MENU
klinika

Pasojat e përmbytjeve në Lezhë

Banorët: Dëmet të mëdha, frikë se s’do kompensohemi

12.03.2021 - 13:28

Pasojat e përmbytjeve të janarit të këtij viti janë ende prezente në Fushën e Torovicës në Lezhë. 20 ditë nën ujë kanë shkaktuar dëme të shumta në kulturat bujqësore, por fermerët ankohen se deri tani askush nuk ka shkuar për ti verifikuar.

“Jo për Zotin, jo. Te unë jo, te të tjerët nuk e di,” thotë një banor.

Gruri dhe jonxha, thonë fermerët janë kalbur. Ndaj kërkojnë kompensim, pasi me sektorin e bujqësisë e kanë të lidhur jetesën.

“80 dynym i kam jonxhe dhe 23 janë grurë dhe të tjerat janë foragjere. Kam 400 dynym,” thotë banori. “Të gjitha prodhimet që kanë qenë të mbjella, me jonxhë e grurë të gjitha i ka përmbytur. Më mirë të themi që ka degraduar,” thotë një banor tjetër.

Bashkia e Lezhës thotë se ka ngritur grupet e punës për verifikimin e dëmeve të përmbytjes në bujqësi, por vonesat e procesit kanë rritur frikën mes fermerëve se nuk do të marrin asnjë lek.

“Për mua është shumë humbje,” thotë banori.

Krahas Shkodrës, Lezha ishte një prej qarqeve më të prekur nga përmbytjet e muajit Janar, ku pas reshjeve intensive të shiut e daljes nga shtrati të lumenjve e kanaleve kulluese mijëra hektarë tokë u vunë nën pushtetin e ujit për gati tre javë.