MENU
klinika

Trajneri i Kombëtares U-21

Alban Bushi: Fanellën kuqezi mos ta zërë “gjumi”

20.03.2021 - 15:26

Trajneri i ekipit Kombëtar U-21, Alban Bushi, ka dalë këtë të shtunë në një konferencë për mediat ku ka bërë publike listën e lojtarëve të thirrur në prag të grumbullimit që Shpresat do të zhvillojnë nga data 22 mars deri më 31 mars.

Trajneri kuqezi shpjegoi listën me lojtarët e grumbulluar, ku sërish për shkak të pandemisë, një pjesë e lojtarëve e kanë pasur të pamundur të jenë pjesë e këtij grumbullimi rutinë, që zhvillohet përpara nisjes së fushatës së eliminatoreve të europianit 2023, ku Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë më 4 qershor në transfertë ndaj Andorrës.

Përgjatë këtij grumbullimi janë planifikuar të luhen dy ndeshje miqësore, teksa është konfirmuar pak ditë më parë ndeshja kundër ekipit të Tiranës.

Risitë në listën e Kombëtares U-21 – Nga U-21 e poshtë është gjithmonë një cikël dhe lojtarët nuk është se janë të gjithë që qëndrojnë. Ne jemi munduar të marrim lojtarët më të vegjël që t’i kemi edhe për sezonin e ardhshëm. Në këtë edicion, kemi lojtarë shumë të rinj në ekip.

Na ka ikur pjesa më e madhe e ekipit, por boshti është, sidomos te kampionati shqiptar. Domethënë ekipi i Tiranës, ekipi i Laçit, ekipi i Kukësit gjithashtu janë ekipe që do të mbajnë peshën e U-21 për këtë edicion. Mendoj se do të kemi një ekip shumë të mirë. Janë djem shumë të rinj.

Ne kemi afruar tre lojtarë që vijnë për herë të parë, që janë shqiptarët nga Kosova, Bytyçi, Lundrim Ethemi dhe Hajdin Salihu. Lojtarë shumë cilësorë që të tre, të cilët dua t’i falenderoj që kanë zgjedhur Shqipërinë. Mendoj që do të kemi potencial për ekipin A.

Talenti Mario Mitaj, pjesë e Kombëtares A – Prioriteti i Kombëtares së një vendi është ekipi i parë dhe gjithmonë trajneri ku ka nevojë, aty edhe ai do të marrë lojtarë. Gjithmonë shikohet nga U-21. Por unë mendoj se duhet parë edhe nga kampionati shqiptar sepse ka lojtarë shumë të mirë, siç është Partizani apo Laçi.

Por gjithsesi, tani trajneri Reja mendon edhe për edicionet e ardhshme, të 2024 dhe Mitaj deri atëherë mund të jetë 20 vjeç dhe është një lojtar për t’u pasur në konsideratë, derisa luan tek AEK, me një ekip shumë të mirë dhe cilësor në Greqi, mendoj që e meriton ftesën për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar A, por gjithsesi, ai mund të jetë përsëri pjesë e U-21. Nuk është se u thirr nga Kombëtarja A dhe do të qëndroje atje sepse është akoma i vogël dhe i duhet të marrë eksperiencë

Kushtëzimi i lojtarëve për shkak të pandemisë – Duhet pasur parasysh diçka që ne këtë sezon kemi datëlindjet 2000 dhe 2001 prioritet, sidomos 2000, por ne afrojmë edhe lojtarë të 2001. Për momentin këta janë portierët më të mirë të këtyre moshave në ekipet e Shqipërisë.

Ne kemi pasur problem te kjo listë. Deri sot që po flasim ne e kemi ndryshuar listën disa herë sepse janë shumë lojtarë që nuk kanë ardhur. Portieri Molla, i cili është te Bologna dhe që mendoj se do jetë nga portierët kryesorë të U-21 këtë sezon, pësoi një dëmtim dje dhe e zëvendësuam me portierët që ju sapo përmendët.

Por jo vetëm portierët, nga Anglia nuk kemi marrë asnjë lojtar. Kishim lojtarë nga Skocia, nuk kemi marrë për shkak të pandemisë dhe në qoftë se kthehen, bëjnë karantinë, siç janë Dobra, Pajaziti të cilët nuk kanë ardhur.

Këta i kemi zëvendësuar me lojtarët që janë cilësorë në kampionatin shqiptar, për t’i parë dhe për t’i dhënë një mundësi atyre dhe ta shikojmë nëse do e meritojnë të jenë pjesë e ekipit U-21 në të ardhmen.

kombetarja dhe Alban Bushi

Lojtarët e kampionatit shqiptar – Patjetër që ne i kemi sytë te kampionati shqiptar, kjo nuk diskutohet. Në edicionin që kaloi, ata mbajtën një peshë shumë të madhe, por edhe pandemia ka ndikuar sepse kisha në plan të merrja disa futbollistë nga Anglia, por ata nuk erdhën dhe i zëvendësuam me lojtarë të kampionatit shqiptar.

Por gjithsesi, nëse ata e meritojnë dhe nëse ata luajnë mirë, nuk ka arsye pse të mos jenë pjesë e U-21. Gjithnjë Kombëtarja do të marrë më të mirën. Ne mund të kemi 30 vetë të mirë, por 23 do të vijnë. Kështu që do të presin ose duhet të luftojnë shumë, sepse edhe konkurrenca i bën mirë.

Ata do të jenë gjithmonë në syrin tonë për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar, siç kanë qenë edhe lojtarët e tjerë të cilët tashmë janë të konfirmuar dhe janë pjesë e Kombëtares A nga kampionati shqiptar.

Problemi me lojtarët e vitlindjeve 2000-2001 –  Datëlindje 2000 dhe 2001 nuk ka shumë në Europë. Datëlindjet e 98’ dhe 99’ ishin diçka tjetër, kishte shumë lojtarë në Europë kurse lojtarë të ketyre datëlindjeve, 2000 dhe 2001 është e vështirë, për të gjetur lojtarë cilësorë.

Lojtarët që ne kemi marrë janë lojtarë të mirë, të cilët kanë minuta dhe mendoj se me punë do të bëhen dhe ata shumë të mirë. Por lojtarë cilësorë të këtyre datëlindjeve, kemi shumë pak alternativa këtë sezon, për t’i marrë nga jashtë.

Pesha e fanellës së Kombëtares – Ky ka qenë një problem që ka qenë shumë i madh përpara disa kohëve. Tani sikur nuk është më aq i madh. Vazhdon të jetë, por nuk është më aq i madh. Mendoj që të veshësh fanellën e Kombëtares, duhet “mos të të zërë gjumi”.

Në momentin që të thërret Kombëtarja, duhet të jesh gati. Se të thërret U-15, U-17, U-19, U-21, kjo nuk ka të bëjë. Dhe lojtarët e kampionatit shqiptar, në momentin që i thërret, janë shumë të gatshëm. Lojtarët që vijnë nga jashtë dhe janë disi cilësorë dhe luajnë me një ekip më të mirë, gjithnjë preferon ekipin A.

Kjo është diçka e gabuar nga vetë lojtari, nga prindërit e tyre dhe menaxheri, sepse unë mendoj se Kombëtarja është deri në moshën 35-36 vjeç dhe U-21 është për moshën 20-21 vjeç dhe ke dhe 16 vjet për të luajtur me Kombëtaren A.

Duhet të fokusohen tek U-21, të marrin minuta dhe eksperiencë, që të jenë gati për te Kombëtarja A. Sa herë kemi grumbullime me ekipin, unë këto gjëra i flas. Bluza duhet të vlerësohet maksimalisht dhe ta kenë për nder që janë pjesë e Kombëtares U-21.

Axhenda e grumbullimit dhe Andorra – Ne deshëm të bënim dy ndeshje miqësore me ekipe të huaja. Për arsye të pandemisë nuk gjetëm kundërshtarë për të ardhur në Shqipëri. Ne e kishim të ëvshtirë për të ikur jashtë. Do të zhvillojmë një ndeshje me Tiranën dhe një ndeshje tjetër do ta gjejmë në vazhdim që t’i përshtatet Andorrës, mund të jetë një ekip i Kategorisë së Parë që ne të rrimë në mbrojtje, që të kemi një ide se si mund të luajmë me Andorrën.

Është një plus për ne sepse e njohim Andorrën. Kemi dalë 2-2 në Andorra, jo sepse nuk e kishim vlerësuar ndeshjen tamam, por u mbrojtën shumë mirë mbrapa dhe ne u munduam të luanim poshtë. Tani e njohim ekipin, e dimë si do të luajmë dhe nuk është se do të jetë e thjeshtë por ne do të fitojmë.

U-21 dhe Kombëtarja A – Në radhë të parë më bën të ndihem mirë për ekipin U-21, që të kemi rezultate, të kemi sukses. Së dyti, më bën te ndihem mirë fakti që trajneri Reja ka marrë shumë lojtarë nga ekipi U-21 dhe jo vetëm, pasi po punohet shumë mirë me të gjitha Kombëtaret e moshave.

E kam thënë para 10 vitesh që Shqipëria do të ketë një ekip shumë të mirë në të ardhmen. Ekip që jo vetëm do të kualifikohet në Europian por do të kalojë edhe ture apo në Botëror, pasi kam shumë besim sepse shoh një të ardhme shumë të madhe.

Kemi shumë lojtarë cilësorë që luajnë në Serie A, titullarë në formacion dhe pse mos të mundim edhe ne ekipe si Anglia? Derisa ka lojtarë që luajnë në UCHL, Broja te Vitesse, apo Bare në Spanjë pse mos t’i mundim ne ata? Kështu që do të kemi një Kombëtare shumë të fortë.

Kualifikimi? – Unë jam shumë optimist, kam qenë optimist që në edicionin e parë që kisha shumë besim se do të kualifikoheshim. Kemi humbur pikë, mbase edhe nga eksperienca dhe unë kam gabuar shumë herë në shumë ndeshje.

Tani dua që të më vijë dhe njëherë një ndeshje në të cilën të jem në avantazh dhe t’i menaxhoj mirë ato minutat e fundit. Kam më shumë eksperiencë tani dhe mendoj që do të kemi më shumë eksperiencë dhe mendoj që do të kemi përsëri sukses dhe do të kemi ndeshje shumë të mira.

Për kualifikimin është shpejt të flas sepse kemi Anglinë që është shumë e fortë kurse ekipet e tjera janë të përballueshme. Ne shpresojmë të kemi grupin e plotë, mos të kemi probleme me dëmtimet dhe pastaj mendoj që do të bëjmë mirë, sepse sidomos te moshat mund të mundësh çdo kundërshtar.

Hiq Anglinë dhe Francën, që janë ekipe shumë të forta, me të cilat jemi përballur, me ekipet e tjera mund të përballemi, me Italinë, Spanjën, të cilat menaxhohen. Me ekipet e tjera mund të ndodhë gjithçka, mund të na mundë Andorra por mund të fitojmë edhe me Çekinë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN