kinën, dhe të nxisin rritjen e industrisë së BE-së.

Me zëvendësimin e 25 traktateve ekzistuese dypalëshe të investimeve që BE-ja ka me Kinën, CAI zgjidh problemet e avantazhit të padrejtë konkurrues nga kompanitë shtetërore të Kinës, dhe të kërkesës për të bërë publike ekspertizën teknologjike si një kusht për të konkurruar në tregun kinez.

Marrëveshja është gjithashtu një zhvillim i mirëpritur për sektorin evropian të prodhimit, veçanërisht në Gjermani. Tregtia e mallrave Kinë-BE u rrit 8 herë gjatë viteve 2009-2019. Kjo gjë e ka ndihmuar Kinën të mbështetet tek një numër i konsiderueshëm shitjesh të kryera tek kompanitë prodhuese në Gjermani.

CAI hedh poshtë interesat e SHBA-së në lidhje me Kinën, pasi krijon një mjedis investimi që e forcon pozicionin e Pekinit, ndërsa minon njëkohësisht axhendën e administratës së re amerikan për të ringjallur përpjekjet e një reagimi të fortë ndaj aktiviteteve kineze në hapësirën ekonomike evropiane.

Por si ndikon marrëveshja me Pekinin, tek interesat euro-atlantike në Ballkanin Perëndimor?

Me marrëdhëniet transatlantike tashmë të zbehura për shkak të mosangazhimit të Trump, vendimi i Brukselit për të nënshkruar një marrëveshje me Kinën, do ta bëjë edhe më të vështirë për BE-në që të ketë një strategji të koordinuar me Uashingtonin, për t’u përballur me një mjedis politik në Ballkanin Perëndimor, që aktualisht nuk e favorizon integrimin euro-atlantik.

Administrata e Joe Biden shpreson që të ndryshojë papërshtatshmërinë e politikës së jashtme të paraardhësit të tij, përmes arritjes së një zgjidhjeje afatgjatë midis Kosovës dhe Serbisë, dhe ri-angazhimin me Evropën mbi çështjet që kanë të bëjnë me pranimin e Ballkanit në BE.

Kjo dëshmohet nga përcaktimi që Bien i ka bërë luftës kundër korrupsionit, si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare, që disa muaj përpara se Këshilli i Bashkimit Evropian t’i mohonte Serbisë çeljen e një kapitull të ri në negociatat e anëtarësimit, për shkak të progresit të pamjaftueshëm në reformën e sundimit të ligjit.

Sidoqoftë, me hapjen e mundësive të reja për Kinën në tregtinë me BE-në, CAI krijon një atmosferë më të tensionuar për Brukselin dhe Uashingtonin, që ata të mund të ndjekin një strategji të përbashkët për zbatimin e reformave politike dhe modernizimin ekonomik të rajonit.

Një nga sfidat kryesore me të cilat përballet procesi i zgjerimit të BE-së, është mungesa e progresit thelbësor në luftën kundër korrupsionin dhe garantimin e sundimit të ligjit. Në krijimin e partneriteteve me ata që veprojnë në sektorë që diktojnë ekonomitë e rajonit si rezultat i investimeve, Kina po ia vështirëson Evropës nxitjen e reformave që sjellin përparim në procesin e pranimit në BE.

Vendimi i presidentit serb, Aleksandar Vucic, për t’iu drejtuar Pekinit për vaksinat kundër Covid-19, duke pasur parasysh vështirësinë me të cilën po përballet BE, e ilustron më së miri shkallën e pozitës politike të Kinës në rajon.

Dhe ka arsye të forta për të besuar se CAI rrezikon që të çimentojë ndikimin e Pekinit mbi vendimmarrjen e politikave në rajon. Me qasjen kineze në sektorët evropianë të prodhimit dhe energjisë së rinovueshme të zyrtarizuara në marrëveshje, Serbia do ta ketë të vështirë të kapërcejë varësinë e saj ndaj Kinës, për shkak të investimeve kineze në industrinë e rëndë serbe.

Si pjesë e Nismës së Brezit dhe Rrugës, “China Eximbank” i huazoi Beogradit 608 milion dollarë për ndërtimin e një termocentrali me qymyr me fuqi 350Megavat në Serbinë qendrore.

Edhe pse të drejtat ekzistuese të kompanive kineze në tregjet e BE-së mbrohen nga CAI, nuk do të jetë e lehtë për Evropën që të rivalizojë praninë ekonomike të Kinës në rajon gjatë zbatimit të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.

Lejimi i qasjes së Kinës në tregjet evropiane në kuadër të CAI, e minon projektin e Joe Biden për t’u ri-angazhuar me Brukselin në çështjet që kanë lidhje me zgjerimin e Bashkimit Evropian. Hapësira që marrëveshja i lejon Kinës për të vepruar në aspektin ekonomik, do të thotë që Pekini mund të vazhdojë të përdorë leva politike në Ballkanin Perëndimor. /abc