Komisioneri evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi ka thënë se mezi presin të punojnë me Qeverinë e re në Kosovë.
Ai shpreson se do të shohin më shumë stabilitet politik në periudhën e ardhshme, si dhe Kosova të mund të përshpejtojë procesin e reformës.
“Shpresojmë të shohim më shumë stabilitet politik në periudhën e ardhshme, në mënyrë që Kosova të mund të shpejtojë procesin e reformës, përfshirë në fusha të tilla si sundimi i ligjit dhe zhvillimi socio-ekonomik. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në agjendën e saj evropiane”, ka potencuar komisioneri Varhelyi.
Ai gjatë “Forumit Ekonomik të Tiranës” që po mbahet online ka folur edhe rreth procesit të vizave për kosovarët.
“ Në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Komisioni vlerëson se të gjitha kushtet janë përmbushur. Sidoqoftë, jo të gjitha shtetet anëtare janë bindur ende. Prandaj, ne inkurajojmë autoritetet e Kosovës t`i drejtohen vendeve anëtare të BE-së për të adresuar shqetësimet e mbetura”, ka thënë Varhelyi.
Duhet theksuar se Kosovës i është thënë edhe më herët se ka plotësuar kriteret për viza, por liberalizimi nuk kaloi filtrat e nevojshëm.