MENU
klinika

COVID-19

Certifikata e vaksinimit, BE: Do t’u jepen edhe qytetarëve të Ballkanit Perëndimor

29.03.2021 - 16:08

Bashkimi Evropian po planifikon të nisë me dhënien e certifikatave të vaksinimit kundër koronavirusit nga muaji qershor.

Kjo certifikatë do të vlejë edhe për vendet e treta, përfshirë këtu edhe Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa zëdhënësi i Komisionit Evropian Cristian Wigand tha se udhëtimet jothelbësore të qytetarëve të vendeve të treta, mbeten të ndaluara.

“Ata që mund të udhëtojnë aktualisht, do të mund të marrin edhe një certifikatë digjitale të gjelbër, duke e kërkuar atë nga shteti, në të cilin udhëtojnë. Shtetet anëtare duhet të vlerësojnë provat e vaksinimit dhe ta lëshojnë certifikatën digjitale”, tha zëdhënësi i KE-së, Wigand.

Certifikatat digjitale të BE-së do të përmbajnë informacione në lidhje me vaksinimin, testin negativ PCR ose praninë e antitrupave, raporton REL.

Në Komisionin Evropian u tha se së shpejti, qytetarëve të vendeve të treta do t’u njihen edhe certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga vendet e tyre, por kjo, sipas zyrtarëve evropianë, kërkon harmonizimin e sistemit të lëshimit të këtyre dokumenteve me kërkesat evropiane.

“Me këtë, certifikatat e vendeve të treta do të pranohen në BE njësoj si certifikatat e gjelbra digjitale, të lëshuara nga BE-ja”, tha Wigand.

BE-ja është kritikuar për fushatë të ngadalshme të vaksinimit kundër koronavirusit, por zyrtarët evropianë kanë fajësuar problemet me furnizimin e dozave të vaksinave.