Nga Gary Dagorn &Mathilde Damgé, Internazionale
Gjermanët në Spanjë, holandezët në Greqi dhe francezët në Itali? Një kartolinë nga “bota e deridjeshme”, që mund të bëhet aktuale edhe këtë verë nëse përshpejtohet fushata e vaksinimit, dhe nëse në dallim nga përçarja e vitit 2020, vendet evropiane bien dakord mbi kushtet për hyrjen në territoret e tyre.
Duke pasur këtë gjë në mendje Komisioni Evropian njoftoi më 1 mars prezantimin brenda këtij muaji të draftit mbi “pasaportën e vaksinimit”.Ky projekt ngre disa pyetje, si nga këndvështrimi i realizueshmërisë së tij në nivelin evropian, ashtu edhe nga efektiviteti i tij nga pikëpamja shëndetësore.
Tradicionalisht një pasaportë është një dokument i lëshuar nga administrata publike e një shteti, që vërteton identitetin dhe kombësinë e një personi. Në kontekstin e një pandemie, mund të ketë një ose më shumë dokumente që vërtetojnë se një person nuk rrezikon të infektohet apo të infektojë të tjerët.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur për një platforme të aftë të “harmonizojë dhe bëjë bashkë zgjidhjet e ndryshme kombëtare”. Pra nuk bëhet fjalë për një dokument të vetëm të vlefshëm në të gjithë BE-në. Këtu mund të merren parasysh disa kritere:vaksinimi; testi i fundit me një rezultat negativ në rast se nuk keni pasur mundësi të vaksinoheni; apo një test mbi praninë e antitrupave tek një person që tashmë ka qenë i prekur nga Covid-19.
Një nismë e tillë nuk është ndonjë gjë e re. Për shembull, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka krijuar tashmë një “libër të verdhë”, një certifikatë vaksinimi e nevojshme për të hyrë në disa vende afrikane. “Kjo lloj certifikate mund të përdoret edhe për Covid-19”- thotë François Baylis, specialist mbi etikën shkencore dhe mjekësore, dhe profesor i filozofisë në Universitetin Dalhousie në Halifax, Kanada.
Cili është pozicioni i Francës?
Në fillim, autoritetet franceze ishin kundër projektit. Por më pas, me afrimin e sezonit të verës dhe me qarkullimin e varianteve të reja të Covid-19, qeveria franceze është treguar e gatshme që ta rishikojë qëndrimin e saj. Kështu, më 25 shkurt presidenti Emmanuel Macron foli për një kartë shëndetësore, me të cilën dikush mund të regjistrohej për të hyrë në një vend publik, por edhe për të vërtetuar në mënyrë dixhitale një test negativ të ditëve të fundit apo edhe vërtetimin se është vaksinuar.
Cilat janë vendet që e mbështesin projektin?
Greqia ishte vendi i parë në Evropë që u shpreh në favor të një sistemi të tillë. Ndërsa pret që projektit të konkretizohet në nivel ndërkombëtar, Athina po negocion nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe me vendet e tjera jo-evropiane. Për shembull izraelitët e vaksinuar, do të lejohet të hyjnë lirshëm në Greqi.
Edhe vende të tjera të Evropës Jugore si Spanja, Malta ose Portugalia, që janë shumë të varura nga turizmi, e mbështesin këtë nismë. Këtyre vendeve u bashkohen Belgjika dhe Hungaria, të cilat janë në favor të projektit,si dhe Polonia, Danimarka, Suedia dhe Estonia, të cilat po eksperimentojnë me sisteme të ndryshme. Për shembull, Kopenhaga dhe Stokholmi, kanë njoftuar krijimin e certifikatave elektronike për udhëtimet e qytetarëve të tyre jashtë vendit.
A është e mundur ligjërisht pasaporta e vaksinimit?
Një certifikatë që vërteton vaksinimin e një personi ndaj Covid-19, mund të jetë një pengesë për lëvizjen e lirë të personave në BE. Problemi tjetër, të cilin e pranon edhe vetë Komisioni, është vështirësia për të pasur qasje tek vaksina, gjë që krijon një lloj përjashtimi dhe për pasojë një pabarazi midis qytetarëve të BE-së.
Jean -Paul Markus, profesor i së drejtës publike, thotë se teksa dikush është në pritje për tu vaksinuar, duhet të gjendet një zgjidhje e përkohshme, pra për të lejuar lirinë e lëvizjes përmes elementëve të tjerë të tillë si testet negative ndaj Covid-19, apo testi që vërteton praninë e antitrupave, duke e zvogëluar disi diskriminimin.
A do të ishte efektive pasaporta e vaksinimit nga pikëpamja shëndetësore?
Pasaporta e vaksinës, bazohet në supozimin se njerëzit që vaksinohen nuk janë më infektues për të tjerët edhe nëse bien në kontakt me Sars-Cov-2. Por deri tani nuk ka asgjë të sigurt në lidhje me aftësinë e vaksinave për ta garantuar këtë gjë.
“Të dhënat shkencore të disponueshme,tregojnë se vaksinat kundër Covid-19, edhe nëse bllokojnë simptomat e sëmundjes, nuk e parandalojnë plotësisht transmetimin e virusit. Ato thjesht e ngadalësojnë atë. Ndaj,arsyetimi shkencor që qëndron në themel të këtij propozimi duket i diskutueshëm”- shkruajnë në “Le Monde” Alberto Alemanno dhe Luiza Bialasiewicz, specialistë të studimeve evropiane.
Prandaj, një certifikatë vaksinimi nuk mund të japë një garanci shëndetësore absolute. Vetëm një studim më i thelluar do të na lejojë që të vlerësojmë përqindjen reale të njerëzve të vaksinuar që janë ende të aftë për t’ua transmetuar virusin të tjerëve. Nëse ky nivel i mbrojtjes është i pranueshëm ose jo, kjo duhet të diskutohet nga udhëheqësit e vendeve të Bashkimit.
Cilat janë rreziqet që mund të sjellë një mjet i tillë?
Kur diskutohet për pasaportën e vaksinës, lind problemi i privatësisë së të dhënave: “Edhe nëse sot në Francë ekziston një listë (e quajtur Vac-Si ) e njerëzve të vaksinuar, qëllimet e përcaktuara në projekt, nuk parashikojnë që ajo të përdoret për të kufizuar udhëtimin e individëve”- thotë Yoann Nabat, doktorant mbi të drejtën private dhe shkencat penale në Universitetin e Bordosë.
Teorikisht ne mund të kthehemi tek libreza tradicionale shëndetësore individuale, por në këtë rast do të ekspozoheshim ndaj problemeve të sigurisë, dhe ekzistencës së mundshme të falsifikimeve, siç ka ndodhur tashmë në rastin e testeve të tamponit.