MENU
klinika

Analiza

AstraZeneca dhe leksioni nga hezitimi ndaj vaksinave

29.03.2021 - 16:21

Nga David Pilling

Në botimin e parë të librit “Vaksinimin kundër lisë” të Eduard Xhener në vitin 1798, ku mjeku anglez përshkroi parimet shkencore mbi të cilat ishte bazuar shpikja e vaksinës që përfundimisht do ta zhdukte sëmundjen, një lexues skeptik kishte shkruar:“Bah Humbug!!”

Hezitimi ndaj vaksinave nuk është asgjë e re. Ai i paraprin forcave konspirative që janë shumë të përforcuara sot me shërbimin e internetit. Dhe sigurisht që ky hezitim i paraprin gabimeve teknike, rregullatore dhe politike që e kanë minuar besimin tek vaksina e Oxford/AstraZeneca në Evropë dhe gjetkë.

Më shumë sesa keqkuptim, mosbesimi ngjalli frikë nga vaksina. Ideja që besimi mund të rikthehet përmes “edukimit”,nuk merr shumë parasysh atë që të gjithë e dimë mbi besimin: është i vështirë të fitohet, por humbet shumë lehtë.

Problemet me shpërhapjen e vaksinës së AstraZeneca,janë stisur enkas për të tronditur besimin tek ajo që është gati me siguri një vaksinë e shkëlqyer. Dhe kjo është një fatkeqësi, sidomos për botën në zhvillim, ku një vaksinë e lirë dhe e lehtë për tu ruajtur, pritej të ishte çelësi për vaksinimin e shpejtë global dhe daljen nga pandemia.

Kameruni dhe Republika Demokratike e Kongos pezulluan shpërndarjen e saj, pasi qeveritë evropiane ngritën mundësinë e një lidhjeje mes saj dhe rasteve të rralla të mpiksjes së gjakut. Në Nigeri, politikanët që do të merrnin vaksinën para kamerave televizive u tërhoqën.

Nëse edhe publiku e humbet besimin tek vaksina, situata nuk mund të rikthehet në normalitet, paralajmëron dr.Ajoade Alakija, bashkë-kryetar i Aleancës së Vaksinave në Afrikë, që po bashkërendon shpërndarjen.

Vetë kompania AstraZeneca mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për këtë situatë. Gabimet e saj mbi mënyrën se si i ka kryer testet klinike, dhe të dhënat e paraqitura kanë ngjallur dyshimin e enteve rregullatore në Evropë dhe SHBA. Entoni Fauçi, këshilltari kryesor mjekësor i presidentit amerikan, e quajti të gabuar mënyrën e prezantimit të saj, “një gabim” që sipas tij e dëmton besimin.

Por fajtorë janë edhe politikanët. Në shkurt, pa pasur ndonjë provë presidenti francez Emanuel Makron deklaroi se vaksina e AstraZeneca ishte “thuajse e paefektshme” tek njerëzit e moshës mbi 65 vjeç.

Pastaj Franca dhe disa vende të tjera evropiane, vendosën pezullimin e shpërndarjes së saj, për shkak të shqetësimeve në lidhje me efektet e mundshme anësore. Në fund, Franca e ndryshoi qëndrimin e saj të mëparshëm dhe autorizoi përdorimin e vaksinës vetëm për moshën mbi 55 vjeç.

Zbehja e besimit tek vaksina nuk është diçka e habitshme. Një sondazh i YouGov këtë javë, tregoi se 61 për qind e francezëve e konsideronin vaksinën si të pasigurt. Në Poloni, ku normat e rasteve me Covid-19 po rritet, më pak se gjysma e njerëzve po paraqiten për të marrë vaksinën.

Në Etiopi, njerëzit pyesnin:Nëse evropianët ishin shumë të frikësuar për të marrë vaksinën e AstraZeneca, atëherë pse duhet të vaksinoheshin ata vetë?Në librin e saj “Të mbërthyer në vend”, Heidi Larson, drejtoreshë e Projektit të Besimit të Vaksinave në Shkollën e Higjenës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, mbron një qasje antropologjike për të luftuar frikën në një mënyrë që nuk i trajton skeptikët e vaksinave si idiotë joshkencorë.

Përkundrazi, sipas saj zërat kundër duhet të shihen si ato që ajo i quan “zgjidhja kolektive e problemeve”.Lëvizjet kundër vaksinave janë shfaqur që në vitet 1850, menjëherë pasi Britania e bëri të detyrueshëm vaksinimin kundër sëmundjes së lisë.

U deshën gati 200 vjet nga shpikja e Xhener para se kjo sëmundje të zhdukej në vitin 1979. Sipas Daniel Salmon nga Shkolla e Shëndetit Publik Xhon Hopkins, është vaksinimi dhe jo vaksinat që shpëtojnë jetë. Vaksinat janë ndryshe nga shumica e ilaçeve, të cilat u jepen një grupi të zgjedhur njerëzish të sëmurë, që e pranojnë se përfitimet ka të ngjarë të tejkalojnë rreziqet nga sëmundja e tyre.

Në të kundërt, vaksinat u jepen njerëzve të shëndetshëm në një numër të madh për të luftuar rrezikun hipotetik. Ato janë gjithashtu sociale, një ekuivalent intravenoz i ujit të fluorizuar. Njerëzit vaksinohen jo vetëm për të mbrojtur veten, por edhe të tjerët.

Një 20-vjeçar i shëndetshëm merr një vaksinë anti-Covid për të mbrojtur anëtarët më të rrezikuar të shoqërisë. Një 20-vjeçar i shëndetshëm në Gana, sidomos nëse e konsideron Covid-19 si një sëmundje kryesisht të vendeve të pasura, mund të pyesë se për kë po vaksinohet.

Dyshimi mbi vaksinat, është shpesh një simbol i mungesës së besimit tek qeveria, tek një industri farmaceutike që është e orientuar kryesisht nga fitimi ose një motiv me baza shkencore. Dhe nuk ndihmon aspak fakti që qeveritë janë të pabesueshme, që kompanitë farmaceutike ndonjëherë nxitohen, apo që shkencëtarët kanë kryer herë pas here eksperimente jo-etike.

Në vendet e udhëhequra keq, ku njerëzit nuk janë mësuar që të marrin shumë nga qeveria, fakti që vaksinat janë falas mund të shkaktojë dyshime. Do të jetë një betejë e vështirë për të rivendosur besimin tek vaksina e AstraZeneca, dhe përpjekje më të mëdha duhet të bëhen në vendet e varfra, ku vaksina është më e nevojshme.

Ky duhet të kishte qenë një moment lavdie për AstraZeneca, që është e vetmja që po e ofron vaksinën me çmimin e kostos. Përtej kësaj, një vaksinë që është e sigurt dhe efektive po lufton për mbijetesë. /

“Financial Times” – Bota.al