MENU
klinika

“28 kandidatë për deputetë për verifikim”

Celibashi: Janë bazuar mbi disa indicie, në rastin e Tom Doshit…

26.03.2021 - 21:14

Kryekomisioneri shtetëror, Ilirjan Celibashi thotë se 28 kandidatë për deputetë janë dërguar për verifikim në lidhje me të shkuarën e tyre.

Sipas tij, indiciet janë të ndryshme.

“Deri më sot kemi kërkuar informacion për 28 kandidatë bazuar mbi disa indicie nga vetë formularët e dekriminalizimit apo nga media dhe informacione të tjera. Ka edhe raste të tjera si Tom Doshi ku indiciet i kemi marrë nga informacionet publike”– theksoi ai.

Celibashi foli edhe për mënyrën se si do të bëhet numërimi i fletëve të votimit. “Është një fletë votimi në atë do të shënosh edhe partinë edhe kandidatin që t’i do të zgjedhësh. Në qendrat e votimit bëhet numri i të gjitha fletëve të votimit duke vlerësuar se për cilat parti politike ke votuar, fletët futen të ndara sipas partive. Mbaron hapja dhe numërimi i të gjitha kutive të votimit dhe nxirren përsëri fletët e votimit në raport me zgjedhjen që është bërë për kandidatin”– theksoi ai në emisionin “Java” në RTSH.

I pyetur se kur shqiptarët do të dinin se kush do t’i qeveriste, Celibashi tha se shpresonte brenda 48 orëve. “Do të ishte mirë nëse brenda 48 orëve nga mbyllja e kutive të votimit të kishim rezultatin e partive politike dhe koalicionit. Do të marrë një javë apo më shumë se një javë për votat e kandidatëve për deputetë”, shtoi ai.