MENU
klinika

Kualifikueset e Botërorit 2022

Gjermania dhe Italia fitojnë me ballkanasit

28.03.2021 - 22:03

U luajtën mbrëmjen e sotme 10 sfidat e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Katar 2022”, ku u regjistruan në total plot 26 gola. Spikasin triumfet e  Italisë, Gjermanisë, si dhe Polonisë dhe Hungarisë që janë rivalët e Shqipërisë në këtë fushatë eliminatoresh. 

Italia e Roberto Mancinit vazhdon serinë e rezultateve pozitive dhe është në rrugën e duhur për të siguruar kualifikimin në Katar 2022. Të kaltrit triumfuan 0-2 në Sofie përballë Bullgarisë duke marrë suksesin e dytë në grupin C kualifikues për Kupën e Botës.

Golat për Italinë u realizuan nga një për çdo pjesë. Në fraksionin e parë realizoi Belotti me 11-metërsh ndërkohë që në pjesën e dytë Locatelli i ardhur në fushë nga stoli shënoi një gol të bukur duke vulosur fitoren e Italisë.

Me pikë të plota në këtë grup është edhe Zvicra që mposhti minimalisht 1-0 Lituaninë me një gol të shpejtë të Xherdan Shaqirit dhe ndan kryesimin së bashku me Italinë.

Mori fitoren e dytë në eliminatore edhe Gjermania që në grupin J u mjaftua me një gol të Serge Gnabry-t për të mposhtur Rumaninë në Bukuresht. Gjermania krijoi shumë në këtë sfidë por në fund u mjaftua me vetëm një gol për të marrë tre pikët e radhës.

Po në këtë grup një sukses të thellë regjistroi Maqedonia e Veriut që mposhti 5-0 Lihtenshtejnin. Enis Bardhi hapi serinë e golave në pjesën e parë për Maqedoninë e Veriut ndërkohë që për t’i dhënë fitoren e parë në grup skuadrës së trajnerit Angelovski realizuan Trajkovski dy herë por edhe Elmas e Nestorovski me penallti.

Në grupin I ku bën pjesë edhe Shqipëria morën fitore të lehta, Polonia dhe Hungaria që kaluan respektivisht 3-0 dhe 0-3 Andorran dhe San Marinon. Dy gola realizoi Lewandowski për polakët ndërkohë që te hungarezët shënuan tre sulmues Szalai, Sallai dhe Nikolics. Barazim 1-1 mes Ukrainës dhe Finlandës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kualifikueset e Botërorit 2022

Franca nuk gabon dy herë, ia del në Kazakistan