MENU
klinika

Bundesliga, java 25

Bayern likuidon edhe Werder, Lewa shkon 32 gola

13.03.2021 - 17:30

Bayern Munchen nuk di të ndalet dhe pasditen e sotme ka likuiduar Werder Bremen në transfertë me shifrat 1-3. Bavarezët e drejtuar nga Hansi Flick zgjidhën gjithçka që në pjesën e parë, ku Goretzka dhe Gnabry shënuan nga një herë secili.

Pjesa e dytë vijoi me të njëjtin ritëm dhe Bayern shënoi edhe golin e tretë me anë të të zakonshmit Robert Lewandowski. Polaku gjeti golin e 32-të në këtë sezon të Bundesligës, duke konfirmuar sezonin fantastik që po kalon.

Në fund pati vend edhe për pak festë të vendasve, të cilët shënuan me anë të Fullkrug, pas një aksioni ku fillimisht tentoi Milot Rashica. Më pas, gjithçka u mbyll 1-3 dhe Bayern vijon në krye në kuotën e 58 pikëve, 5 më shumë se sa ndjekësit e Leipzig, që luajnë nesër.

Në ndeshjet e tjera, Wolfsburg shkatërroi Schalken 5-0, me “Blutë Mbretërorë” që janë thuajse të rënë nga kategoria. Mainz fitoi ndaj Freiburg 1-0, ndërsa Union Berlin mposhti 2-1 me përmbysje Koln.