MENU
klinika

Padër Mëshkalla për Mehmet Shehun

As armiku ma i tërbuem, s’ka ba një propagandë më armiqësore

26.03.2021 - 13:50

        Publikon historia e panjohur e Pjetër Meshkallës me origjinë nga fshati prej të cilit ata kishin trashëguar mbiemrin dhe me banim në rrugën e “Daulles” të qytetit të Shkodrës, ku ai kishte lindur në vitin 1901. Pas mbarimit të Seminarit të Jezuitëve, ai u dërgua për të ndjekur më tej studimet në Austri, ku ai u diplomua në Universitetin Teologjik të Linzit, për Teologji dhe Filozofi. Emërimi i Meshkallës pranë Urdhrit Jezuit, duke shërbyer si meshtar për 12 vite larg familjes dhe atdheut të tij, si në Poloni, Itali e etj., për t’u rikthyer në vitin 1931 në vëndlindjen e tij, ku u emërua si pedagog i Teologjisë dhe Filozofisë në Seminarin e Jezuitëve.

Angazhimi i Meshkallës në shtypin periodik të periudhës së Monarkisë së Zogut ku ai botoi një sërë shkrimesh në gazetat “Lajmëtari i Zëmrës së Krishtit” dhe “Leka”, ku dënonte synimet italiane dhe pikpamjet profashiste që kishte filluar të propagandonte asokohe një pjesë e Klerit Katolik. Si mundi Meshkalla që të shpëtonte nga pushkatimi prej gjermanëve rreth 200 banorë të Tiranës në mesin e nëntorit 1944 dhe kundërshtia e tij ndaj regjimit komunist që me ardhjen e tyre në pushtet, duke propaganduar te rinia shkollore idetë antikomuniste?! Persekutimi i Padër Meshkallës nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës pas letrës tip-proemorie që ai i dërgoi kryeministrit Mehmet Shehu në vitin 1967, (ku i kujtonte atij premtimet e dhëna në 1946-ën, se qeveria komuniste nuk do prishte kishat dhe xhamitë), gjë e cila bëri që ai të dënohej me 15 vjet burg politik, që i vuajti në burgun e Burrelit.

“Pengesa e jashtme e forcës madhore, do të bajë në mue, vetëm atë efekt, që banë guri o dheu, që pengon rrjedhën e ujit. Populli më njeh dhe e din mire, si kam shkri jetën për të. Unë them, se me këtë luftë, kundra fees, ne po diskretitohemi në sy dhe faqe botës, të cilës i kemi dhënë premtime solemne, për liritë e të drejtat njerëzore në Shqipëri. Kur në vjetin 1945, në Tiranë, më 8 Mars, unë ju ankova juve, Shkëlqesë, se kishim ndigjue prej komunistave, fjalët: “Këtë Kishë, do ta bajmë kinema”. Ju m’u përgjigjët: “Kjo është propagandë armiqësore”. Me të vërtetë as armiku ma i tërbuem, s’ka muejt me u ba një propagandë më armiqësore, në 22 vjet, sa i keni ba vetit. Nuk më ka shty me ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interresi por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira”. Kështu thuhej në mes të tjerash në një letër tip promemorie, drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu në vitin 1967, nga ana e Padër Meshkallës, një prej klerikëve katolikë më të njohur të qytetit të Shkodrës. Lidhur me këtë dhe të gjithë historinë e jetës së tij, bëhet fjalë në këtë shkrim që Memorie.al e ka përgatitur duke u bazuar mbi dëshmi të ndryshme nga qyteti i Shkodrës.

Student i Universitetit Teologjik në Linz
Pjetër Meshkalla, lindi në 25 shtator të vitit 1901 në qytetin e Shkodrës, në një familje të varfër që asokohe banonte në rrugën e “Daulles. Babai i Pjetrit, ishte me origjinë nga fshati Meshkallë, i cili ndodhet jo shumë larg qytetit dhe nëna e tij, një grua fisnike ishte nga Shiroka. Pjetri, që binte në sy ndër moshatarët e tij për zgjuarsi, pasi përfundoi mësimet e fillores, u dërgua për të ndjekur mësimet në Seminarin e Jezuitëve të qytetit të Shkodrës, të cilin e përfundoi në vitin 1918. Pas mbarimit të asaj shkolle, Pjetrit, i’u dha e drejta për të vazhduar studimet e larta në Universitetin Teologjik – Filozofik, në Linz të Austrisë ku ai shkoi në shtatorin e vitit 1918 dhe atje studioi për katër vite. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, që Pjetrin bashkë me shokun e tij Kolec Prenushin, e zuri në Austri, ata i humbën lidhjet me familjet e tyre në Shkodër, për gati një vit. Një mjek ushtarak, që asokohe banonte në Shkodër, pranë familjes Prenushi, u bë ndërmjetës dhe me anë të ushtarëve austriakë, mundi që të hyjë në lidhje me dy studentët shkodranë, duke i’u dërguar atyre herë pas here dhe ushqime nga familjet e tyre.

Duke qenë se familja e Pjetrit, ishte e varfër dhe nuk kishte mundësi për ta ndihmuar atë, ai pati një ndihmë shumë të madhe nga familja e shokut të tij, Kolec Prenushi, dhe që prej asaj kohe, Pjetri do të mbetej një mik i Prenushëve. Pas përfundimit të Universitetit Teologjik në Linz, ku Meshkalla u laurua në Teologji dhe në Filozofi, ai duke qenë se zgjodhi për të studiuar dhe punuar si meshtar në Urdhërin e Jezuitëve, për afro 12 vite, do t’i kalonte larg atdheut të tij, Shqipërisë, duke shërbyer në Poloni (në qytetin Potsdam) dhe në krahina të ndryshme të Italisë. Gjatë gjithë kësaj kohe qëndrimi të gjatë që Meshkalla kaloi larg Shqipërisë, në shërbim të urdhërit Jezuit, ai ndoqi shkolla e kurse të ndryshme, duke i perfeksionuar njohurit e tij dhe duke u formuar me një bagazh të gjerë teorik. Pjetër Meshkalla, u kthye nga studimet që kreu jashtë, në vitin 1931 dhe u emërua pedagog në Seminarin e Jezuitëve në Shkodër, në qytetin e tij të lindjes. Në atë shkollë, ku Pjetri jepte lëndët e gjuhës shqipe dhe filozofinë, ai dha mësim deri në vitin 1937. Në diplomën e marrë në Universitetin e Linzit nga Meshkalla, në karakteristikën e tij shkruhej: “Pjetër Meshkalla, student me përgatitje shumë të larta në fushën e Teologjisë dhe të Filozofisë.

Është shumë nevrik dhe rekomandohet për të mos qenë në drejtim të Klerit. Është i përkushtuar në edukimin e rinisë”. Sipas karakteristikës së ardhur nga Austria dhe sipas prirjeve të Meshkallës, ai u caktua në qytetin Shkodrës prej superiorëve të tij, që të hapte rrethet “Shën Gjon Bosco”. Ato rrethe jashtë shkollorë kishin si qëllim edukimin e rinisë me ndjenja patriotike dhe zhvillimin e shumë aktiviteteve sportive, në drejtim të kalitjes fizike të nxënësve të rinj. Krahas angazhimit të tij të madh në ato rrethe, Padër Meshkalla, i kushtoi një kohë të veçantë shkrimeve publicistike në shtypin periodik të asaj kohe, ku u angazhua sidomos në “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” dhe “Leka”. Në shumë prej atyre artikujve, Padër Meshkalla, bënte thirrje dhe predikonte patriotizmin që duhej përqafuar sidomos prej rinisë shkollore dhe hera – herës, dilte hapur kundër pikpamjeve profashiste që kishte filluar të propagandonte një pjesë e Klerit në Shqipëri. Kundër atyre pikëpamjeve, Meshkalla, ka folur shpesh dhe në rrethet e brendshme të klerit dhe nëpër mbledhjet të ndryshme, duke atakuar hapur Jezuitët italianë dhe duke krijuar kontradita të thella, saqë e detyruan që pa u shkëputur prej urdhërit, të largohej nga Shkodra dhe të vendosej në Tiranë.

Padër Meshkalla, shpëton 200 banorë të Tiranës, prej pushkatimit nga gjermanët!
Pas largimit nga Shkodra dhe ardhjes në Tiranë, Padër Meshkalla, u angazhua përsëri në ngritjen e rretheve jashtëshkollore “Shën Gjon Bosco”, ku grumbulloi rininë tiranase, pa dallim feje e bindje politike. Në Tiranë, Meshkalla, shërbeu pranë Kishës së Zemrës së Krishtit, në rrugën e Kavajës, nga viti 1937 deri në vitin 1946. Ajo periudhë kohe për Meshkallën, do të ishte dhe do të konsiderohej prej tij, si një periudhë pune me shumë rendiment, ku ai përgatiti shumë tekste shkollore dhe programe të ndryshme mësimore, të cilat studioheshin jo vetëm në shkollat fetare, por dhe ato laike. Po kështu ai vazhdoi përsëri bashkëpunimin me shtypin e kohës, ku arriti të botojë shumë artikuj të ndryshëm, ku shprehet ndjenjat e tij antikomunistë e antifashiste. Në atë periudhë, Meshkalla, pati konseguenca nga autoritetet shtetërore, sidomos pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, ku ai nuk lejonte nxënësit nëpër shkolla, që të përshëndeteshin dhe të betoheshin nën flamurin Italian. Një nga ngjarjet më të shënuara të Meshkallës, që ai fitoi admirimin e simpatinë prej shumë familjeve tiranase, ka qenë ajo e nëntorit të vitit 1944, kur kolona e fundit e gjermanëve po largohej nga Tirana nëpërmjet rrugës së Durrësit e asaj të Kavajës.

Gjatë tërheqjes së gjermanëve nga kryeqyteti, ata herë pas here po goditeshin me të shtëna të rralla pushkësh. Nisur nga këto, autokolona gjermane u ndal dhe disa skuadra ushtarësh me armë automatike dhe flakëhedhëse, filluan të qëllojnë tek ato shtëpi ku dyshonin se vinin të shtënat, duke ekzekutuar jo pak banorë që i kishin shtëpitë anash atyre dy rrugëve. Disa skuadra gjermanësh, u futën në Rrugën e Kavajës në afërsi të Kishës, ku shërbente Padër Meshkalla, pasi andej kishin ardhur shumë të shtëna. Në këtë kohë, rreth 200 banorë të asaj rruge, duke pasur frikën e pushkatimit, trokitën në dyert e Kishës dhe Meshkalla i strehoi të gjithë aty. Nga lëvizjet e shumta dhe zhurmës së krijuar, gjermanët i kuptuan dhe ja behën në dyert e kishës, duke u përgatitur për reprezalje dhe gati për t’i qëlluar. Mbasi ata godisnin me kondakët e armëve dyert e kishës, Padër Meshkalla, ju doli përpara dhe me një gjermanishte të kulluar, i’u drejtua gjermanëve, duke u thënë se ata persona që ai kishte aty në kishë, nuk ishin terroristë dhe asnjëri prej tyre nuk kishte qëlluar. Ata ishin thjeshtë besimtarë, që kishin ardhur aty për të qenë larg konflikteve që mund të lindnin. Pas fjalëve të Padër Meshkallës, gjermanët u kthyen mbrapsht, duke hipur nëpër makinat e tyre që prisnin të ndezura, për t’u larguar sa më shpejt nga Tirana. Pas vitit 1944, kur Qeveria komuniste shqiptare u lidh ngushtë me jugosllavët, Padër Meshkalla, bëri një punë të madhe duke propaganduar tek rinia shkollore frymën patriotike, antisllave dhe duke demaskuar vijën komuniste prosllave. Kështu, Meshkalla predikonte tek ata të rinj që ishin infektuar nga ideali komunist, duke u thënë: “Parimet tuaja komuniste, janë një utopi, ju nuk do t’i realizoni dot ato parime, por fatkeqësisht, ju po rrezikoni jetën e idealeve kombëtare, duke u bërë ushtarë të verbër të Stalinit”.

Mehmet Shehu i kërkon bashkëpunim Padër Meshkallës
Pas mbarimit të Luftës, duke parë vijën e ashpër që po ndiqnin krerët komunistë që ishin në krye të vendit dhe propagandën e madhe ateiste të zhvilluar prej tyre, Padër Meshkalla propagandonte hapur idenë e mbështetjes së Shqipërisë tek aleatët anglo-amerikanë. Duke parë influencën e madhe që gëzonte Meshkalla në qarqet intelektuale tiranase, ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, i kërkoi atij një takim, që u realizua në një shtëpi duku në Tiranën e Re. Që në fillim të bisedës, Mehmet Shehu i kërkoi bashkëpunim Meshkallës, gjë e cila u refuzua në mënyrë kategorike prej tij. “Ju jeni ateist dhe rruga e bashkëpunimit ndërmjet nesh, është krejt e pamundur, ju do të mbyllni kishat e xhamiat dhe do t’i ktheni ato në klube e kinema”, iu përgjigj Meshkalla, Mehmet Shehut. Duke parë se nuk mund të përfitonte asgjë nga ajo bisedë, teksa po largohej, Mehmet Shehu iu drejtua Padër Meshkallës, duke i thënë se: puna e mbylljes së kishave e xhamive e kthimi i tyre në klube e kinema, s’ishte gjë tjetër, veçse një parullë reaksionare. Pas kësaj ngjarje, diku nga viti 1946, Meshkalla bëri një replikë me gazetën “Bashkimi” duke kërkuar të drejtat e lirinë e fesë dhe duke atakuar direkt Qeverinë, për mungesë demokracie. Ajo që e zemëroi më shumë Meshkallën dhe që e detyroi atë të bënte replikën në gazetë, ishte terorri i madh që po ushtrohej mbi intelektualët që kishin mbaruar shkollat në Perëndim dhe goditjet që po i bëheshin Klerit Katolik, sidomos në Qarkun e Shkodrës.

Meshkalla, kërkon ndihmën e përfaqësive të huaja diplomatike!
Duke parë terrorin e madh që Qeveria komuniste e Tiranës po ushtronte mbi Klerin Katolik dhe besimet e tjera, Padër Meshkalla, së bashku me Imzot Frano Gjinin, (zëvëndës delegat i Vatikanit), Dom Shtjefën Kurtin, (famulltar i Tiranës), etj., hartuan një letër dhe ja dërguan misioneve diplomatike të huaja, që ishin atashuar në Tiranë dhe pikërisht atyre amerikane, angleze e franceze. Në atë letër ata vinin në dukje represionin e ashpër që bënte Qeveria komuniste mbi Klerin Katolik e besimet e tjera fetare. Në të njëjtën kohë, një kopje të asaj letre, ata ja dërguan vetë kryeministrit shqiptar, gjeneral-kolonel, Enver Hoxhës. Kjo letër prej disa faqesh, ishte përpiluar e gjitha prej Padër Meshkallës dhe u firmos edhe prej klerikëve të tjerë. Por ajo letër, u bë shkak për arrestimin e të gjithë nënshkruesve të saj, të cilët dolën në gjyq dhe morrën dënime të rënda. Në atë gjyq, Meshkalla, u dënua me 15 vite burg, dhe pjesën më të madhe e kaloi në Burgun e Burrelit.

Meshkalla 15 vite burg në Burrel
Dënimin e marrë, që Meshkalla më të shumtin do ta vuante në burgun e Burrelit, ai e kalonte duke iu ardhur në ndihmë të rinjve që kishin dëshirë për të mësuar gjuhë të huaja. Në atë burg, Meshkalla hapi shumë kurse gjuhësh dhe u shpjegonte bashkëvuajtësve, filozofinë që ai kishte studiuar në shkollat Perëndimore. Meshkalla, fliste e shkruante në italisht, greqisht, gjermanisht, anglisht, polonisht, serbokroatisht, frengjisht, spanjisht dhe latinisht. Po kështu ai bënte debate filozofike me disa nga bashkëvuajtësit e tij që konsideroheshin pjesë e elitës intelektuale që asokohe ishin të dënuar në burgun e Burrelit, si: Suat Asllani, Zef Mala, Gjergj Kokoshi, Hafiz Ali Tari, Arshi Pipa etj. Aty në atë burg ku zienin debatet politike e filozofike për ditë të tëra nga ish-kryeministra, ministra, deputet, ambasadorë, shkrimtarë, ushtarakë, etj., në fund të tyre, ato mbylleshin me shprehjen e zakonshme. “Kjo është….se kështu ka thënë edhe Padër Meshkalla”. Pas çdo debati që vazhdonte me ditë të tëra, në fund pyetej Padër Meshkalla, i cili thoshte: “Zotërinj unë mendoj, se mund të jetë kështu…”! Lidhur me këtë, Arshi Pipa, një nga bashkëvuajtësit e Meshkallës në burgun e Burrelit, midis të tjerash ka shkruar: “Me At Meshkallën, jam njoftë në burgun e Burrelit, ku e prunë bashkë me një grup të burgosurish, nga burgu i Shkodrës, nuk më kujtohet saktë ka vjeti 1953-1954.

Ai ishte at’herë rreth të pesëdhjetave, vocërrak dhe i imët ka shtati, me dy sy si gaca. Ç’ka i ndriste syni, ja shkrepte gjuha, sado që zani i tij ishte i shtruem e i paqëm “Suaviter in modo, sed fortiter in re” (i butë në mjete, i fortë në qëllim). Fjalët i kishte të thjeshta e të preme, si i kanë zakonisht njerëzit me bindje të forta në ç’ka besojnë. E ushtronte profesionin e vet, si Ushtar i Krishtit, në shërbim të nevojtarëve të mjerë. Në atë kohë drejtor i burgut, ishte një xhelat që i pëlqente me mbajtë fjalime, para të burgosurve tue i marrë nëpër kambë, por kishte asish që nuk e mbyllnin gojën, e ndër ta, At Meshkalla, ndahej në shenj. Përgjigjej ku duhej, pa e çue zanin. Por fjala e tij kishte autoritet edhe mbi drejtorin, i cili ishte i regjun, tue pasë studiue, teologji e filozofi.

Ishte kjo një mënyrë me mprehë tehun e mendjes. Topitë nga plogështia e burgimit, At Meshkalla, do të mbesë në analet e Kishës Katolike të salvueme, si ai që vuajti, salvimin gjatë, pa i ba lak, deri sa pat shpirt”. Meshkalla, u lirua nga burgu në vitin 1960 dhe u kthye në qytetin e Shkodrës duke u vendosur me banim në shtëpinë e tij përdhese, në lagjen “Ballabane”, ku jetonte nëna e tij e moshuar dhe një vajzë teze, e cila ishte kujdesur për të, gjatë gjithë kohës së burgut. Në atë dhomë përdhese, Meshkalla, kryente të gjitha ritet fetare, pasi nuk i’u dha e drejta, që ato t’i kryente, legalisht. Një nga humbjet më të mëdha që Meshkalla kishte pësuar, siç ju thoshte ai të afërmve e miqëve të tij, nuk ishte burgu prej 15 vitesh, që ai kishte kaluar, se dhe atje në burg, kishte njerëz dhe ata si robë të Zotit, donin dhe shërbimet fetare dhe dikush duhej t’ua u bënte, dhe ai fat thoshte Meshkalla, i kishte takuar atij. Humbjen më të madhe, Meshkalla cilësonte sekuestrimin e bibliotekës së pasur që ai kishte me gjithë artikujt, studimet e tekstet, që kishte përgatitur prej vitesh. Nga mesi i viteve gjashtëdhjetë, kur regjimi komunist përgatitej për goditjen përfundimtare ndaj Klerit dhe mbylljen përfundimisht të gjithë institucioneve fetare, në marsin e 1967, Kleri Katolik i Shkodrës, i mbledhur tek Kuvendi i “Arrës Madhe”. në fund dëgjoi fjalët e Padër Meshkallës: “E sido që të vejë puna, ne duhet të japim shërbesat tona, kujtdo që do të ketë nevojë për to”.

Meshkalla, i dërgon promemorie Kryeministrit, Mehmet Shehu
Duke parë se vala e represionit që po ushtronte regjimi komunist ndaj Klerit po rritej çdo ditë, i bindur plotësisht për konseguencat që e prisnin, Padër Meshkalla vendosi që t’i bënte një letër (tip promemorie), kryeministrit Mehmet Shehu, të cilën e shkroi më 5 prill të vitit 1967, ku thuhej:


Kryetarit të Këshillit të Ministrave
Mehmet Shehu, në Kryeministri.

Shkëlqesi. Pardje, më 3 prill 1967 ora 19, pjesa më e madhe e klerikëve katolikë, që gjenden sot në Shkodër, kjemë thirrë në sallën e kandit të kuq, të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue ndër të tjera, se do të dorëzonim gjithçka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, ndërsa të tjerat, të gjitha ishin të popullit dhe populli duhet t’i ktheheshin dhe se nuk do të ushtronin asnjë shërbim fetar, as dhe privatisht. Këtë e ka vendosur populli. Mendova t’i drejtohem me këtë letër, Shkëlqesisë suej, për me i ç’faqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen, nuk është e para herë, që unë dal në rrugë të madhe. Por unë dëshiroj të ç’faqë disa mendime në përgjithsi. Dorëshkrimet, janë pronë e paprekshme dhe e shenjtë e autorit, në mos i dorzoftë ai vetë, ene mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit. Sa për pasunina të tjera, as bujaria e burrnia e popullit, as ligji natyral ma elementar, nuk e pranon, që një gja që është falun njëherë një personi e nja të caktuemi, t’u kërkohet rrishtas prej dhuruesit, si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet, goditen. Dhe e vërteta asht se populli, kurdoherë e ka përcjellë priftin e vet, me vaje, si përfaqësuesin e fesë vet. Një hije e zezë, ka ra mbi popull, kur ka pa t’u u mbyll kishat, tue u rrëzue kumbanorët e sidomos, tue pa, tu e vu në lojë, personat e gjanat fetare, t’ue fye, kështu thellë ndjenjat e besimit, ndjenja kaq të shenjta. Po atë efekt, ka ba fushata e ç’frenueme, e diskretituese anti fetare, zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë kishat deri në çastet e fundit të tyre. Ç’vlerë ka atëhere qëndrimi i një pakice, të pandërgjegjëshme, o të friksuem, me lloj – lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcënime, presione, premtime, e pushime nga puna, pëson torturën më të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtrëngohet me mohue me gojë, atë që beson dhe kështu fushata që po bahet, synon me formue një brezni, pa kurajo civile, pa burrni, oportunist, servilë, tue prish karakterin e shqiptarit, në dam të atdheut. Njerëzit kanë frikë me u takue, e me u përshëndet rrugës, me miq që janë “të prekun”. E kush po di, se cilët janë! Flitet shumë për inkuzicionin e 500 viteve dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shekullit XX? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës time, nuk mund ta ndryshoj, por do të vazhdoj deri sa të kemë frymë. Pengesa e jashtëme e forcës madhore, do të bajë në mue, vetëm atë efekt, që banë guri o dheu, që pengon rrjedhën e ujit. Populli më njeh dhe e din mire, si kam shkri jetën për të. Unë them, se me këtë luftë, kundra fees, ne po diskretitohemi në sy dhe faqe botës, të cilës i kemi dhënë premtime solemne, për liritë e të drejtat njerzore në Shqipëri. Kur në vjetin 1945, në Tiranë, më 8 Mars, unë ju ankova juve, Shkëlqesë, se kishim ndigjue prej komunistave, fjalët: “Këtë Kishë, do ta bajmë kinema”. Ju m’u përgjigjët: “Kjo është propagandë armiqësore”. Me të vërtetë as armiku ma i tërbuem, s’ka muejt me u ba një propagandë më armiqësore, në 22 vjet, sa i keni ba vetit. Nuk më ka shty me ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interresi por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira”.

Me nderime
Pjetër Meshkalla
Meshtar Katolik i Shoqërisë Jezu.

Tiranë, 5 Prill 1967

Pas marrjes së kësaj letre nga Mehmet Shehu, më 29 prill, me urdhër nga Tirana, vendoset arrestimi i Meshkallës, por ma parë porositej që ai duhej të demaskohej publikisht, para popullit të Shkodrës.

Demaskimi i Meshkallës në Institutin Pedagogjik dhe 10 vite të tjera burg

Sipas porosive të ardhura nga Tirana zyrtare, organet e Degës së Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës arrestuan Padër Meshkallën dhe fillimisht ata bënë demaskimin e tij publik, (në një nga sallat e Institutit Pedagogjik të Shkodrës), ku ishin thirrur “intelektualët” e qytetit dhe në një presidium, ku kishin zënë vend për drejtimin e mbledhjes demaskuese: Luigj Shala si kryetar, Vat Deda, Arif Gashi, Palok Kraja etj. Jashtë Institutit, ishin vënë altoparlantë për të dëgjuar populli. Diskutimet kundër fesë dhe Zotit, filluan prej Jup Kastratit, Angjelin Ulit, Ramiz Hafizit etj.

Mbas këtij gjyqi demaskues, Gjykata e Shkodrës e dënoi Padër Meshkallën me 10 vite burg dhe me konfiskim të pasurisë. Në atë gjyq, Meshkalla, deklaroi: “Po të shprehin lirisht mendimet e tyne njerzit, ky pushtet nuk ka për të zgjat shumë. Na nën dhe e ju mbi dhe, por na jemi ma të fortë se ju”. Dhjetë vitet e burgut, Padër Meshkalla, i vuajti nëpër kampe pune të detyrueshme dhe u lirua prej andej vetëm në vitin 1977, duke u kthyer përsëri në qytetin e Shkodrës, në shtëpinë e tij përdhese. Por nuk e gjeti më aty nënën e tij fisnike dhe kushërirën e tij Gonxhen, që e kishte ndjekur nëpër burgje 25 vite. I ngelur pa asnjë mjet jetese, atij do t’i gjendeshin pranë shumë familje shkodrane që e ndihmonin për të jetuar dhe ajo gjë zgjati deri më 28 korrik të vitit 1988, kur ai u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare.

Atë fund korriku të vitit 1988, kur në qytetin e Shkodrës, në dy – tri pika kryesore afër qendrës në piacë ku afishoheshin njoftimet nekrologjike, në disa copa letrash të shkruajtura nga një dorë e pastërvitur, njoftohej: “Ka vdekur Pjetër Meshkalla…!” Ky lajm u përhap me një shpejtësi të jashtëzakonshme në të gjitha shtëpitë shkodrane atë ditë korriku mes asaj vape përvëlonjëse. Të nesërmen e asaj dite që u lajmërua vdekja e Padër Meshkallës, shumë besimtarë shkodranë morën pjesë në varrimin e tij, duke shkuar disa orë përpara në varreza, nga frika e survejimit prej “organeve kompetente”. Në përcjelljen e Meshkallës për në banesën e fundit, bashkë me ish-klerikët e moshuar, miq të tij si: Dom Ndoc Noja, Dom Luigj Kçira, Zef Buka, Xhevat Meta, Luixhina Leka e të tjerë, morrën pjesë dhe shumë qytetarë shkodranë, ku ndërmjet tyre kishte dhe shumë të besimit mysliman. Pas shembjes së regjimit komunist, në vitin 1992, disa ish – nxënës të Meshkallës, tashmë të moshuar, mblodhën kontribute dhe i bënë mësuesit të tyre, një varr të thjeshtë, atje në varrezat e qytetit…! Dikush atë ditë kujtoi, se kur e kishin thirrur, duke i ripërsëritur atij kërkesën për përkthimin e veprave me përmbajtje marksiste – leniniste, Padër Meshkalla ishte përgjigjur: “Unë nuk mund t’i jap me dorën time rinisë, helmin e marksizëm – leninizmit, mbasi unë kam luftuar gjithë jetën kundër asaj ideologjie”./Memorie.al/