MENU
klinika

“Amerikanët nuk u ndalën as nga kërcënimet e ushtarakëve rus”

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo tregon takimet në Bruksel…

25.03.2021 - 15:48

Ish-ministri i Jashtëm në vitin 1999, Paskal Milo, protagonist si kryediplomati i Shqipërisë gjatë krizës së Kosovës, rrëfen në librin e tij “Ditari i një Ministri të Jashtëm [Konflikti i Kosovës (1997-2001)]” situatën politike dhe diplomatike mbi të cilat u zhvilluan ngjarjet.

Gazeta “Panorama” po boton sot disa pasazhe nga shënimet e profesor Milos, i cili ditën që nisin bombardimet e NATO-s mbi Serbi ndodhej në Bruksel ku kishte kërkuar një mbledhje në Këshillin e Aleancës Euroatlantike ku do të kërkonte siguri dhe garanci për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë nga ndonjë kundërreagim serb.

PASKAL MILO

LUFTA PO TROKET NË DERË!

24 mars 1999

Sonte do të jem në Bruksel. Nesër është takimi ynë me këshillin e NATO-s. Ai u kërkua nga unë ditën e diel, 21 mars, për të shqyrtuar bashkëpunimin Shqipëri-Nato, në kuadrin e konfliktit në Kosovë dhe të rrjedhojave që ai sjell për ne. Kërkojmë siguri për integritetin territorial dhe ndihmë për të përballuar një fluks të mundshëm refugjatësh nga Kosova si rezultat i reprezaljeve të reja serbe. Nga e diela deri sot ka pasur ngjarje intensive dhe ne ndodhemi realisht në prag lufte.

Të dielën thirra ambasadorët e vendeve të NATO-s në Tiranë. Ne emër të qeverisë shqiptare u shpreha shqetësimin për situatën në Kosovë, për mundësinë e një spastrimi etnik, për provokacionet serbe dhe rrezikun e një agresioni serb ndaj Shqipërisë. U kërkova ndihmë logjistike dhe humanitare. Mesazhet i përcollën menjëherë.

Ditën tjetër filloi interesimi i drejtpërdrejtë për propozimin tonë për mbledhjen me NATO-n. Departamenti i Shtetit kërkoi më shumë detaje dhe arsye se përse ne e kërkonim mbledhjen, të cilat ne i përcollëm përmes ambasadorit Bushati. Edhe italianët, turqit etj. e mbështetën këtë propozim. Mbrëmë na erdhi përgjigjja nga Departamenti i Shtetit. Sot, Solana, në përgjigje të letrës time, më njoftoi se nesër, në orën 16.30, në selinë e NATOs në Bruksel, do të mbahej mbledhja NATO-Shqipëri.

Të hënën me porosi të Klintonit, Hollbruk shkoi në Beograd për herë të fundit, për të bindur Millosheviçin për të pranuar marrëveshjen për Kosovën. Qëndroi dhe të martën deri pasdite, por nuk arriti ta bindte Millosheviçin. Klintoni e urdhëroi të kthehej dhe mbrëmë në darkë, Këshilli i NATO-s mori vendimin përfundimtar për të vënë në jetë variantin e parë kundër Beogradit, bombardimin nga ajri të infrastrukturës jugosllave. Solana ia përcolli urdhrin gjeneralit Klark.

Që mbrëmë e gjithë bota priste nga ora në orë fillimin e bombardimeve. Tani që po shkruaj ndoshta aeroplanët e NATO-s janë në përgatitjet e fundit. Beogradi po e mobilizon vendin për luftë. Retorika nacionaliste ka arritur kulmin. Nga ana tjetër, SHBA-ja, veçanërisht Klinton dhe Britania e Madhe, kanë shprehur një vendosmëri të plotë për të ndëshkuar Millosheviçin. Edhe gjermanët janë të vendosur, më pak francezët dhe më keq italianët e kanë konfliktin te dera e shtëpisë.

Rusët u përpoqën që punët të mos shkonin deri këtu. Jo aq se nuk ishin në gjendje të bindin Millosheviçin, se sa nuk donin të krijohej një precedent i rrezikshëm që nesër mund të përdorej kundër tyre në Rusi, ku Çeçenia është rasti më tipik. Por ata kanë dhe arsye të tjera, siç janë ato historike, minimi i influencës tradicionale në rajonin sllav të Ballkanit, rrudhja e hapësirës së influencës, goditja e prestigjit dhe e krenarisë së superfuqisë ushtarake që mund të mbrojë aleatët e vet.

Por sfida më e madhe për rusët është NATO-ja, ndërhyrja e saj në mënyrë të njëanshme, pa konsensus, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo është një goditje e madhe për ta në planin gjeostrategjik. Sipas tyre, sulmi shkatërron strukturën e sistemit të sigurimit ndërkombëtar (OKB-KS) dhe atë të sigurisë europiane (OSBE). Një veprim i tillë përsëri për rusët është një precedent ndjellakeqës.

Gjatë gjithë javëve të fundit, rusët kanë kërcënuar se do të reagojnë shumë ashpër dhe me vendosmëri në rast se NATOja do të godasë Jugosllavinë – një vend sovran dhe i pavarur. Jelcin i ka dërguar një letër Klintonit para disa ditësh. Primakovi bëri mjaft deklarata, po kështu Ivanovi, Duma dhe disa ushtarakë rusë. Përfundimi është se ata nuk i ndalën amerikanët dhe NATO-n në veprimin e djeshëm. Përkundrazi, ky veprim ishte një sfidë e hapur dhe e madhe për rusët, madje një fyerje që do të jetë jo e lehtë për t’u gëlltitur prej tyre. Ishte një sfidë personale edhe për Primakovin, i cili ishte duke fluturuar për në SHBA, kur u dha njoftimi i NATO-s.

Në Moskë u mblodh Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe Këshilli i Sigurimit nga ku dolën edhe deklarata të nxehta dhe kërcitje dhëmbësh. Por mendoj se rusët nuk do të shkojnë më larg. Ata kanë shumë halle të tjera, veçanërisht përballimin e kaosit ekonomik. Jelcin sot i ka telefonuar Klintonit dhe i ka kërkuar edhe një përpjekje tjetër për zgjidhje politike të krizës. Ai e ka bërë gjithashtu të qartë se nuk do të ketë veprime ushtarake nga ana e Rusisë. Amerikanët kanë shkuar shumë përpara dhe nuk duket se mund të kthehen mbrapa.

LUFTA PO NA TROKET NË DERË! DERI DJE SHUMICA E SHQIPTARËVE NUK E VLERËSONIN REALISHT SITUATËN

Dje dhe sot jemi mbledhur si qeveri çdo tri-katër orë. Po përgatitemi për më të keqen. Mund të përfshihemi në luftë fare lehtë. Serbët për hakmarrje mund të godasin jo vetëm në zonat kufitare, por edhe më thellë. Përgatitja ushtarake ka kohë që ka filluar. Divizioni i Kukësit është përforcuar dhe me forca të tjera.

Rreziku më shumë vjen nga goditjet ajrore me raketa. Po marrim masa dhe për mbrojtjen civile, sektor që ka qenë jashtë kujdesit këto vitet e fundit. Këto masa veç të mira kanë! Ndonëse Solana, por edhe amerikanët dërguan mesazhe të qarta se ata garantojnë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.

Përveç kësaj, për herë të parë shqiptarët kanë në mënyrë të qartë pranë tyre si aleate SHBA-në, që aktualisht është fuqia më e madhe botërore. Pavarësisht nga synimet, interesat shqiptare dhe amerikane janë puqur aktualisht.

FILLUAN BOMBARDIMET AJRORE TË NATO-S

Bruksel, 24 mars

Ambasadori ynë Artur Kuko më njoftoi se NATO kishte filluar bombardimet ajrore kundër qendrave kryesore të kapaciteteve jugosllave si në afërsi të Beogradit, në Novi Sad, Podgoricë dhe në afërsi të Prishtinës. Po ndjek CNN-nin, deklaratat e Klintonit dhe konferencën e shtypit të U. Kohen, Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen. Ata deklarojnë se bombardimet do të vazhdojnë deri në arritjen e objektivave të përcaktuara.

Fola me Tiranën, me Xhufin, Sulon, Minxhozin. Në orën 24.00 ka një mbledhje tjetër të qeverisë. Beogradi ka bërë një deklaratë, sipas së cilës, 25 aeroplanë të NATO-s kanë kaluar nga hapësira ajrore e Shqipërisë.

Nesër do të flas para Këshillit të NATO-s. Në orën 12.00 do të jem për drekë me ambasadorin amerikan në NATO. Duhet të përgatitemi për mbledhjen. Duhet të dimë se çfarë kërkojmë dhe si ta paraqesim. Beogradi shpalli sot se ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën. Por jo me Italinë! Po me Shqipërinë, a do t’i presin marrëdhëniet?

NATO-JA GARANTON SOVRANITETIN DHE INTEGRITETIN E SHQIPËRISË

25 mars

Mbledhja e Këshillit të NATO-s kaloi shumë mirë. Para kësaj, në orën 11.10 u takova me ambasadorin amerikan, i cili dhe një herë tjetër garantoi sovranitetin dhe integritetin e Shqipërisë. Foli për rolin që duhet të luajë NATO-ja në rastin e Shqipërisë dhe për ndihmat humanitare.

Tha se Millosheviçi nuk mund të mbajë peng marrëdhëniet ruso-amerikane. Kjo frazë më bëri përshtypje dhe më dha të kuptoj se amerikanët e dinë mirë se deri ku mund të shkojnë rusët.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Solana, më priti shumë ngrohtë. I thashë që të përsëriste dhe një herë garancinë për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë, gjë që e bëri. Foli shumë mirë dhe vlerësoi qëndrimet e qeverisë sonë në çështjen e Kosovës. Këshilli na mbështeti, por situata në Kosovë është keqësuar shumë. Bombardimet ndaj objektivave ushtarake janë intensifikuar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN