MENU
klinika

Denaj: Lehtëson barrën financiare dhe...

Efektet e ndryshimit të kontratës me S2 Albania në ekonomi

01.03.2021 - 13:33

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti në Kuvend projektligjin për një ndryshim në kontratën koncesionare të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, të lidhur midis Ministrisë së Financave dhe shoqërisë koncesionare “S2 Albania” sh.p.k.

Gjatë prezantimit, ministrja Denaj u shpreh se, nevoja për këtë ndryshim kontrate ka ardhur si pasojë e dy domosdoshmërive, lehtësimin e barrës financiare dhe buxhetore në buxhetin e vitit 2020 dhe për lehtësimin në nivel afatshkurtër të buxhetit të vitit 2021 e përtej nga situata e krijuar nga pandemia Covid-19.

Sipas saj, negociatat e gjata të bëra me këtë kompani, bëri të mundur, lejimin e shtyrjes me 100% të pagesës së çdo kësti mujor të Tarifës së Shërbimit të secilës Pikë Operimi për muajt shtator, tetor, nëntor nga tarifa vjetore e shërbimeve të pikës së operimit për vitin 2020, si dhe shtyrjen e shlyerjes së detyrimit të mbetur nga kësti i muajit gusht për Tarifën e Shërbimit të një pike Operimi. Kёto pagesa do tё shlyhen përgjatë vitit 2022.

Ministrja Denaj prezantoi para deputetëve një përmbledhje të një sërë shkurtimesh dhe rialokimesh që Qeveria bëri vitin e kaluar të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, në zërin e partneriteteve publik-privat.

“Në vitin 2020, kemi reduktuar me 4 miliardë pagesat për kontratat e partneritetit publik dhe privat, ku midis tyre u përgjysmua edhe pagesa koncesionare e vitit 2020 për shoqërinë koncesionare “S2 Albania” sh.p.k, në masën 400 mln lekë”, u shpreh Denaj.

Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj
—-
Për ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit “Për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me ligjin nr. 123/2013, i ndryshuar.
_________
Të nderuar,
Përgjatë viti 2020 kemi realizuar disa akte normative. Dua të rikujtoj këtu aktin e parë normativ dhe të dytin i cili erdhi si një domosdoshmëri i jo vetëm për të parë disa tregues apo ato që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me të ardhurat por edhe me shpenzimet.
Në veçanti me këtë të dytin, kemi alokuar fonde për të ndihmuar pjesën e emergjencës, alokimin për paketën parë dhe të dytë dhe një pjesë e rëndësishme është parë dhe analizuar në raport me koncesionet.
Kemi shkurtuar në vitin e kaluar një shumë totale gati 4 miliardë lekë për t’i ardhur në ndihmë rialokimeve të mundshme për të orientuar fonde buxhetore drejt nevojave, atyre të paketës për 300,000 qytetarë shqiptarë.
Midis tyre u përgjysmua edhe pagesa koncesionare e vitit 2020 për shoqërinë koncesionare “S2 Albania” sh.p.k (në masën 400 mln lekë).
Arsyeja thelbësore pse vijmë sot, në Mars 2021, është se pjesa e negocimit, diskutimit me kompaninë koncesionare është një pjesë e rëndësishme e grupeve të punës dhe merr kohën e nevojshme.

Unë jam shumë e kënaqur që kemi arritur në këtë poçes dhe sot kemi finalizuar me sukses duke bërë të mundur lejimin e:
• Shtyrjes me 100% të pagesës së çdo kësti mujor të Tarifës së Shërbimit të secilës Pikë Operimi për muajt Shtator, Tetor, Nëntor nga Tarifa Vjetore e Shërbimeve të Pikës së Operimit për vitin 2020 si dhe
• Shtyrjen e shlyerjes së detyrimit të mbetur nga kësti i muajit Gusht për Tarifën e Shërbimit të një pike Operimi. Kёto pagesa do tё shlyhen përgjatë vitit 2022.
Më lejoni që në këtë moment të jap një fokus të veçantë edhe të gjithë ndryshimeve legjislative të cilat në vitin 2019 janë miratuar në këtë parlament dhe kanë përmirësuar ligjin e partneritetit publik, privat dhe koncesioni në veçanti me përfitim llogaridhënieje dhe transparence.

-Së pari është kjo mazhorancë, e cila solli në vëmendje nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore heqjen e Propozimeve të Pakërkuara për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë.

-Së dyti edhe shumë e rëndësishme është heqja e bonusit për propozimet e pakërkuara me qëllim rritjen e transparencës, një parashikim shumë i rëndësishme është heqja e bonusit për propozimet e pakërkuara, trajtimit të barabartë për të gjithë operatorët në procedurën konkurruese është hequr mekanizmi i shpërblimit me pikë bonus, për propozime të pakërkuara.

-Së treti, forcimin e rolit monitorues dhe të forcimit të transparencës të transaksioneve të Qeverisë dhe në veçanti të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Kujtoj se kjo është një transparencë e ka bërë të mundur Partia Socialiste dhe jo Partia Demokratike.

-Së fundmi, më lejoni të kujtoj gjithashtu se kontrata koncesionare e Rapiscan-it, është një kontratë e negociuar. Kolegia ime pak më parë, ministrja Spiropali e theksoi por më lejoni të theksoj edhe një herë ndryshimin bazë i cili në vitin 2015 uli nga 39 euro për të gjithë tarifat në 5 euro për deklaratat nën 1,000 euro dhe 22 euro për deklaratat mbi 1,000 euro.
Kontrata ka edhe 8 vite operim dhe në përfundim të këtij afati shërbimi doganor do të ketë në pronësi sistemi i skanerëve si dhe të tjera pajisje qe lidhen me shërbimin e skanimit të kontejnerëve te vendosura në pikat doganore.

Këto janë marrëdhënie ligjore kontraktuale, nuk janë marrëdhënie, të cilat me një të goditur të lapsit mund të hiqen miliona. Qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama e ka të domosdoshme të marri këto marrëdhënie kontraktuale të vendosura në parime bazë të respektimit të ligjit por hyn në negociata siç është edhe kjo negociatë, e cila ka nisur përpara 9 muajve dhe unë ju ftoj që ta miratoni atë sot.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ministrja Denaj: Ruhen parametrat makro-fiskal

Prezantohen ndryshimet e bëra në buxhetin e shtetit