Parlamenti kinez i dha dritë jeshile planit për të ndryshuar sistemin zgjedhor të Hong Kongut, një tjetër shenjë kjo se Qeveria në Pekin nuk do të tolerojë më disidentët në këtë qytet.
Ndryshimet synojnë që përgjegjësinë për udhëheqjen e Hong Kongut ta lënë në duart e të ashtquajturve “patriotë”, siç pohoi dhe vetë kryeministri kinez Li Keqiang.
Këto veprime ndodhin në kohën e shtypjes së lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong. Zyrtarët kinezë e kanë bërë të qartë se besnikëria ndaj Partisë Komuniste do të jetë çelësi për të vendosur nëse një banor i Hong Kongut është “patriot”. Ligji i propozuar do t’i ofronte mundësi Komitetit pro-Pekinit që të ketë fuqinë e vetos ndaj të gjithë kandidatëve për Parlamentin e Hong Kongut dhe të zgjedhë shumicën e anëtarëve.
Ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab u shpreh se kjo iniciativë “nuk do të lërë hapësirë për debat demokratik në Hong Kong, në kundërshtim me premtimet e bëra nga Kina”. Kritikët tjerë kanë thënë se ndryshimet do të pamundësojnë rolin e opozitës.
Hong Kongu është ish-koloni e Britanisë së Madhe dhe tani është pjesë e Kinës. Ky qytet funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”, që nënkupton se ka sistemin e vet ligjor dhe të drejtat tjera, përfshirë të drejtën e shprehjes dhe shtypit të lirë.