MENU
klinika

Kërkesa e FSHF

Duka: Duam 6500 tifozë në “Air Albania” ndaj Anglisë

11.03.2021 - 14:10

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mbështeti kërkesën për prani tifozësh në stadium në ndeshjet e Kombëtares. Kreu i FSHF tha se rikthimi i tifozëve do të ishte shenjë e jetës normale.

“Të paktën stadiumi Air Albania të ketë prani tifozësh. Impianti më modern në Shqipëri ndoshta është i vetmi që i plotëson kushtet e aplikimit të rregulloreve anticovid” – tha Duka, që mbështeti kërkesën që organizmi i drejtuar prej tij i bëri një ditë më parë autoriteteve shëndetësore dhe Qeverisë.

Për kualifikueset e Botërorit më 28 mars në “Air Albania Stadium” do të vijë kombëtarja e Anglisë. Është një ndeshje luksi për kuqezinjtë ndërsa për federatën një mundësi për të rikthyer një pjesë të tifozëve edhe një herë në jetën normale të para pandemisë.

FSHF kërkoi një ditë më parë mundësinë e lejimit të pjesëmarrjes së tifozëve në 30% e kapacitetit të stadiumit, ose rreth 6500 shikues. Duka dha mbështetjen e tij për këtë kërkesë pas një takimi me presidentin e Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, i cili vizitoi Shqipërinë ditën e sotme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN