MENU
klinika

Sa është shkalla e infeksionit?

Bilanci tragjik/ Në 4 ditë 80 humbje jetë si pasojë e COVID-19!

05.03.2021 - 08:58

Vetëm përgjatë 4 ditëve të para të këtij muaji kanë humbur betejën me COVID-19 80 persona. Një numër i lartë fatalitetesh është shënuar edhe të enjten, ku, sipas autoriteteve, si pasojë e kësaj sëmundjeje kanë ndërruar jetë 20 persona.

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 20 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 7 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Vlora, 2 qytetarë nga Lushnja, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Përmeti, 1 qytetar nga Rrogozhina, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Korça, 1 qytetar nga Pogradeci, 1 qytetar nga Kurbini, të moshave 63-85 vjeç”, ka bërë me dije ministria.

Ndërkohë, prej fillimit të pandemisë, të dhënat zyrtare tregojnë se janë 1876 persona që kanë ndërruar jetë. Gati 48 për qind prej tyre i takojnë grupmoshës mbi 70 vjeç. Por cila është situata në spitalet COVID? Aktualisht, në Tiranë dhe tri spitalet rajonale po trajtohen 609 pacientë, 43 në terapi intensive, nga të cilët 10 pacientë janë të intubuar. Në të gjithë vendin janë rreth 35 700 të infektuar, por më pak se 2 për qind e tyre janë duke u ndjekur në spital. Eksperienca e vendeve të tjera ka treguar se 4 deri 5 për qind e të infektuarve kanë nevojë për trajtim mjekësor të specializuar. Por, në vendin tonë shifrat e të shtruarve kanë qenë gjithnjë të ulëta, kjo për vetë faktin që një pjesë e pacientëve, edhe pse mund të jenë në kushte të rënduara, zgjedhin të ndiqen në banesë nga mjekët e familjes.

RASTET E REJA

Pavarësisht trajektores që ndjek kurba e infeksionit, e diktuar më së shumti prej numrit të kufizuar të testimeve, shkalla e infeksionit vijon të jetë mbi 25 për qind. Në 24 orët e kaluara janë raportuar 847 persona të prekur nga 3268 tamponë të kryer. “Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 320 raste në Tiranë, 48 në Vlorë, 46 në Shkodër, 36 në Durrës, 35 në Fier, 30 në Kuçovë, 26 në Sarandë, 25 në Kurbin, 24 në Gjirokastër, 23 në Kavajë, nga 19 raste në Mallakastër, Përmet, nga 18 raste në Krujë, Korçë, 17 në Elbasan, nga 13 raste në Kamzë, Kolonjë, nga 10 raste në Lezhë, Bulqizë, nga 8 raste në Berat, Pogradec, Malësi e Madhe, 7 në Kukës, nga 6 raste në Mirditë, Tepelenë, nga 5 raste në Devoll, Lushnje, nga 4 raste në Mat, Gramsh, nga 3 raste në Rrogozhinë, Librazhd, Memaliaj, Cërrik, nga 2 raste në Has, Pukë, Delvinë, Vau i Dejës, Belsh, Dibër, Roskovec, Peqin, Vorë, nga 1 rast në Tropojë, Divjakë, Shijak, Skrapar, Poliçan, Libohovë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 777 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 72,853 që nga fillimi i epidemisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

VAKSINIMI

Sa i takon vaksinimit, të enjten janë kryer 1014 vaksinime anti-Covid. Nga fillimi i vaksinimit janë kryer 16,807 vaksinime, nga të cilat më shumë se 12 mijë janë personel shëndetësor. “Ne po vijojmë në të gjitha qendrat e vaksinimit të përqendruar dhe deri tani janë kryer mbi 15 mijë vaksinime, 12 mijë janë të stafit mjekësor. Çdo ditë bëjmë rreth 1 mijë vaksinime dhe besoj që do të ecim akoma më shpejt me ardhjen e serive të tjera të vaksinave që presim, qoftë nga “Covax”, që besoj se dy javët e para do të ketë ardhjen e serisë së parë, edhe gjithashtu nga “Pfizer”, nga i cili me datë 15 do të vijë dërgesa tjetër prej rreth 8 mijë vaksina, ndërkohë jemi duke kombinuar punën dhe për dozën e dytë që shumë e rëndësishme për efektivitetin e plotë”, tha Manastirliu nga Lezha, ku nisi dje edhe vaksinimi i personave mbi 80 vjeç. Deri më tani janë siguruar rreth 30 mijë doza vaksine nga kompania “Pfizer”, ndërsa brenda 10-ditëshit të parë të këtij muaji pritet të mbërrijë edhe dërgesa me 14 mijë doza vaksine nga kompania “AstraZeneca”. Duke qenë se kjo është një vaksinë që nuk mund të aplikohet te mosha e tretë, atëherë këto vaksina do të përdoren për arsimtarët. “Në varësi të sasisë së disponueshme të vaksinave, në këtë fazë do të vaksinohen edhe punonjës të shërbimeve kritike për shoqërinë, si p.sh., mësues, edukatorë, forcat e rendit etj.”, theksohet në planin kombëtar të vaksinimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN