MENU
klinika

Ultimatum nga Brukseli për pastërtinë e kandidatëve?

Edi Rama: Ndërhyrja ishte turpëruese! Si një derë që kërcet…

02.03.2021 - 13:18

Në konferencën për media të mbajtur sot, kryeministri Edi Rama foli lidhur me deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së për pastërtinë e listave të kandidatëve për deputetë.

Kreu i qeverisë tha se nuk ka pasur absolutisht ultimatume, por vetëm një ndërhyrje të gazetares shqiptare, e cila sipas tij nuk veproi në mënyrë të dobishme sikundër reporterja e Maqedonisë së Veriut.

“Tani, vetëm faktet nuk janë opinione edhe koncepti i fakteve alternative është një koncept që ka hyrë së fundmi në shoqërinë njerëzore, si rezultat i lajmeve të rreme. Në Bruksel nuk kam dëgjuar asnjë ultimatum, përkundrazi kam dëgjuar vlerësime absolutisht pozitive për Shqipërinë, sic i dëgjuan ata shqiptarë që nuk jetojnë në botën e fakteve alternative. Ajo është një referencë e stërdiskutuar, e stërkomentuar për një kohë të gjatë.

Unë nuk kam dëgjuar asnjë ultimatum, dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që koha tregoi se unë kisha të drejtë për reformën zgjedhore dhe që reforma zgjedhore ka marrë vlerësime maksimale bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias.

Kështu që nëse ka pasur në Bruksel diçka që ka kërcituar njësoj sic kërcet një derë e vjetër në sfond kur luhet një koncert në sallë, ka qenë ndërhyrja e koleges tuaj. Një ndërhyrje e pavend dhe absolutisht e padobishme, për të mos thënë turpëruese për kategorinë e gazetarëve, për të gjithë ju dhe të gjithë ne, bazuar në fakte alternative dhe në një kontrast turpërues me kolegen tjetër tuajën nga Maqedonia e Veriut, që në atë vend foli për vendin e vet. Nuk i ra vendit të vet me baltë, të prodhuar në fabrikat e fakteve paralele të botës alternative”, tha Rama.

Deklarata e Joseph Borrell

Gjatë konferencës për media, ministri i Jashtëm i BE Joseph Borrell theksoi nevojën që partitë politike në Shqipëri të sigurojnë lista kandidatësh me integritet.

“Lidhur me zgjedhjet që do ketë në Shqipëri, ne theksojmë nevojën që të gjithë të bëjnë të pamundurën që të sigurojnë që listat e kandidatëve të kenë njerëz me integritet, kyçe që tregon se vendi do ta luftojë korrupsionin, e lufta ndaj korrupsionit eshtë kyçe për BE”, tha Borrell.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zbardhet takimi i kryeministrit me zyrtarët e BE në Bruksel

Shqipëria merr notë pozitive për integrimin, Rama kërkon vaksinën!