Nga Andi Bushati
Nënshkrimi i koalicionit në mes të dy partive më të mëdha opozitare është më shumë një dëshmi e pamundësisë të asaj që PD dhe LSI nuk bënë dot, sesa një provë e aftësisë së tyre për të luftuar krah përkrah. Ndonëse në tingujt pompozë të himnit të flamurit, megjithëse inskenuan një firmosje të denjë për kryetarë shtetesh, Basha dhe Kryemadhi u zotuan në një dokument që nuk ka asnjë vlerë juridike.
Me kandidatë të veçantë, me programe të ndryshme (si psh mënyrat e taksimit ), me qasje të kundërta për çështje të mprehta të aktualitetit (si psh qëndrimi ndaj oligarkëve të veçantë), ashtu edhe për ndasi ndaj gjykimit të historisë (si qëndrimi për luftën nacional çlirimtare), LSI dhe PD do hidhen në fushëbetejë të ndara. Pra termi koalicion për 25 prillin është po aq pa kuptim e bosh sa edhe bashkimi artificial i tre fjalëve që e pagëzuan atë: “Shqipëria, shtëpia që fiton”.
Shfaqja e këtij 1 marsi është demostrimi i qartë se dy forcat më të mëdha të opozitës e kishin të domosdoshme të justifikoheshin përballë popullit opozitar, që është shumë më i madh e i gjërë sesa qerthulli i militantëve të tyre. Para pyetjeve që qëndronin pezull, se përse ato nuk arritën të krijonin një front të përbashkët, se pse nuk zhvilluan një konsultim të gjërë publik edhe me personalitete të opozitës jo zyrtare, se përse vendimi për mënyrën se si do të bëhej përballja me Edi Ramën u kyç në zyrat hermetike të vendimarrjes burokratike, PD dhe LSI po mundohen të na hedhin hi syve duke thënë: “Po ja ne në koalicion jemi”.
E vërteta është se interesat e vogla partiake, numri i mandateve që mund të fitojnë për veten e tyre, paaftësia për të menaxhuar zilitë dhe inatet për vende në lista rezultuan më të rëndësishme sesa krijimi i një fronti unik ndaj atij regjimi, për betejën me të cilin bojkotuan parlamentin dhe nuk morën pjesë në zgjedhje lokale. Pikërisht këtë të vërtetë të trishtë duket se kërkonte të fshihte “koalicioni” i sotëm.
Dhe këtu nuk pi aspak ujë justifikimi se kjo u bë për të maksimalizuar votën e lësëistëve të majtë dhe pdistëve të djathtë. Nëse ky do të kish qenë qëllimi i vërtetë i daljes veç e veç në zgjedhje, as njëra parti dhe as tjetra nuk do të kishin pasur nevojë për show si ky.
E megjithatë, nëse është e detyrueshme që në mes çdo të keqeje të qëmtohet diçka e mirë, ajo mund të gjendet edhe tek marrëveshja e sotme. Pavarësisht se PD dhe LSI u treguan të pazonjat të farkëtonin një bllok të vetëm kundër Ramës, me këtë nënshkrimin ato dhanë një garanci se, pas 25 prillit, nuk janë të gatshme të bashkëqeverisin me të. Pra, në këtë këndvështrim, ndonëse nuk u treguan të gatshme deri në vetëflijim për tu përballur me regjimin, ato së paku u zotuan se nuk do të shërbejnë nesër si paterica të tij.