Ci Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për padinë e Partisë Republikane të Fatmir Mediut, lidhur me masat e vendosura nga qeveria për pandeminë.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese GJK Komiteti teknik ka një javë kohë për rishikuar masat teksa duhet të rishikohet kohëzgjatja e kufizimeve.
2- Pika 4 e urdhrit nr. 351, datë 29.5.2020 ‘Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19’, të ndryshuar, shfuqizohet;
3- Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri organet kompetente për dhënien e masave administrative sipas aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020 ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së shkaktuar nga COVID-19’, i ndryshuar”.
PJESË NGA VENDIMI I KUSHTETUESES
Në disa raste GJEDNJ-ja i ka gjetur të mbështetura kufizimet mbi grumbullimet publike (si p.sh. kufizime të vendit ose numrit të pjesëmarrësve), ku qëllimi ishte mbrojtja e sigurisë publike ose ruajtja e rendit publik. Ajo nuk ka gjetur shkelje të nenit 11 të Konventës kur grumbullimi është shpërndarë për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e pjesëmarrësve.
Në kontekstin e rrethanave të pazakonta të krijuara nga pandemia COVID-19, Gjykata vë në dukje se ndalimi i përhapjes së këtij virusi përbën një “nevojë urgjente shoqërore”. Prandaj dhe masat e marra, duke përfshirë edhe urdhrin e ministrit në rastin konkret, janë të lidhura me këtë objektiv, në kuadër të detyrimeve dhe përgjegjësive që kanë autoritetet shtetërore për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse.
Kërkuesja ka pretenduar se ndalimi i tubimeve nuk është mjeti i duhur dhe i nevojshëm dhe se mënyrat alternative të komunikimit online nuk janë të përshtatshme, pasi nuk mbulojnë të gjithë territorin. Ndërsa subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, ka parashtruar se urdhri nr. 633/2020 ka dalë pas shpalljes së gjendjes së pandemisë nga OBSH-ja, në përgjigje të situatës së krijuar, si rezultat i shtimit të rasteve të të prekurve dhe viktimave nga COVID-19. Sipas tij, kërkuesja ka në dispozicion mënyra alternative të komunikimit online për ushtrimin e të drejtave që pretendon se i janë cenuar.
Gjykata konstaton se në kuadrin e lirisë së shprehjes dhe të së drejtës së tubimit, shpërndarja e informacionit dhe ideve ka një rëndësi të veçantë. Padyshim, tubimet politike dhe mbledhjet partiake zënё vend kryesor nё procesin zgjedhor, pasi pёrmes tyre pjesёmarrёsit dhe organizatorёt japin e shkëmbejnë opinione, ide e çёshtje tё programeve politike, me tё cilat partitë politike konkurrojnë nё zgjedhje, ndërsa zgjedhësit informohen për të bërë zgjedhjen e duhur. Gjykata thekson se kur kufizohen të drejtat kushtetuese, për kontrollin e proporcionalitetit të ndërhyrjes nuk mjafton vetëm ekzistenca e mjeteve alternative, por një faktor i rëndësishëm lidhet me vlerësimin se sa këto mënyra alternative lejojnë ushtrimin e së drejtës, qoftë edhe në masë të kufizuar. Kur kufizimet vendosen për lirinë e shprehjes dhe të tubimit përgjatë procesit zgjedhor, për Gjykatën merr rëndësi vlerësimi i hapësirës dhe shkallës së përdorimit të mënyrave alternative të komunikimit që iu mundësohen zgjedhësve dhe partive politike për të përhapur mesazhin dhe idetë e tyre politike tek votuesi përmes: video-konferencave, angazhimeve aktive në platforma elektronike me ndjekje të gjerë, rrjeteve sociale, takimeve online, emisioneve televizive, medieve etj.
Gjykata vlerëson, gjithashtu, se si rregull çdo kufizim i të drejtave në vetvete duhet të ketë elementin e përkohshmërisë. Po ashtu, parimi i proporcionalitetit kërkon që sa më i madh të jetë kufizimi, aq më i detajuar dhe bindës duhet të jetë justifikimi i tij. Në këtë këndvështrim, krahas numrit të kufizuar të personave që lejohen të grumbullohen, mënyrat alternative të ushtrimit të lirisë së shprehjes dhe të së drejtës së tubimit e justifikojnë konceptin e kufizimit të përkohshëm të tyre. Megjithatë, kur këto kufizime zgjasin pa afat, duke humbur karakteristikën e përkohshmërisë dhe për kohëzgjatjen e pacaktuar nuk jepet justifikim, ato shndërrohen në ndalim tërësor të kësaj të drejte, duke zbehur rolin që luajnë mënyrat alternative.
Për sa më lart, Gjykata vëren se urdhri nr. 663/2020, në pikën 1 të tij, përmban shprehjen “deri në një urdhër të dytë”, që tregon se nuk ka një afat të qartë se kur këto masa kufizuese përfundojnë ose rishikohen. Konkretisht, nga hyrja në fuqi e tij e deri aktualisht ky urdhër nuk është rishikuar.
Në vlerësimin e Gjykatës termi “deri në një urdhër të dytë” krijon problematikë në dy drejtime: së pari, nuk detyron autoritetet përgjegjëse të bëjnë vlerësim periodik për masat kufizuese të përcaktuara me urdhrin në fjalë dhe, së dyti, nuk i përgjigjet standardit të proporcionalitetit. Kjo çështje merr edhe më shumë rëndësi po të merret në konsideratë që vendi tashmë është në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Në dritën e rrethanave konkrete që kanë të bëjnë me nivelin e përhapjes së virusit dhe ndikimin e tij në Shqipëri, të shpjeguara nga subjektet e interesuara, Këshilli i Ministrave dhe MSHMS-ja, Gjykata çmon se kufizimi nga urdhri i ministrit i së drejtës së tubimit, të lidhur me të drejtën e shprehjes, është i domosdoshëm në një shoqëri demokratike, pasi diktohet nga një nevojë urgjente shoqërore. Megjithatë, Gjykata vlerëson se akti i kundërshtuar nuk respekton kriterin e proporcionalitetit, sipas nenit 17 të Kushtetutës, për shkak të mosparashikimit të një afati të përcaktuar për kohëzgjatjen e masave kufizuese dhe për këtë shkak shprehja “gjer në një urdhër të dytë” duhet të shfuqizohet.
Në kushtet e shfuqizimit pjesërisht të urdhrit nr. 633/2020, Gjykata, në bazë të neneve 76, pikat 1 dhe 4, dhe 81, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, çmon se organi kompetent duhet të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve brenda një jave nga shpallja e këtij vendimi.