MENU
klinika

Përballja për Tiranën

Fushëbeteja e Ramës me njerëzit e vet dhe taktika mbrojtëse e Bashës

09.03.2021 - 17:31

Ndryshe nga Partia Socialiste, Partia Demokratike garon në Tiranë me figura krejtësisht politike, pa asnjë emër surprizë.

Lulzim Basha është ai që kryeson listën e kryeqytetit, duke marrë përsipër rezultatin që do të ketë PD-ja në këtë qark.

Basti është i madh sepse Basha i ka “besuar” më shumë aleatëve se të vetëve duke i vënë në vende të sigurta në Tiranë, ndërsa qerren e tërheq vetë ai.

Basha është i pari në listë duke u pasuar nga Jorida Tabaku.

Që në krye të listës dallojnë taktikat e ndryshme që Basha- Rama kanë ndjekur me Tiranën.

Basha “i jep” Tiranës emrin e vet dhe një politikane grua tiranase Jorida Tabaku, ndërsa Rama luan me dyshen jo politike, por popullore për shkak të dy ngjarjeve të pazakonta në vend; Najada Çomo dhe “stërgjyshja” siç pëlqen ta quajë Rama, Luljeta Bozon.

Më tej fillon përballja politike Ervin Bushati dhe Ogerta Manastirliu jo “veteranë” në PS me Alfred Rushaj drejtorin e fushatës në PD dhe Albana Vokshi.

Vijon me pozicionin honorifik të Sali Berishës në njërën anë, dhe Arben Ahmetajn në anën tjetër.

Më tej, Rama luan sërish me emrat “e rinj”, por jo në politikë, Elisa Spiropali dhe përballë (si renditje emrash, por jo zonash) aleati i Bashës, Fatmir Mediu.

Ka një lëvizje të Bashës me vlonjatin biznesmen Agron Shehaj në njësinë numër 5 me Pandeli Majkon në anën tjetër edhe pse ky i fundit është pozicionuar në vijën e zjarrit nga ana e PS-së në vend të 19-të objektivi bazë që synon PS-ja për Tiranën.

Vijohet pastaj me një renditje aleatësh nga PD-ja, ndërsa përballe janë emra të rinj nga PS-ja për herë të parë në listë si Toni Gogu apo Etjen Xhafaj për të vijuar me deputeten Ermonela Felaj dhe Xhemal Qefaliaj.

Fatmir Xhafaj, Mimi Kodheli njerëz ndër vite në PS janë pozicionuar poshtë ashtu si edhe nga PD me emrat e Flamur Nokës, apo Gent Strazimirit e Dorian Telitit.

Pra një listë PS-je me emra të rinjsh të pozicionuar në vend të sigurt bashkë me të ngjashmit e tyre në politikë, që vijon me “senatorët” e spostuar të PS, të cilët Edi Rama për herë të parë i ka hedhur në shesh beteje për të mbledhur vetë vota, ndërsa në anën tjetër një pozicion jo riskues për emrat kryesore të PD-së dhe “rehatim” për aleatët që deri dje kërcënonin Bashën se kishte edhe dyer të tjera.

Vota e 25 prillit do të tregojë se cila nga taktikat fitoi; eksperimenti i Ramës me rinovim liste duke futur garën brenda vetes (edhe me riskun e përçarjes brenda saj) në emër të “pastrimit” të PS për një tjetër mandat, apo e ajo e Bashës me taktikën e kundërt, jo atë të fitores më shumë, sesa të ruajtjes së votave brenda hambarit të koalicionit…

E njëjta situatë si me Bashën edhe me LSI. As Monika Kryemadhi nuk ka riskuar. Ajo e drejton vetë listën me figurat politike që bën opozitën në parti, të rinj të spostuar më poshtë se katër vjet më parë, dhe një mesazh për ata që nuk bënë aq sa duhet si rasti i Edmond Haxhinastos i vendosur poshtë mundësisë më të mirë të LSI-së për të kapur mandatin e deputetit.

Pra një renditje për të ruajtur radhët më shumë sesa për t’i lejuar vetes eksperimente me njerëz që nuk i njeh askush vetëm kryetari. Monika Kryemadhi nuk e ka më këtë luks… N.Perndoj-SI

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin