MENU
klinika

Lizi... një zemër rebele!

Diva mes publikut e privatësisë

23.03.2021 - 11:39

        Mbase ishte diva e fundit e madhe e epokës së studiove, që krijoi reputacionin para se bota e kinemasë të kalonte ndryshimin rrënjësor. Mbretëreshë e ekranit dhe faqeve të revistave, e gatshme për të bërë lajm për filmin e fundit, burrin e fundit ose divorcin e fundit, ajo ishte një nga figurat e para, që e ruajti famën sipas mënyrës së zakonshme që bëhet në ditët e sotme, pa barriera mes publikut dhe privatësisë. Ishte filantropiste, çka i kushtoi para dhe energji pafund çështjes së luftës kundër AIDS-it, por edhe një grua biznesi, duke e shtuar pasurinë falë parfumeve dhe xhevahireve, njëherazi simbole të jetës luksoze që ajo bënte. Janë të shumta rolet e luajtura nga Elizabet Tejlor, e cila vdiq dhjetë vjet më parë./Konica.al

Bukuria, hijeshia legjendare e syve me hijezim ngjyrë vjollce, nuk e shteroi pasurinë e detajeve me të cilat modeloi personazhet që luante. Gruaja e ndjeshme e patriarkut në “Gjiganti”; bashkëshortja e palumtur në “Macja në çatinë e nxehtë”; vajza që ruante sekrete të patregueshme në “Papritmas verën e kaluar”… Ose vajza e thirrjes së përkohshme në kërkim të respektit dhe dashurisë te “Venusi në vizion”, rol të cilin e urrente, por që asaj i solli “Oskarin” e parë, si aktoren më të mirë. Të dytin e fitoi me një tjetër portret intensiv të një figure femërore, atë të të alkoolizuarës në krizë të “Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf”.

Ylli i Elizabet Tejlor shndriti fort përgjatë viteve 1950 dhe 1960. E lindur nga prindër amerikanë në Angli, më 27 shkurt 1932, ajo u kthye së bashku me familjen në Shtetet e Bashkuara në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Me babanë, një tregtar të pasur arti dhe nënën ish-aktore, nuk i  munguan kontaktet me njerëzit e rëndësishëm, madje edhe në Hollivud. Karriera e Lizit të vogël filloi si e shumë aktoreve fëmijë, së pari me kontratë me “Universal”, të cilët, megjithatë, nuk ia dalluan si duhet potencialin dhe, më pas, me “MGM”. Brenda një hapësire të shkurtër kohore, teksa nga vogëlushe u shndërrua në grua sensuale, ajo filloi të luante komedi të jashtëzakonshme, me kaseta (si “Babai i nuses” në 1950 ose “Papa bëhet gjysh” në 1951, të dy nga Vincente Minnelli) dhe mandej role në filma dramatikë, si “Një vend në diell”, duke i hapur dyert drejt një karrierë që do ta çonte të luante krahas protagonistëve të mëdhenj, nga Xhejms Din te Montgomery Clift, nga Marlon Brando te Henri Fonda.

Gjithsesi, Elizabet Tejlor qysh në fillim fitoi një vend të veçantë në ekran edhe jashtë ekranit. U martua për herë të parë në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, me Conrad Hilton Jr., trashëgimtari i dinastisë së famshme të hoteleve, martesë që zgjati më pak se një vit dhe ishte e para, nga tetë martesat. Pas martesës dhe divorcit vijues me aktorin anglez Michael Wilding (Chris dhe Michael Jr. janë fëmijët nga ky bashkim), ajo do të martohet me të parin nga dy dashuritë e saj të mëdha, producentin Mike Todd, me të cilin do të ketë një vajzë, Elizabeth Frances. Mirëpo, në 1958, disa muaj pas martesës, historia e tyre përfundon në tragjedi, me vdekjen e Todd në një aksident ajror.  Dashuria tjetër e madhe për Elizabet Tejlor ishte Richard Burton. Me aktorin uellsian, ajo jetoi një histori pasionante dhe të stuhishme që u bë legjendë. Të dy ishin të martuar, kur u takuan në setin e “Kleopatrës” (1963) edhe pse tashmë gëzonte reputacionin si prishëse familjesh. E shkatërruar nga vdekja e Mike Todd, ajo ishte ngushëlluar nga aktori dhe këngëtari Eddie Fisher, një mik i çiftit. Edhe Burton ishte i martuar dhe baba, kur u takua me Liz Tejlor, por pasioni që lindi në Itali, nën hijen e filmit monumental të Joseph Mankiewicz – në atë kohë, filmi më i shtrenjtë në histori dhe jo vetëm për kontratën e tepruar prej një milion dollarësh marrë nga Tejlor – ishte i rrëmujshëm dhe i pandalshëm. Ata u martuan për herë të parë, në vitin 1964. Historia midis Liz&Dickey, siç i pagëzoi shtypi, shkaktoi një skandal të atillë, saqë u stigmatizua nga Vatikani. Mirëpo, tamam si një telenovelë, ajo emocionoi miliona lexues revistash dhe shikuesish, midis debateve të furishme, lumenjve të alkoolit (një problem që me kalimin e viteve, do ta çonte aktoren në rehabilitim disa herë) dhe ekspozimit të një stili jetese super të pasur dhe të famshëm. Ata do të birësojnë një vajzë, Maria. Pavarësisht nga jeta e stuhishme e dashurisë, do të qëndrojnë së bashku për më shumë se dhjetë vjet, për t’u divorcuar në vitin 1974. Do të martohen përsëri vitin e ardhshëm dhe do të divorcohen për herë të fundit, në vitin 1976./Konica.al

Epoka Burton ishte ndoshta një nga ekspozimet më të mëdha mediatike për Liz Tejlor, edhe pse nuk reshti së foluri edhe më pas. Në 1976, ajo u martua me senatorin John Warner, me të cilin qëndroi gjashtë vjet larg skenës, për të mbështetur karrierën e tij politike. Gjatë asaj dekade, popullariteti kinematografik filloi të zbehej, madje në vitet 1980, rolet për ekranin e madh vazhduan të pakësoheshin. Midis “Vrasje në pasqyrë”, nga një mister i Agata Kristit dhe kameos në komedinë “Flintstonët” marrë nga seri të njohura vizatimore, ka vetëm pjesëmarrjen në “Toskanini i ri” në 1988, bashkëpunimin e dytë me Franko Zefirelin.

Përveç paraqitjeve televizive në seri, si “Spitali i përgjithshëm”,Lugina e pishave” ose “Veriu dhe jugu”, nga vitet 1980 Elizabet Tajlor e përdori kohën dhe energjinë diku tjetër. Së pari, ishte angazhimi për kauzën e luftës kundër AIDS-it, një sëmundje që i mori mikun e dashur Rock Hudson. Me fondacionin që krijoi, ajo shopenzoi para dhe veprime konkrete si për kërkimet dhe të sëmurët. Për këtë angazhim, Akademia i dha çmimin humanitar “Jean Hersholt” në 1992. Në periudhën e distancës relative nga skenat, pati hapësirën e duhur ​​për t’u kudjesur edhe për biznesin e parfumit me emrin e saj të krijuara me kompaninë Elizabeth Arden, një sukses i jashtëzakonshëm tregtar, madje edhe më e suksesshme se karriera kinematografike. Më pas, pasioni për bizhuteritë e çoi në krijimin e një marke të sajën. Ndërkohë, kishte ardhur koha për martesën e fundit, atë me punëtorin Larry Fortensky, të cilin e takoi gjatë një periudhe detoksifikimi në klinikë. Ata do të martohen në 1991, në Neverland, fermën e Majkëll Xhekson, një mik i madh i Tejlor, për t’u divorcuar në vitin 1996.

Protagoniste në ekran dhe jetën private, gjatë gjithë jetës Elizabet Tejlor luftoi me probleme shëndetësore, që e kanë shoqëruar nga debutimi në botën e kinemasë, duke përfshirë dëmtime në shpinë, pneumoni, operacione, përfshi edhe atë të heqjes së një tumori beninj. Në fund, ishte zemra, që po e mundonte prej kohësh, që e largoi nga jeta në moshën 79-vjeçare – pikërisht ajo zemër, diktatin e së cilës e kishte ndjekur gjithmonë dhe që bëri miliona njerëz ta adhuronin./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit