MENU
klinika

"Qeveria aktuale e ka persekutuar këtë qark!"

Flet Salvador Kaçaj: Lezha ime, Besëlidhja e PD-së!

19.03.2021 - 10:14

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të mërkurën listën e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e 25 prillit dhe tani i gjithë ekipi i PD-së ndodhet në terren. Ishmesfushori i kombëtares shqiptare, Salvador Kaçaj, është një nga “motorët” në Qarkun e Lezhës që shtyjnë përpara makinerinë e PD-së drejt 25 prillit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama.al”, Kaçaj shprehet se PD-ja në qarkun e Lezhës do të sigurojë një rezultat maksimal, që do jetë vendimtar për të ulur në karrigen e Kryeministrit kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Ndërkohë, vetë si deputet pas 25 prillit Kaçaj tha se do të jetë zëri i lezhjanëve në Parlament.

Si një ish-lojtar i Besëlidhjes së Lezhës dhe si ish-kryetar i Komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj, është optimist që bashkëqytetarët e qarkut të tij do ta mandatojnë si deputet për të qenë përfaqësues i tyre. Teksa u ndal në programin e PD-së, Kaçaj zbuloi se përveç programit ekonomik në rang republike që ka prezantuar kreu i PD-së Lulzim Basha, të djathtët kanë një plan të mirëllogaritur për çdo qark dhe njësi.

Sa i përket qarkut të Lezhës, Kaçaj tha se në planin e detajuar është parashikuar dhënia fund e problematikës 30-vjeçare të përmbytjes. Ndërkohë, në prioritetet kryesore do të jetë zhvillimi i turizmit agro-bujqësor dhe malor. Ndërthurja e 26 km vijë bregdetare me 2500 ha lagunë, sipas kandidatit për deputet Salvador Kaçaj, i jep mundësi të artë për zhvillimin e turizmit.

INTERVISTA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të mërkurën listën e kandidatëve të Partisë Demokratike dhe koalicionit “Aleanca për Ndryshim”. Në listën e Lezhës pjesë e ekipit të PD-së jeni edhe ju, z. Kaçaj. Ndiheni i vlerësuar që jeni pjesë e ekipit që Basha e ka cilësuar si ekipin e fitores?

Natyrisht që ndihem i vlerësuar, sepse të jesh pjesë në listën e një partie kaq të madhe që solli demokracinë në vend, është nder. Partia Demokratike është një parti që i përket familjes sime. Familja ime ka qenë e persekutuar dhe kjo është partia që i përkas unë. Ndihem dyfish krenar kur jam pjesë e një ekipi me kaq shumë vlera, siç është ekipi i Kryeministrit të ardhshëm Lulzim Basha në 12 qarqe. Lista ku unë bëj pjesë, pikërisht në Lezhë, është mjaft e spikatur me kandidatë me integritet. Duke parë të gjithë këto komponentë, natyrisht që ndihem i privilegjuar

Cili është objektivi i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, sa deputetë prisni në fitoni?

Qarku i Lezhës është një qark që i përket së djathtës. Edhe në këto zgjedhje nuk ka se si mund të ndodhë ndryshe kur oferta që u ka paraqitur z. Basha qytetarëve të këtij qarku është shembullore. Me intelektualë, me njerëz nga bota e pedagogjisë, sportit etj. Në këtë kontekst, pikësynimi i PD-së është që në qarkun e Lezhës të vulosë fitoren e padiskutueshme dhe të jetë vendimtare për të çuar Lulzim Bashën në karrigen e Kryeministrit. Lezha është një qark, që duke përfshirë edhe Mirditën, Kurbinin, do të sigurojmë një surprizë të madhe në rang republike.

Ju z. Kaçaj jeni sprovuar në garat elektorale. Keni fituar garën për kryetar të Komunës në Shëngjin me një logo partie, e cila për të qenë realistë, nuk ka pasur një peshë të madhe elektorale. Çka do të thotë se rol të madh për të fituar atë mandat ka pasur edhe kandidatura juaj. Ndërkohë, tashmë ju jeni pjesë e listës së PDsë, i renditur i 8-ti në Lezhë. Synoni ju që të thyeni herësin e të merrni vota për t’u ulur në Parlament?

Unë duke qenë se vij nga fusha e sportit, karakteri i një sportisti nuk e pranon që të qëndrojë në stolin e rezervave. Duke e parë nga aspekti i parë, vendi i 8-të duket si i pamundur në qarkun e Lezhës për të shkuar në Parlament. Unë e kam pranuar me kënaqësi atë pozicion dhe ndihem i nderuar që jam pjesë e listës së Partisë Demokratike. Unë e kam pranuar të jem i 8-ti me kënaqësi për një fakt: ekipi i Lezhës është një ekip dinjitoz në përfaqësimin e 25 prillit. Ajo që dua të theksoj është se lezhjanët dinë të vlerësojnë dhe dinë të bëjnë dallimin. Unë jam i bindur se qytetarët e Lezhës sime do të jenë në gjendje të bëjnë dallimin dhe të zgjedhin se kush i përfaqëson ata në Parlament, kush i përçon shqetësimet e tyre në Parlament. Mendoj se lezhjanët do të zgjedhin njeriun e duhur për ta çuar në Parlament.

Z. Kaçaj, ju keni qenë futbollist i shquar në arenën shqiptare, konkretisht mesfushor, që do të thotë se jeni një organizator i mirë. Do t’i përdorni instinktet edhe në fushatën zgjedhore?

Arma ime kryesore është se duke qenë se vij nga fusha e sportit, unë e kam çdo derë në lezhjanëve të hapur me një dashamirësi shumë të madhe. Pa diskutim që do të zhvillojmë një fushatë zgjedhore model. Ne tashmë kemi ecur përpara me takime dhe kam gjetur një mbështetje shumë të madhe në qarkun e Lezhës. Ne vazhdojmë me ritme shumë të larta takimet dhe jam shumë besimplotë që më 25 prill do të marrim rezultate maksimale, që do të jetë edhe një fitore e madhe për Partinë Demokratike dhe shkatërrimtare për maxhorancën aktuale.

Siç e thashë edhe më sipër, ju keni qenë kryetar i Komunës së Shëngjinit, një bashki turistike. Ndërkohë që para kemi edhe sezonin turistik veror. Vitin që shkoi sektori i turizmit pësoi që goditje të fortë. Nëse ju uleni në Parlament, çfarë do të bënit për të pasur një sezon ndryshe?

Turizmi është një sektor ku e gjithë bota i jep një rëndësi të veçantë. E gjithë bota e zhvilluar përkujdeset, sepse është një industri që sjell një kontribut të madh në buxhetin e shtetit dhe që krijon mjaft vende pune. Për hir të së vërtetës, në këto 8 vite turizmi nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Unë mendoj që duke pasur parasysh se kur e kam drejtuar Shëngjinin për 4 vite me radhë e kam vendosur Shëngjinin në tryezë të barabartë me Vlorën, Sarandën edhe Durrësin, mendoj se zëri im do të jetë një zë i fort në Parlament për të sjellë më shumë investime jo vetëm në Shëngjin, por në të gjithë Veriun sepse për 8 vite me radhë është lënë pas dore nga qeveria dhe Kryeministri aktual. Është bërë një persekutim i Shëngjinit dhe i Lezhës. Për 8 vite me radhë investimet këtu kanë qenë pothuajse zero.

Cilat janë pikat e forta të programit të PD-së që mund të implementohen te qytetarët e qarkut të Lezhës?

Programin e PD-së në shkallë republike e ka prezantuar tashmë kreu i PD-së, Kryeministri i ardhshëm, Basha. Ndërkohë, kemi një plan konkret të detajuar për secilin qark, ku adresohen shqetësimet dhe zgjidhjet konkrete për secilin qark. Sa i përket qarkut të Lezhës, kemi prioritet zhdukjen e shqetësimit të përmbytjes. Është një gangrenë 30- vjeçare, që fillon që nga Torovica deri në Bregun e Matit. Po ashtu, programi i PD-së parashikon hapa konkretë për të ulur papunësinë. Kemi në prioritet zhvillimin e turizmit agro-bujqësor, që Lezha i ka të gjitha mundësitë. Kemi në vëmendje zhvillimin e turizmit malor. Lezha ka resurse të jashtëzakonshme malore. Dhe sigurisht Lezha ka edhe bregdetin. Janë 26 km vijë bregdetare e shfrytëzuar. Kemi dhe 2500 ha lagunë, që është një resurs që e ka dhënë Zoti.

Programi i PD-së ka plan konkret për çdo njësi vendore të qarkut të Lezhës për të evidentuar të gjitha problemet që z. Basha do t’i zgjidhë që në mandatin e parë.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri deklaroi në një intervistë për “Neës 24” se situata politike para zgjedhjeve është e tensionuar. Si paraqitet situata në qarkun e Lezhës?

Mendoj që grahmat e fundit të rilindjes, që tashmë është e vdekur e ka pushuar së qeni, do të përpiqet që me falangat e saj të bëjë ç’të jetë e mundur për të bërë ndonjë kërcënim sporadik. Por për të qenë të sinqertë, në Lezhë nuk ka pasur asgjë deri tani. Por ne jemi vigjilentë. Jemi të gatshëm të mbrojmë votën tonë, pa i hyrë në hap asnjë pale. Do të mbrojmë vetëm atë që është e jona. Ne do t’i bindim njerëzit, të cilët e dinë tashmë që ka ardhur koha për ndryshim dhe ai është i domosdoshëm. 25 prilli nuk do të jetë ditë votimi, por do të jetë ditë referendumi për të larguar këtë qeveri.

Si i vlerësoni ju kundërshtarët tuaj politikë. Përse duhet të votojnë shqiptarët Partinë Demokratike – koalicionin “Aleanca për Ndryshim” dhe jo Partinë Socialiste?

Pa i hyrë analizës së baraspeshave personale të individëve, dua t’i përgjigjem Kryeministrit që tha se deputetët e Lezhës vijnë për kafe në Lezhë. Kjo nuk është aspak e vërtet. Ne jemi lezhjanë. Unë jam djalë i Lezhës, jam djalë i Besëlidhjes së Lezhës. E kam përfaqësuar Lezhën në ekipin kombëtar me dinjitet shumë të lartë. E kam përfaqësuar në arenën ndërkombëtare. I kam dhënë provat në menaxhimin e Shëngjinit në 4 vite. Njësoj edhe kandidatët e tjerë të PDsë. Të gjithë kanë një nivel shumë të lartë arsimor, kulturor, njerëzor dhe politik. Ekipi ynë është shumë i përgatitur për të qenë më datën 26 i gatshëm për t’u dhënë udhë të gjitha problematikave në qarkun e Lezhës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ku do të kandidojë Monika Kryemadhi?

A do të ketë koalicion PD-LSI?

Nga Bedri Islami: ...është përgatitur prej ditësh që të ndodhë!

Ajo që ndodhi në Kapitol dhe turpi që mund të përsëritet në Shqipëri


Largohen edhe 50 punonjës italianë

Boshatisen qendrat në Shëngjin e Gjadër

"Lejuan personin ‘misterioz’ të largohej, nuk kryen…"

Masakra në Dobraç/ AMP akuzë efektivëve në Shkodër

“Kthehu në shtëpi, të kërkon nëna…”

Ky është 15-vjeçari i zhdukur prej dy ditësh në Shkodër!

Temperatura deri në -4 gradë Celsius

Kur rikthehen rrebeshet e shiut në vend