MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

In Memoriam/ Përshtypje nga takimi me 90-vjeçarin Gorbaçov dhe historia e Katovicës

02.03.2021 - 15:25

        Një lexues i Konicës, që kishte parë përshtypjet e takimit me Mihail Gorbaçovin, të cilin, e ftova në Tiranë kohë më parë, kishte interes të dinte dhe më pyeti dje, a e kisha pyetur atë për Katovicën. Mund edhe ta pyesja, i thashë, por nuk e bëra këtë gjë. Jo vetëm, thjesht, sepse i urrej teoritë konspirative…

Në një formë pak a shumë libreske, dija diçka nga një libër që Dritëroi më kishte dhënë për të ilustruar idenë e atij që mund të quhej realisht edhe “Babai i Perestrojkës” Andrei Gromikos, për një periudhë të gjatë ministër i jashtëm dhe një nga promovuesit e Gorbaçovit. Gromiko ishte një nga njerëzit e hollë që i nxjerr me bollëk diplomacia ruse e të cilët, që nga koha e themelimit të saj, prej Ekaterinës së Madhe, nuk lëvizin shumë nga zyrat e shtetit dhe kur ndërrohen sistemet, pra edhe kur ata janë të tipit të Stalinit.

Kohë pas takimit me Gorbaçovin, në Terni të Italisë, shefi i Sant Egidios, Imzot Vincenzo Palia, më tregoi një copëz tjetër që mbushte boshllëkun për këtë pyetjen e Katovicës. Duke më folur për bashkohësin tjetër të Gorbaçovit, komunistin Ramiz Alia, më tregoi duke buzëqeshur, thelbin e bisedës me të.

Zoti President, kam çuar Gorbaçovin te Papa… A e bën dot edhe ti, lojën e tij? – Po, – tha – pa mëdyshjen më të vogël… Bile, pak më mirë. Në thelb, pas kësaj, jo vetëm Vatikani, por edhe amerikanët, apo në përgjithësi perëndimi, u kujdes që t’ia bënin të lehtë ndryshimet, pa rrëmujat e njohura. E pashë vetë këtë gjë, kur në zgjedhjet e para të 1991-it, në darkën e asaj dite, fill një orë pas zgjedhjeve, kur në udhëheqjen PD-së, të gjithë në tavolinë, bashkë me Berishën, u tromaksën kur, jo vetëm Radio Vatikani, e quajti PD dhe opozitën, një front laraman shumëngjyrësh, pa e lavdëruar për thuajse asgjë. Dhe të njëjtën gjë, dhe radiot e tjera perëndimore.

Po pse ia dhanë këtë mundësi, Alisë?

Kam idenë, se të gjithë që i dinin punët më mirë po kujdeseshin që këtu, pas rënies së komunizmit, Shqipëria të mos ribinte nën influencat ruse a serbe… apo që preja e vjetër, të binte pa bërë më shumë dëme. Për të dy, besoj, Gorbaçovi apo Alia, se ishin nën kujdesin e perëndimit… Që e dinin mirë, sa miell kishte në magjen e kundërshtarit dhe ia lëviznin ngadalë litarin rreth qafës, duke ua përcaktuar fundin. Rusia e Gorbaçovit i kishte rreth 15 miliardë marka borxh Gjermanisë, të cilës i kërkoi po dhe aq, por ajo nuk i dha asgjë më, kur ai në këmbim u lejoi bashkimin me Gjermaninë lindore. Thonë që nuk e lanë amerikanët…

Shqipëria e Ramiz Alisë, kishte vetëm 6 milionë dollarë në janar të 1991, në arkën e shtetit dhe kishte dy vjet që rronte duke blerë me florinë e fundit në dorë, para se të binte në greminë. Kaq duhet të mjaftonte të kuptosh, se të vdekur e të pakallur si Gorbaçovi, apo Ramizi, nuk mund të bënin gjë, veçse të prisnin lëmoshën apo sëpatën e të mëdhenjve…

Natyrisht që ustallarët e mëdhenj, e dinin këtë dhe i mblodhën rripat kur duhej për Gorbaçovin dhe Ramizin dhe i lanë të shijonin pensionin për sjellje të mirë, nëse nuk flasim me ironi. Duke u rikthyer te historia e Katovicës, me aq sa kuptoj unë. Besoj se, kjo legjendë është ushqyer më së shumti nga vetë ish-komunistët, atëherë dhe tani, sesa nga ata që vuajtën tmerret e komunizmit.

Duke korrur pa mëshirë, klasat e pasura dhe elitën kombëtare, Hoxha, projektoi administratën e tij, që në ’90-ën, ishte më e arsimuar se ata që kishin vuajtur, e ai i kishte lënë të paarsimuar. Një pjesë e bijve të administratës së Hoxhës, kish qenë jashtë dhe kishin parë elementet e tregut. Një pjesë morën nga pasuria kombëtare, më shpejt, copat e mbetura dhe hynë më kollaj në lojën e tregut. Nepotizmi dhe dalja e shpejtë nga frika e ndëshkimit për krimet e vjetra, i bënë të guximshëm të avanconin në lojën e re, ku mundësitë, siç thashë, i kishin më të mëdha se për të vuajturit e të persekutuarit… Po të shtosh këtu edhe batakçinjtë që lindin në situata të tilla dhe e ndiejnë ngordhjen e kafshës, e kupton pse nuk duhet të merresh me legjenda të tilla.

Ishte e njëjta skenë si në Rusi, ku mundësitë e ndërmarrjeve shtetërore ishin shumë më të mëdha për të bërë plaçkë nga një vend shumë i pasur në rezerva. Kjo krijoi një administratë po më të pasur dhe më të korruptuar. Por, të paditur e të paskrupullt, si shumë prej të parëve të tyre, po i shkaktojnë vendit plagë po kaq, në mos më shumë se në të kaluarën.

Atyre  nuk u duhej Gorbaçovi, ashtu si tanëve nuk u duhej Ramizi. E pashë në Tiranë, kur Gorbaçovin, që duhet ta prisnin si shkatërruesin e komunizmit, nuk e priti asnjeri… Kam idenë e plotë, se, administrata e vjetër, por edhe e reja që mbartte shumë nga tiparet e të vjetrës, e urrente ashtu si dhe Ramizin. U kishte hequr mundësinë të mbretëronin si gjeli në pleh, qoftë edhe me pak gjë, po duke sunduar ama me qetësinë e një njeriu të ligë dhe të pagdhendur, që pavarësisht se është në krye të regjimit, mbetet i varfër në mendje dhe i paaftë të hollojë mendjen e racës së tij, apo për ta çuar atë, apo kombin e tij, përpara…

Për t’i dhënë fund kësaj ideje, ripërsëris se, legjenda e Katovicës, i shërben më së shumti ish-persekutorëve sesa vuajtësve. Kjo edhe për të mos kërkuar llogari për batërdinë që u bë me pronat, apo me idetë që duhet të çonin përpara vendin. Ide, që u zëvendësuan me lakminë dhe korrupsionin e parardhësve të rinj, që i dinin më mirë vrimat e shtetit dhe mundësitë për të bërë plaçkë, mbi kufomën e tij.

Gorbaçovi, mbush 90 vjeç, sot. Megjithëse, ai që është kurioz mund të lexojë përshtypjet nga takimi me të, kohë më parë, po rikujtoj dy episode të vogla. Sapo kish bërë një operacion në sy dhe katër baipase. Dukej se kishte ende shqisa të mira nuhatjeje. Ia kujtova këtë, kur po hanim darkë, duke i thënë se do t’i mjaftonte kjo shqisë dhe do rronte shumë… Vazhdon të rrojë.

Më dha përshtypjen e një njeriu të hapur, që e donte jetën. Por edhe të trembur nga administrata e re e Putinit, që dukej se e survejonte nga larg, sipas rregullave të vjetra, se mos bënte ndonjë gabim më të rëndë sesa duhej. Nuk m’u duk në lartësinë e Andreottit, që ishte një univers gjeniu dhe që mblidhte brenda, Tajlerand dhe Fushe. E që e kishte adoptuar këtë univers, në një formë që nuk kopjohet dot nga të tjerë…

A ke dëshirë të ftosh në Tiranë, Anatoli Karpovin? Apo, vetë Mihail Gorbaçovin?

Jemi ulur te “Sofra e ariut”, në Tiranë dhe Presidenti i Federatës Botërore të Shahut, Iluzhminov, që ka fytyrën tipike të mongolit, po mundohet të më bëjë qejfin. I intereson të bëjë kampionatin botëror individual të shahut për femra, në Tiranë dhe e di që kam njëfarë influence në këtë vendim, ngaqë e njoh presidentin e federatës tonë…

Anatoli Karpov, bashkë me Hose Raul Kapablankën, janë për mua, idhujt më të mëdhenj në fushën e shahut. Librin e Kapës, e kam mbajtur kohë të tëra në shkollë nën jastëk dhe shpesh, kur jam i trishtuar, i drejtohem atij. Librin e Karpovit, ma ka sjellë Ed Rama, dikur, në Lushnjë. E kopjova të gjithin me dorë, ngaqë nuk të lejonin ta mbaje për kohë të gjatë…

Dua t’i ftoj të dy, – i thashë Presidentit, i cili, pa e zgjatur, propozon si fillim Karpovin. Gjeniu i madh i shahut, që sot, me sa di, ka një funksion të lartë edhe në Dumën ruse, nuk mundi të vinte dhe më duhej ta takoja tre muaj më vonë, në Olimpiadën Botërore të Shahut në Norvegji… Mbetej Gorbaçovi. I thashë në telefon, duke qeshur, se na e kishte borxh të vinte në vendin, apo «dominonë e fundit» që ra nga koha e komunizimit.

Gorbaçovi qesh e po ashtu, thotë se nuk mund të vijë në një vend që i ka rrëmbyer dikur, çupat e bukura ruse… Nuk kisha lindur ende dhe nuk mbaj ndonjë përgjegjësi për to, ndërsa tani jam ca si plak, për të bërë zarare, – u përgjigja, po duke qeshur. Plaku i vjetër që është dhe presidenti i shahut në shkolla për gjithë botën, duket se e ka këtë ofiq të ri, dhuratë nga Iluzhminovi, apo, ndoshta, një kthim nderi prej këtij të fundit. Gorbaçovi e bëri atë deputet të BRSS, aty nga fundi i karrierës. Siç më thanë pak më vonë, kthimi i nderit ishte gjë e rëndësishme në një plan tjetër, për Gorbaçovin, i cili, rron me vështirësi dhe me të ardhura shumë modeste… Plaku më tha që do të vinte, por ndoshta në fundin e kampionatit botëror. Kishte bërë operacion në sy dhe mjekët ia kishin ndaluar fluturimin për disa ditë.

Ardhja dhe pritja komike

Gorbaçovin, nuk e pret njeri në aeroport, nga shteti. Njeriu që theu komunizimin, në fakt, është i padëshirueshëm nga palët, pavarësisht se nuk e thonë zyrtarisht këtë gjë… Në Gjermani, megjithatë, kam vënë re që e trajtojnë me respekt dhe këtë, ndoshta në Shqipëri, do të duhet ta bënin ca më shumë. I thashë Berishës dhe Ramës (që në atë kohë, ishte vetëm kryetar i PS-së)… Interesimi ishte i vakët, por kishte dhe arsye praktike. Unë isha i padëshirueshëm, në këto lloj pritjesh, për të djathtët.

Sponsori kryesor i udhëtimit dhe presidenti i federatës, Rezart Taçi, ishte interesant për të djathtët, për paratë që u jepte apo ia merrnin. Dhe gjysmë i padëshirueshëm, për të majtët… Punë dreqi. Berisha i dha një drekë private, më thanë më vonë, që për pak u njoftua në shtyp, por vetëm kaq. Po gjithsesi, në aeroportin e Rinasit, Gorbaçovin e famshëm, e prisnin vetëm dy njerëz…

Plakut të vjetër, që dikur kishte në dorë dhjetë mijë testata nukleare, me të cilat mund të zhdukej planeti në pak sekonda, nuk i bën përshtypje kjo indiferencë. Mendova që e kishte humbur fillin, kur pas disa minutash, në tavolinën e Rinasit, tha diçka që nuk kishte lidhje, të paktën me personat që e pritën…

– U thashë amerikanëve që kjo punë, nuk zgjidhej kështu… Duheshin bërë gjërat bashkërisht… I bënë vetëm dhe ja, tani le të korrin çfarë kanë mbjellë… Po llogarisja me mend, se duhet të ishte i lodhur. Jo vetëm udhëtimi me çarter nga Moska, por dhe diferencat në kohë me orën tonë, duhej ta kishin bërë të vetën… Pastaj, m’u kujtua plaku Balzak, që thotë se edhe mbretërit, nuk i lënë vetëm për vetëm, më shumë se pesëmbëdhjetë minuta audiencë me dikë, sepse tregojnë sekretet e shtetit… Ndoshta, Gorbaçovi ishte brenda profesionit të tij dhe nuk po na sqaronte neve. Diku kam lexuar se ish-presidenti i Izraelit, që kishte udhëtuar me Ajnshtajnin në një vapor për ditë të tëra, u ankohej miqve të tij, për takimin. – Ai nuk është mirë nga trutë, – tha për Ajnshtajnin. – Më foli pesë orë, për Teorinë e Relativitetit, derisa unë u binda që ai e kishte kuptuar.

Më duket, se kjo duhej të ishte e vërteta. Plaku nuk kishte punë me ne, por me veten e tij.  Për këtë, më bindi fare pak më pas. Ca minuta më vonë, duke pirë ujin «Lajthiza», bëri një vërejtje të hollë për të. – Është ujë mali,- tha. – Duhet të jetë nga lartësi mbi njëmijë metra. Kur në darkë, po prapë te «Strofa e arirut», pas një interviste që thuajse e la përgjysmë në televizion, nga lodhja e madhe, e po ankohej për shëndetin, i thashë:

– Kot e ke këtë merak (në fakt, i ka kaluar të 80-at dhe ka bërë nja katër baipase).

– Pse mendon kështu? – thotë.

– Sepse me vërejtjen mbi ujin që pive në mëngjes, tregon që ende ke shqisa të forta të ndijimit, siç i kanë dhe kafshët, çka do të thotë, se do jetosh gjatë. Në fakt, plaku po jeton akoma dhe herë pas here, bën edhe komente politike.

Po ndryshe nga ato që bënte kur e takova kohë më parë, kur dukej qartë se kishte një ndjenjë sa bezdie aq edhe frike nga Putini, i cili, e ka izoluar dhe e mban nën vëzhgim, së fundmi është pro qëndrimeve të shefit të Kremlinit. Në aeroport po më ngjante me ata pleqtë e frikësuar, që kanë frikë se mos u marrin diçka dhe shohin andej-këtej, se mos po i përgjon njeri. Kur ia thashë ketë përshtypje Kadaresë, nja dy ditë më vonë, më tha që kjo duhej shkruar.

Është ende vërtet i fortë. Në darkë, te «Sofra e ariut», vazhdon të pijë një koktejl të tmerrshëm, birrë dhe vodka, për tri orë rresht. Dhe, po për tri orë, këndon thuajse pa pushim dhe solo. – Kështu jemi ne rusët, – thotë – pimë, bëjmë dashuri dhe këndojmë…

Të nesërmen e kthimit

Megjithëse janë ditët e fundit të nëntorit, është shumë ngrohtë ende. Plaku, që nuk ka ndonjë kohë të saktë kthimi për avionin, pasi ky i fundit është në dispozicion të tij, nuk ka qejf të ngrihet. I duket ngrohtë shumë dhe duke i kthyer kurrizin diellit thotë:

– Njëzet e pesë vjet më parë, si sot, mora detyrën në Kremlin. Dhe ishte shumë-shumë gradë nën zero…

– Po, njëzet e pesë vjet më parë, – i them dhe unë – po të shihja në një qafë mali andej nga Çika e Vlorës, ku kërkonim naftë. Si me biografi të nxirë, nuk më lejohej të hyja në zyrë, ku televizori po të komentonte nëpërmjet dy analistëve, njëri nga lindja e tjetri nga perëndimi. Të dy kishin idenë, se të duheshin nja pesë vjet që të merrje realisht frenat në dorë, apo të të bindeshin të tëra sustat e sistemit… Në fakt, pas disa vjetësh kishte mbaruar gjithçka dhe sistemi ra i gjithi, bashkë me ty…

Gorbaçovi nuk komenton gjatë, për këtë. M’u duk se mund të fillonte prapë, me atë idenë se ia kishin hedhur amerikanët etj., etj. Nuk i thashë gjë… Në Gjermani, ku isha ca kohë refugjat, pas 90-ës dhe po ndiqja fatin e tij, m’u duk se e kishte improvizuar vetë «grushtin e shtetit». Nuk më dukej çudi e madhe. Paraardhësit e tij, nga Ivani i tmerrshëm e deri te Stalini në Luftën e dytë, kishin improvizuar shaka të tilla për rifitim të pozicioneve të humbura… Kufizohem t’i them se e hodhi në erë administrata e tij komuniste që, po ashtu si te ne në Shqipëri, e ndjente që kishte humbur njëherë e mirë privilegjet e sistemit. Ajo të lë vetëm, kur nuk i hyn më në punë dhe t’i bën pluhur e hi, të tëra ëndrrat.

Po ndoshta, plaku ka të drejtë… Megjithëse perëndimi po e lëvdonte si demokrat, në thelb e kishte frikë këtë që ai po bënte. Rusia po i flakte gjithë skllevërit e lindjes komuniste, që dikur i kishte shfrytëzuar e tani duhej t’i mbante me bukë, se ata nuk punonin më…

Pa ata, Rusia mund të bëhej vërtet më e fuqishme. Dispononte tërë pasuritë e botës dhe zmadhimi i territoreve ishte pa vlerë… Në realitet, shumë prej ish-republikave që i kërkuan pavarësinë, u rihodhën përsëri në gjunjët e Jelcinit, pak kohë pas shkëputjes nga BRSS. Rusia kishte gazin dhe naftën, grurin dhe pyjet, etj. Pasardhësi i tij i sotëm, e ndjen këtë lloj epërsie. Por, po aq i paaftë si gjithë soji i vjetër i ish-komunistëve të paaftë në ekonomi dhe brenda zanatit të vjetër të ish-spiunit, ka zënë e mendon prapë për territore…

Nuk mund t’ia shpjegoj, apo ta bezdis Gorbaçovin me këtë mendim, me rusishten time që është e pamjaftueshme për t’u futur në lojën konceptuale. Gorbaçovi fillon të flasë për letërsinë dhe për politikanët e vendit tonë… Nuk e njihte politikën tonë të vjetër, ashtu si mendohet këtu. Nuk e njihte as Ramiz Alinë, por diku thotë, se e shoqja kishte në kurs shqiptarë dhe përmendi, më duket, njëfarë Enver Halili, në mos gaboj, të cilin e kishte njohur në këto kurse. Pason njëfarë heshtje dhe Iluzhminovi i thotë:

– Shpëtimi, zoti President, është çmendur përfundimisht. Kërkon ta lidhësh me ca mjeshtra të fizikës, për ta ndihmuar… A do ta ftosh në Moskë, që t’i takojë atje? Gorbaçovi më sheh i menduar, kur i shpjegoj se çfarë kërkoj dhe thotë:

– Lagunini, që ishte mik i vjetër dhe rektori i universitetit shtetëror, ka vdekur disa muaj më parë nga zemra… Ai kishte bindje analoge me të tuat… Po mund të vish e të më takosh. Po pastaj, shton i menduar: – Nëse më kap vërtet, në Moskë… – Përse, nuk të kap nëse vij? – i them (dhe vërtet, shkoj pas disa kohësh në Moskë dhe e takoj).

– Po, ja, më shëtisin andej-këndej,- thotë, duke qeshur me trishtim… – Si nëpër ekspozita. (Tha edhe ca gjera të tjera, që nuk dua t’i shkruaj këtu, sepse, më shumë se të trishtojnë, nuk bëjnë gjë tjetër). Mund të them vetëm, se, ajo që shtoi për këtë temë, më kujtoi një letër që Ajnshtajni ia dërgonte mikut të tij të rinisë, Sollovinit, që e kish përkthyesin e tij deri në vdekje.

“Këtu në Amerikë, – thoshte – jeta është si në Evropë. Duhet të punosh shumë, që mos të të arrijë varfëria… Mua ende më respektojnë, po vetëm si një eksponat të vjetër muzeu, që ua tregojnë të tjerëve. Ende mund të mendoj, por aftësia për punë më ka rënë… Dhe, tek e fundit, nuk është kaq keq të vdesësh. Është fati i individëve, të mëdhenj a të vegjël. Dikur, pas 90-ës, çova në kopshtin e shtëpisë, te dy prindërit e mi të moshuar, një ish-koleg të Gorbaçovit, Ramiz Alinë. -Ky njeri ju ka marrë më qafë, për shkollën e djemve tuaj – u thashë. – Ju i shkruanit letra pa pushim, por ky nuk përgjigjej. Ja ku e keni, vriteni… – dhe qesha.

Pleqtë e shihnin me çudi. Por, pas nja dhjetë minutash, gjithçka ishte zgjidhur; ime më i mbështolli gjysmë kile raki Skrapari, që ta pinte meqë ishte sëmurë nga zemra. Punë fatesh njerëzore! E përcjell përsëri në vetmi Gorbaçovin, duke kujtuar edhe një herë, atë grykën e Malit të Çikës, ku nga dera gjysmë e hapur dëgjoj komentatorët, që flasin për sunduesin e ri, të gjysmës së botës. /Konica.al/