MENU
klinika

I del në krah Putinit

Erdogan: Komentet e Biden janë të papranueshme!

19.03.2021 - 17:58

Rexhep Tajip Erdogan i cilësoi të papranueshme komentet e presidentit amerikan, Joe Biden për homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Biden e quajti Putinin një vrasës, e kjo për Erdogan është e papranueshme. “Deklarata të tilla nuk i kanë hije një presidenti”, tha kreu i shtetit turk. Biden këtë javë, kur u pyet gjatë një interviste televizive nëse mendon se Putin ishte vrasës, u përgjigj: “po e mendoj”.

Vetë Putin reagoi të enjten duke u shprehur i gatshëm për bisedime publike në internet me shefin e Shtëpisë së Bardhë, për të folur me të siç tha rreth marrëdhënieve bilaterale me Shtetet e Bashkuara si dhe çështje të tjera të tilla si konfliktet rajonale. Pak përpara kësaj, Putin ishte shprehur se komentet e presidentit amerikan, Joe Biden pasqyrojnë problemet që Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht apo kanë patur në të shkuarën. I pyetur në lidhje me pohimet e Biden gjatë një telekonfence me rastin e përvjetorit të aneksimit të Krimesë nga Rusia,  Putin tha se ato pasqyronin historinë e trazuar të vetë Shteteve të Bashkuara. Ai permendi hedhjen e bombës atomike nga amerikanët në Hiroshima të Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe historinë e shkuar të Amerikës atë të vrasjes së amerikanëve indigjenë dhe skllavërinë duke shtuar se trashëgimia e dhimbshme rëndon mbi Shtetet e Bashkuara. Edhe pse Ankaraja dhe Washingtoni janë aleatë në Nato, Erdogani dhe Biden ende nuk kanë komunikuar me njëri tjetrin, që nga koha kur ky i fundit u bë president.