MENU
klinika

Diagnostikimi dhe trajtimi

Ç’duhet të dimë për sëmundjen pulmonare obstruktive kronike?

07.03.2021 - 11:40

Sëmundja  Pulmonare  Obstruktive  Kronike  (SPOK,COPD) është  një  sëmundje (patologji) që prek mushkëritë, sëmundje kjo e cila mund të parandalohet. SPOK-u  karakterizohet nga një ngushtim (obstruksion) i parikthyeshëm  ose pjesërisht i rikthyeshëm i rrugëve  ajrore. Ky obstruksion  zakonisht  është  progresiv  dhe  shoqërohet me një  përgjigje  inflamatore  jo normale kronike  të mushkërive  kundrejt  grimcave  të  pluhurit  dhe/ose  gazeve  si p.sh: dioksodi i karbonit  që gjendet  në ajrin  e ambientit që na rrethon. SPOK-u  është  shkaktari  i tretë  i vdekjeve në  të  gjithë  botën  dhe  i dyti  që akuzohet  për invaliditet të plotë të këtyre pacientëve. Në  2010  janë  raportuar mbi  tre milionë vdekje  në botë nga  kjo  sëmundje. Në  Shqipëri  kjo  patologji  nënvlerësohet, por studimet  tregojnë  që vendi  ynë  ka  një prevalencë  të  lartë  të  SPOK-ut, afërsisht  5-6% të popullatës.

Cilët  janë shkaktarët e kësaj sëmundje?

Duhanpirja  është  shkaku  kryesor dhe  më i zakonshëm që çon në shfaqjen e kësaj sëmundje. Njihen  edhe  faktorë  të tjerë  ndër  të  cilët  mund të përmendim: ndotjen e ambientit, defiçitet e α1-antitripsinës, mosha, dieta ushqimore  dhe mungesa e lëvizjes (imobiliteti).

Cilat janë shenjat  dhe simptomat që shoqërojnë këtë sëmundje?

Simptomat më  të shpeshta të kësaj sëmundje janë kollë kronike  me sekrecione  dhe  vështirësi në frymëmarrje, simptoma këto të cilat janë më të shfaqura  gjatë ecjes (efortit). Kategoria më e prekur  më  tepër janë meshkujt duhanpirës  > 40 vjec , por kohët e fundit po shtohet edhe numri  i  femrave  me SPOK  si rrjedhojë dhe kjo më së shumti si pasojë  e  duhanit.

Si diagnostikohet  kjo  sëmundje?

Për të diagnostikuar këtë sëmundje kryhet ekzaminimi që  quhet  Spirometri  me provën  me  bronkodilatatore. Ҫdo person, mashkull  apo femër, mbi moshën 40 vjeç, duhanpirës, me ose  pa  ankesa, i rekomandohet që të kryejë këtë egzaminim. Nëse pacienti diagnostikohet me SPOK duhet të përcaktohet grada e sëmundjes të cilat janë të stadifikuara në Grada A,B,C,D (Stadi  i I,II,III,IV).

Cilat  janë alternativat  e trajtimit  të  kësaj  sëmundje?

Në varësi  të gradës (Stadit) në të cilën stadifikohet sëmundja përcaktohet edhe plani i mjekimit nga ana e mjekut specialist. Grada e parë nuk kërkon mjekim të vazhdueshëm, por vetëm në rast se pacienti ka ankesa atëherë mjeku mund të rekomandojë ndonjë mjekim, ndërsa për të trajtuar gradat e tjera të sëmundjes kërkohet mjekim më i gjatë.

Mjekimi ka  për qëllim frenimin e sëmundjes. Sëmundja e SPOK-ut shoqërohet me ndërlikime të shumta të tilla si: kardiake ,endokrinologjike, muskulare, deri në invalidizim të plotë të pacientit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN