Sipas rregullave të reja të FIFA-s, klubet nuk janë të detyruara këto kohë t’i lejojnë futbollistët e tyre për në kombëtaret përkatëse. Shqipëria dhe Kosova do të humbasin lojtarë për ndeshjet e përfaqësuesve të marsit pikërisht nga kjo.
Nëse zyrtarizohet vendimi që kanë marrë klubet franceze të dy kategorive të para, e pësojnë dy përfaqësueset shqiptare. Klubet nuk duan të lënë të largohen futbollistët për takimet e marsit nëse ata nuk i përkasin një vendi të BE.
Klubet në dy kategoritë e para të Francës kanë qarkulluar mes tyre për të firmosur një vendim i cili saktëson se asnjë nga lojtarët që nuk i përkasin kombëtareve vendeve të Bashkimit Europian, nuk do të lejohet të largohet në mars për të luajtur kualifikueset e Botërorit.
Kjo bëhet për shkak të situatës me COVID-19 dhe kufizimeve apo rregullave të karantinës që po aplikohen në vende të ndryshme. Në listën e Shqipërisë nga kampionati francez duhej të grumbullohej Qazim Laçi, i cili luan me Ajaccio në kategorinë e dytë franceze.
Ky është një futbollist i cili në të kaluarën ka luajtur me rregullsi në radhët e kuqezinjve e që do të ishte një problem më vete për Rejan, i cili ka humbur Abrashin për dëmtim e ka Gjasulën në një formë jo optimale. Ndërkohë, Kosova humbet Arbër Zenelin, Valon Berishën dhe Bersant Celinën.