Ish-kreu i KESH Benet Beci, sot kandidat i PS në qarkun e Shkodrës ka treguar arsyen pse e pranoi ftesën e kryeministrit Edi Rama, për t’u bërë pjesë e listës.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, në News 24, Beci tha se me Ramën e bashkon një dinamizëm dhe dëshira për t’i shkruar gjërave deri në fund, për të patur një performancë.
“Kam 8 vite eksperiencë që punoj me kryeministrin Rama. Janë 8 vite të një marrëdhënie profesionale, tashmë edhe njerëzore. Ka një dinamizëm që na bashkon dhe një gjë të përbashkët për t’i shkuar gjërave deri në fund edhe për të patur një performancë dhe dinamizëm në punë. Kjo mund të them që është pjesa që na bashkon dhe që unë e gjej veten me kryeministrin dhe me partinë e programin që në fakt është dinamik’, – deklaroi Beci.
Teksa foli për marrëdhëniet me ish-kryeministrin Sali Berisha, Presidentin Ilir Meta, dikur bashkëpunëtor në qeverinë e tyre në poste drejtuese, Beci u shpreh se është normale të kesh një staturë profesionale afatgjatë, dhe të kesh një qeveri të cilët i mbajnë profesionistët.
“Do ta shihja si një prurje më bashkëkohore. Shpesh themi ndërrohet një qeveri, vjen një tjetër. Ndërrohen drejtora, në fakt është krejt normale të kesh një staturë profesionale afatgjatë, dhe të kesh një qeveri të cilët i mbajnë profesionistët. Kështu ka ndodhur me mua në fakt në këto vite, është një tregues i mirë i mënyrës se si qeveritë mund të punojnë duke mbajtur stafe profesionale them se kjo nuk është një gjë shumë e panatyrshme, të punosh me shumë qeveri. Në momentin kur je duke punuar janë marrëdhënie profesionale, në të cilat përkushtimi, angazhimi organizim janë elementë që kushdo do të donte t’i kishte në ekip.
Dhe te Fondi Shqiptar i Zhvillimit ekipi ka pas një performancë të jashtëzakonshme. Kushdo që ka punuar me ne, ka qenë i kënaqur dhe ne kemi shfaqur pjesën tonë profesionale në gjithë këto komunikime dhe kemi arritur t’i japim vendit përmes profesionalizmit më të mirën. Është çelësi i suksesit edhe të realizimit të projekteve të mëdha që kemi bashkëpunuar edhe me qeveritë dhe kryeministrat”, tha Beci.