MENU
klinika

"Rritja e borxhit, pa produktivitet"

Cikli i rrezikshëm i borxhit

06.03.2021 - 12:54

Rritja e borxhit nuk rezulton të ketë pasur produktivitet. Mjetet fiskale kanë shteruar, ndërsa nevojat për financime publike janë ende të mëdha. Ekspertët e ekonomisë vënë në dukje se borxhi publik është keqpërdorur nga qeveritë

Blerina Hoxha

Shqipëria e kaloi pragun ku borxhi publik duhet t’i shërbente rritjes ekonomike dhe tani, në dekadën e katërt të tranzicionit, rritja ekonomike do të vihet në dispozicion të shlyerjes së borxhit. Ngjarjet e pazakonta, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia COVID-19 e çuan borxhin në 77.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2020, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave, nga 66.2% në fund të 2019-s.

Duke shtuar faturën e detyrimeve të prapambetura dhe borxhin e papërllogaritur të financimit të koncesioneve treguesi real shkon në mbi 84% të PBB-së. Në një kohë që hapësira fiskale prej nivelit të lartë të taksave është konsumuar dhe Shqipëria nuk po nxit një model ekonomik të orientuar nga produktiviteti, borxhi do të shndërrohet në një barrë të rëndë për rritjen e ekonomike, kapitalin e punës, investimet dhe kapitalin njerëzor. Të dhënat zyrtare tregojnë se në 10 vitet e fundit, borxhi është rritur me ritme shumë të larta se ekonomia.

Nga 2010 në 2015, ekonomia e vendit është shtuar me 152 miliardë lekë ndërsa borxhi, me 269,7 miliardë lekë. Rritja ekonomike e gjeneruar në këtë periudhë ishte 35% më e ulët se shtesa e borxhit. Rritja është ndikuar nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura me mbi 500 milionë euro që qeveria Rama gjeti pas rrotacionit politik. Mirëpo likuiditeti i ri që u hodh në treg nuk u reflektua në shtysë për ekonominë. E njëjta ecuri është edhe për periudhën 2015-2020. Ekonomia është zgjeruar me 99 miliardë lekë, ndërsa borxhi publik me 158 miliardë lekë. Shtesa e borxhit ishte 77.5% më e lartë se rritja ekonomike.

Në kuptimin e parë, qeveritë e marrin borxhin, për disa shpenzime që nuk mbulohen nga të ardhurat. Ato janë zakonisht investime në infrastrukturë dhe projekte zhvillimore që të mund të prodhojnë rritje ekonomike. Nëpërmjet rritjes dhe produktivitetit që këto projekte krijojnë, ndikojnë në rritjen e përfitimeve për shlyerjen e borxhit. Ideja është se, projektet e financuara me borxh në të ardhmen gjenerojnë të ardhura që ndihmojnë me pakësimin e tij në vazhdim.

Panajot Soko, ekspert i çështjeve makro, i cili më parë ka punuar në Drejtorinë e Programimit Buxhetor në Ministrinë e Financave, thotë se në vendin tonë, problemi më i madh në lidhje me borxhin e lartë publik, është se ai nuk ka gjeneruar rritje ekonomike, por vetëm ka rënduar situatën fiskale, duke u bërë barrë për buxhetin. Një kompani private, për të zgjeruar gamën e aktivitetit të saj ekonomik, dhe rrjedhimisht të ardhurat, mund të përdorë instrumentin e borxhit.

Soko thotë se e njëjta gjë ndodh dhe në rastin e një shteti, i cili për të zgjeruar gamën e aseteve që katalizojnë rritjen ekonomike, procesin e financimit e mbështet te borxhi publik. Ai shprehet se në rastin e një qeverie të përgjegjshme, projektet kryesore për të cilat kualifikohet përdorimi i borxhit, janë ato projekte që pritet të gjenerojnë rritje ekonomike. Projektet e tjera duhen akomoduar brenda kufirit të të hyrave buxhetore jo-borxh.

Ministria e Financave, në një reagim zyrtar tha se, si rrjedhojë e pandemisë COVID-19, e cila pasoi tërmetin e fortë që goditi Shqipërinë në nëntor të vitit 2019, vendi ka pësuar një tkurrje të madhe ekonomike nga njëra anë dhe zgjerim të deficitit dhe huamarrjes, nga ana tjetër, duke përmbysur trendin në rënie të borxhit në vitet e fundit dhe duke rritur borxhin publik për vitin 2020.

“Duke filluar që prej vitit aktual 2021 e në periudhën afatmesme në vijim, niveli i borxhit në raport me PBB-në është targetuar t’i kthehet sërish një trajektore rënëse, duke qenë në linjë me objektivat makrofiskalë dhe në përputhje me rregullat fiskale në Ligjin Organik të Buxhetit. Siç edhe është paraqitur në VKM e Kuadrit Makro-Fiskal të miratuar së fundmi në janar 2021, borxhi publik parashikohet të ulet gradualisht në rreth 73.8% në vitin 2024” – sqaroi Ministria e Financave.

Burimi: Ministria e Financave, Përllogaritje të “Monitor”

Borxh pa eficencë

Teoritë ekonomike e lidhin ngushtësisht ndikimin që borxhi publik ka në rritjen ekonomike. Sipas kritereve, vendet e BE-së vendosën në Traktatin e Mastrihtit në vitin 1992 si kufi maksimal 60% të PBB për borxhin publik të qeverive dhe 3% për deficitin buxhetor. Këto kritere janë të vlefshme për vendet e BE-së me një nivel më të lartë të zhvillimit, teksa ky kufi në vende si Shqipëria duhet të jetë më i ulët në mënyrë që borxhi publik t’i shërbejë rritjes ekonomike. Në Shqipëri, historia e borxhit publik nuk e justifikon qëllimin kryesor të huamarrjes publike.

1990-2000, borxhi jo efektiv prej krizave të 1990 dhe 1997

Në dekadën e parë të tranzicionit, borxhi u rrit shumë më shpejt se ekonomia për shkak të krizës që u krijua në fillim të vitit 1990 nga kalimi i ekonomisë me model të centralizuar në ekonominë e tregut. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 1996-2000, ekonomia u zgjerua 176 miliardë lekë, ndërsa borxhi me 203 miliardë lekë. Në këtë periudhë, borxhi u rrit me 15% më shumë se rritja ekonomike.

Dekada e parë e tranzicionit u karakterizua nga disa ngjarje ekstreme si vitet e para të tranzicionit, ku deficiti buxhetor arriti mbi 30%, ndërsa ngjarjet e vitit 2997 me falimentin e skemave financiare çuan në humbje të larta në ekonomi. Pas stabilizimit që solli qeveria e stabilitetit në vitin 1997 dhe asistencës nga institucionet financiare ndërkombëtare, FMN dhe BB, treguesit makroekonomikë të vendit nisën të stabilizohen. Masat fiskale që u morën në atë kohë, rritja e TVSH nga rreth 12% në 20% e përmirësuan bilancin fiskal, duke ulur deficitin buxhetor. Borxhi publik në këtë periudhë u përdor më së shumti për të financuar shpenzimet koherente të qeverisë dhe jo për investime.

2000-2010, borxhi gjen ekuilibrin

Përfundimi i viteve 1990 dhe fillimi i dekadës së dytë të tranzicionit 2000-2010 përkon me një seri ngjarjesh që sollën stabilitet makroekonomik. Zhvillimi i vrullshëm i sektorit privat dhe hyrja në treg e investitorëve të huaj, nëpërmjet privatizimeve të telekomunikacioneve dhe bankave, ndikoi pozitivisht në dy drejtime borxhin publik.

Gjysma e të ardhurave prej 181 milionë dollarësh të fituara nga privatizimi i Bankës së Kursimeve dhe Albania Mobile Communication shkuan për shlyerjen e borxhit. Ndërkohë menaxhimi i këtyre aseteve nga privatët nxiti rritjen e ekonomike, duke rritur punësimin me vlerë të shtuar. Në këtë periudhë lulëzoi edhe sistemi bankar dhe kreditimi që financuan një pjesë të madhe të konsumit dhe investime. Në këto kushte, ekonomia u zgjerua me ritme më të larta se borxhi. Të dhënat zyrtare tregojnë, se në vitin 2000-2010, borxhi u zgjerua me 220,7 miliardë lekë, ndërsa ekonomia, me 340,3 miliardë lekë.

Rritja e ekonomike në miliard lekë ishte 44% më e lartë se shtesa e borxhit. Gjatë kësaj periudhe, borxhi përdor për investime në Rrugën e Kombit dhe në rrugën e re të Elbasanit. Këto dy projekte, më të mëdhatë në infrastrukturën e vendit, edhe pse nuk kishin fizibilitet të lartë në trafik, e ndikuan pozitivisht ekonominë, duke rritur flukset e turizmit nga rajoni drejt plazheve shqiptare.

 

2010-2020, kthesa e rrezikshme e borxhit

Me krizën globale në vitin 2008, e cila dha ndikimin e vet në vendin tonë, stabiliteti makroekonomik nisi të dobësohej dhe pësoi goditje në mandatin e fundit të qeverisës në vitin 2013. Përpos krizës financiare ndërkombëtare, historia e krijimit të borxhit tregoi se vitet zgjedhore kanë impakt negativ.

Qeveritë tregohen shumë optimiste me planifikimin, ndërsa realizimet faktike janë dobët. Shpenzimet dhe kontratat nënshkruhen, duke marrë për bazë planin dhe kur të ardhurat për financimin e tyre mungojnë, krijohen detyrimet e prapambetura. Në vitin 2014, kreditë e këqija arritën në 22.8% e stokut ndërsa qeveria Rama, e cila sapo kishte ardhur në pushtet, gjeti një borxh të padeklaruar nga qeveria e mëparshme me një vlerë prej 72 miliardë lekësh.

Vlera u gjet nga një proces auditi i pavarur, të cilin e udhëhoqi Deloitte & Touche. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura bashkë me borxhin i ri për financimin e deficitit buxhetor çuan në një rritje të menjëhershme të treguesit të borxhit në mbi 72% në vitin 2015.

Hyrja në një cikël ku borxhet e reja po shkonin për shlyerjen e borxheve të vjetra dhe menaxhimi jo i mirë i shpenzimeve publike e çuan spiralen e borxhit drejt një rritje të shpejtë. Në dekadën e fundit, borxhi është rritur më shpejt se ekonomia. Dy fatkeqësitë natyrore, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia COVID-19 rritën në një vit borxhin me rreth 13 pikë përqindjeje, duke e çuar treguesin në 77.8% (pritshmëria) nga fund të vitit 2020.

Nga 2010-2020, ekonomia u zgjerua me 251 miliardë lekë dhe borxhi me 428 miliardë lekë. Shtesa e borxhit ishte 127% më e lartë se shtesa e ekonomike. Edhe pas shlyerjes së borxheve të fshehura, rritja e detyrimeve pas vitit 2015 ishte sërish më e lartë se sa rritja ekonomike.

Stimujt fiskalë shterojnë

Në dekadën e fundit, qeveria i ka shteruar stimujt fiskalë nëpërmjet të cilëve do të mund të gjeneronte të ardhura shtesë për të shlyer detyrimet. Presioni që ka krijuar kriza e pandemisë në rritjen ekonomike dhe mungesa e hapësirës për të rritur taksat nuk i lë shumë mundësi qeverisë për të manovruar. Tani borxhi i lartë, mund të kontrollohet nëpërmjet dy mjeteve. I pari, ulja e shpenzimeve publike që nënkupton frenimin e shpenzimeve kapitale dhe i dyti, formalizimi i ekonomisë.

Shqipëria grumbullon vetëm 27% PBB të ardhurave buxhetore, ose gati 15 pikë përqindjeje më pak se mesatarja rajonale. Sipas Eurostat, më 2019, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja i kishin të ardhurat në raport me PBB-në, përkatësisht 42.1%, 43.3%, 43.3% të tyre. Rezultatet fiskale në këto tre vende të Ballkanit ishin më të larta se mesatarja e BE-së, ndryshe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të cilat grumbullojnë të ardhura 13-15% më pak se fqinjët në rajon dhe vendet e BE-së.

Kjo hapësirë që mund të gjenerojë më shumë se 1 miliard euro, nuk mund të shfrytëzohet menjëherë. Taksat, nga ana tjetër, nuk mund të rriten më tej. Sipas të dhënave të raportit “Doing Business 2020”, të publikuara nga Banka Botërore, sipërmarrjet e Shqipërisë dhe Serbisë paguajnë nga 36.6% të fitimeve si taksa totale dhe kontribute. Barrën më të ulët e ka Maqedonia me 13%, e ndjekur nga Mali i Zi me 22.2% dhe Bosnja me 23.7%. Nga ana tjetër, tkurrja e mëtejshme e shpenzimeve publike në një vend si Shqipëria ku shpenzimet për paga, pensione dhe investime janë më të ulëtat në rajon, do të kishte ndikim negativ të dyfishtë.

Për shkak të këtyre kufizimeve, borxhi i vendit po hyn në një cikël të rrezikshëm, ku rritja ekonomike do të duhet të vihet në dispozicion të shlyerjes së borxhit. Studimet ndërkombëtare kanë verifikuar se, borxhet në nivele më të mëdha se sa 80% kanë ndikim negativ. Autorët Jernej Mencinger, Aleksander Aristovnik dhe Miroslav Verbic matën efektin e drejtpërdrejtë të borxhit më të lartë në rritjen ekonomike për 25 vendet e BE-së nga 1980 në 2010.

Rezultatet, në të gjitha modelet, treguan ndikim statistikisht të rëndësishëm të raporteve të borxhit publik ndaj PBB-së në normën vjetore të rritjes. Autorët gjithashtu llogarisin se pika e kthimit të borxhit ndaj PBB-së, ku efekti pozitiv i borxhit publik të akumuluar kthehet në një efekt negativ, është midis afërsisht 80% dhe 94% për vendet e vjetra anëtare. Për shtetet e BE-së jo anëtare dhe ato që janë anëtarësuar së fundmi, pika e kthesës rezulton të jetë shumë më e ulët, 53-54%.

Skenari i qeverisë

Referuar parashikimeve në skenarin bazë, sipas të cilave: a) normat e interesit në periudhën afatmesme do të qëndrojnë në nivele të krahasueshme me normat aktuale; dhe b) stoku i borxhit në terma bruto do të shoqërohet me rritje në përputhje me nevojat fiskale, rezulton se kostot e borxhit shtetëror, në vlerë absolute, mund të shkojnë deri në rreth 50 miliardë lekë në fund të vitit 2023.

Kostot e borxhit në terma relativë ndaj PBB-së dhe ndaj të ardhurave në buxhet pritet të rriten, si pasojë e pandemisë COVID-19 e kombinuar me tërmetin e fortë që goditi Shqipërinë në nëntor të vitit 2019, duke sjellë rritje të borxhit publik në 77.8% të PBB-së në vitin 2020. Pavarësisht vlerave në terma absolutë, kostot e borxhit në terma relativë ndaj PBB dhe ndaj të ardhurave në buxhet priten të jenë të qëndrueshme, duke mbajtur nën kontroll riskun fiskal dhe duke siguruar tërësisht aftësinë paguese të qeverisë.

Parashikimet në lidhje me nivelin dhe kostot e borxhit në skenarin bazë mund të jenë objekt ndryshimi, në rast se supozimet makrofiskale dhe ato të treguesve të tregut do të ndryshojnë. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto parashikohet të ulet gradualisht nga kulmi i rreth 77.8% në vitin 2020 në rreth 75.6% në vitin 2023. Nënçmimi i mundshëm i monedhës vendase përtej pritshmërive, kundrejt monedhës Euro ose monedhave të tjera që përbëjnë portofolin e borxhit të huaj, do të kishte ndikim mbi trajektoren e nivelit të borxhit, duke ngadalësuar ritmet e uljes së planifikuar. Përveç sa më sipër, nënçmimi i monedhës vendase do të kishte ndikim edhe mbi koston e borxhit.

Më konkretisht, bazuar në të dhënat historike të kursit të këmbimit, një nënçmim i kursit të këmbimit të monedhës vendase me 9% ndaj të gjitha monedhave që përbëjnë portofolin e borxhit të jashtëm, duke filluar nga viti 2021, do ta rriste nivelin e borxhit në raport me PBB maksimalisht me 3.3 pp dhe në të njëjtën kohë, kostot e borxhit mesatarisht me rreth 1 miliard lekë në vit. Në rastin e nënçmimit të monedhës vendase me 15% ndaj të gjitha monedhave që përbëjnë portofolin e borxhit të jashtëm, efektet mbi nivelin e borxhit të qeverisjes qendrore në raport me PBB dhe koston e tij do të ishin më të moderuara, përkatësisht me rritje deri në 4.3 pp dhe rreth 1.9 miliardë lekë në vit.

Detyrimet e fshehura dhe zgjedhjet, rreziqet e fshehta

Edhe pa pandeminë COVID-19, Shqipëria e kishte të brishtë stabilitetin fiskal. Në vitet normale, qeveritë tona historikisht kanë grumbulluar më pak të ardhura se vendet e tjera të rajonit me të njëjtat kushte zhvillimi, edhe pse kemi taksat më të larta. Si rrjedhojë ka ofruar më pak stimuj për rritjen e pagave, pensioneve, investime dhe të mira të tjera publike. Dobësitë në grumbullimin e të ardhurave, të shoqëruara me papërgjegjshmëri në krahun e shpenzimeve publike, një pjesë e të cilave është kanalizuar në kontrata koncesionare pa fizibilitet, kanë prodhuar borxh të lartë.

Në vitin 2019, Shqipëria kishte raportin e borxhit me Prodhimin e Brendshëm bruto (PBB) më të lartin pas Malit të Zi, por tërmeti dhe pandemia e kanë përshpejtuar përkeqësimin. Treguesit makroekonomikë dhe ata buxhetorë të vitit 2020-2021 tregojnë se, niveli ekonomik i vitit 2019 nuk do të arrihet para vitit 2022. Borxhi publik në raport me PBB këtë vit përllogaritet në 80% e PBB-së, teksa projektbuxheti i vitit 2021, në vend që të kanalizojë ato pak burime të ardhurash në shpenzime me produktivitet, është i detyruar të kryejë pagesa për kontrata koncesionare dhe faturat e larta të borxhit.

Veç të tjerash, stabiliteti fiskal i vendit është nën kërcënimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe parashikimeve tejet optimiste të qeverisë për të ardhurat. Duke parë praktikat e kaluara, tensionet politike, që prodhojnë zgjedhjet, ndikojnë negativisht arkëtimet. Ekonomia e vendit pritet të shtohet me 110 miliardë lekë këtë vit, ndërsa të ardhurat të rriten me 37 miliardë lekë. Shtesa e re e të ardhurave është sa 34% e shtesës së ekonomisë.

Të ardhurat parashikohen në një nivel rekord prej 28.4% e PBB-së. Mirëpo Shqipëria nuk ka arritur në asnjë rast të vetëm të grumbullojë më shumë se 28% të PBB të ardhura. Parashikimet optimiste bëhen shkak për të gjeneruar detyrime të prapambetura.

Pasi në çdo fillimviti, entet publike lidhin kontrata në bazë të parashikimeve buxhetore, por më pas, për shkak të mosrealizimit të tyre, ato zhyten në borxhe. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur se fatura e borxheve të fshehura, ku përfshihen detyrimet e qeverisë ndaj gjykatave ndërkombëtare dhe operatorëve privatë, ishin afërisht 60 miliardë në vitin 2019. Me përkeqësimin e ekonomisë prej krizës Codiv-19, me gjasë këto detyrime në vend që të ulen, do të zgjerohen më tej.

Shërbimi i borxhit, fatura 50 miliardë lekë në vit deri më 2023

Ministria e Financave parashikon që shërbimi i borxhit, pagesa e principalit dhe interesave në një vit fiskal të arrijnë 50 miliardë lekë, ose 406 mln euro në një vit. Kjo shifër është formuluar duke marrë në konsideratë skenarin bazë, sipas të cilit normat e interesit gjatë periudhës afatmesme do të qëndrojnë në nivele të krahasueshme me normat aktuale dhe stoku i borxhit në terma bruto do të shoqërohet me rritje në përputhje me nevojat fiskale.

Ministria e Financave pohon se kostot e borxhit, në terma relativë ndaj PBB dhe ndaj të ardhurave në buxhet, priten të jenë të qëndrueshme, duke mbajtur nën kontroll riskun fiskal dhe duke siguruar tërësisht aftësinë paguese të qeverisë. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto parashikohet të bjerë gradualisht nga kulmi i rreth 77.8% në vitin 2020 në rreth 75.6% në vitin 2023.

Financimi i brendshëm, në terma bruto, do të plotësojë rreth 80% të nevojave për huamarrje. Nëpërmjet këtij financimi do të mundësohet rifinancimi i titujve ekzistues që maturohen dhe mbulimi i pjesshëm i deficitit buxhetor, duke qenë në përputhje me kapacitetet e tregut. I gjithë financimi i brendshëm planifikohet të realizohet nëpërmjet burimeve private, ku si instrumente huaje do të përdoren titujt shtetërorë.

Mesatarisht, rreth 60% e huamarrjes së brendshme planifikohet të realizohet nëpërmjet titujve afatshkurtër dhe do të shërbejë kryesisht për të rifinancuar maturimin e titujve ekzistues, për të menaxhuar likuiditetin afatshkurtër dhe për të përmirësuar strukturën vjetore të maturimeve. Pjesa e mbetur e huamarrjes së brendshme (mesatarisht rreth 40%) do të sigurohet nëpërmjet titujve afatgjatë, karakteristikat e të cilëve do të vlerësohen vit pas viti, në varësi të realizimit të objektivave strategjikë, kushteve të tregut dhe preferencave të kërkesës.

Financimi i huaj, në terma bruto, do të plotësojë deri në 20% të nevojave për huamarrje. Nëpërmjet këtij financimi do të synohet të plotësohet pjesa e mbetur e deficitit buxhetor, të plotësohen kërkesat në rritje për financim në kuadër të rimëkëmbjes së vendit nga dy fatkeqësitë natyrore: tërmeti i nëntorit 2019 dhe përhapja e pandemisë COVID-19, si dhe të mundësohet menaxhimi i detyrimeve të borxhit në valutë. Burimet kryesore të financimit të huaj planifikohen të jenë burimet me natyrë shumëpalëshe, dypalëshe dhe private.

 

Burimi: Ministria e Financave, Përllogaritje të “Monitor”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN