MENU
klinika

Lufta kundër “armikut të padukshëm”,

Gjithçka që ndodhi në Kosovë gjatë vitit të pandemisë

13.03.2021 - 10:31

Një vit pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, vendi ynë po vazhdon të përballet me shifra të mëdha të të infektuarve, rritje të numrit të personave që po humbin jetën nga ky virus, pa vaksina, me masa parandaluese, me humbje të mëdha ekonomike, kurse në aspektin politik jemi në proces të formimit të institucioneve të reja.

Qytetarët e vendit tonë u përballën me shumë sfida që nga data 13 mars 2020, kur u konfirmuan dy rastet e para me coronavirus. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës më 15 mars shpalli edhe gjendje emergjente të shëndetit publik.

Pasoi ajo që në botë u bë e njohur si “LOCKDOWN”, pra mbyllje totale, kufizimi i orarit të lëvizjes, mbyllja e shkollave dhe vazhdimi i mësimit online, ndalimi i tubimeve publike, mbyllja e parqeve, pra gjithçka përveç shërbimeve esenciale.

Klinika Infektive / Foto: Ridvan Slivova

Mjekë, infermierë, policë, ushtarak e gazetarë ishin në vijën e parë të frontit, gjatë këtij viti të luftës me “armikun e padukshëm”, pandeminë COVID-19 që përfshiu gjithë globin.

Edhe një vit më pas, kjo luftë po vazhdon ku më 12 mars 2021 në Republikën e Kosovës janë konfirmuar 730 raste të reja me coronavirus brenda 24 orëve e numri i rasteve aktive është 10 mijë e 530 raste.

Policia e Kosovës gjat pandemisë / Foto: Ridvan Slivova

Si pasojë e infektimit me COVID-19, deri më tani kanë vdekur 1 mijë e 688 qytetarë të Kosovës, të moshave të ndryshme.

Megjithëse situata nuk duket se po shkon drejt përmirësimit, e ardhja e vaksinave po shtyhet nga muaji në muaj, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj deklaroi një ditë më parë se Kosova është shembull i menaxhimit të pandemisë.

“Kemi qenë dhe mbetemi shembull i menaxhimit të pandemisë”, tha Zemaj në mbledhjen e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19.

Ndërkaq, drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadani theksoi se vetëm gjatë dy javëve të fundit janë raportuar 7 mijë raste pozitive dhe 94 raste fatale./telegrafi