Poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, dhe publicist i shquar arbëresh, Zef Skiroi, u lind në Hora të Arbëreshëve më 10 gusht 1865, ka vdekur në Napoli, 17 shkurt 1927.
Atdhetar i madh shqiptar, dijetar dhe koleksionist i traditave poetike arbëreshe, profesor i parë dhe kryetari i gjuhës shqipe dhe letërsisë në Institutin Oriental të Napolit. Ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, ai është përfaqësuesi më i traditave arbëreshe letrare dhe kulturore të Siçilisë, të cilët lënë një dalje të gjerë letrare.
Më 31 mars të vitit 1887, Zef Skiroi së bashku me Françesko Stasi Peta botoi në qytetin e Napolit, revistën jetëshkurtër “Arbri i Rii”.
Synimi i Skiroit dhe i bashkëpunëtorëve të tij, ishte zgjimi i ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, shfrytëzimi i gjuhës shqipe si faktor uniteti, propagandimi i çështjes shqiptare e të Shqipërisë. Revista vijoi vetëm për tre numra, por në të botuan emrat më të shquar të botës arbëreshe.
Në këtë revistë, Skiroi i dha një rëndësi të madhe botimit të krijimeve letrare arbëreshe, sepse letërsia dhe në veçanti poezia, ishte opusi kryesor i tij.
Me vlerë madhore si për letërsinë arbëreshe, ashtu edhe për studimet letrare shqiptare janë veprat e Zef Skiroit, i cili shte poet neoklasik, prozator dhe studiues, veprat e të cilit mund të thuhet se shënojnë kthesën drejt letërsisë bashkohore shqiptare në Itali.
Në poemën Mino, që Skiroi e shkroi në fund të jetës dhe krijimtarisë së tij, autori këndon e vajton vrasjen e djalit të tij, Minos, nga vendasit arbëreshë të Pianës, më 1920. Mino mbahet si kryevepra poetike e Skiroit, për ndërtimin e rrallë formal dhe poetik, si dhe për shprehjen aq personale e të fuqishme të ndjenjave e të dhimbjes së tij. “Mino”, krahas cilësimit si elegji për djalin, cilësohet edhe si elegji, apo traktat për jetën njerëzore në rrethanat arbëreshe – shqiptare.
Pjesë të shkëputura nga poema:
Mino
…Lëvdohu, o Pjanë, se nga të gjitha u ndave,
ç’janë arbëresh e të huaj katunde,
një trim të njomë dhe të lidhur e vrave,
ndonëse zemrën e tij aspak s’e tunde.
Thellë e më thellë në baltë ti shkave
dhe në të hiqte në ligësi ti munde
aq sa fitove nam ngado ka jetë
e prej vrasësish je mallkuar shpellë.
……………………………………………………
Me dashuri të madhe t’bëra kezë
e ti më dhe prej gjembash një kurorë,
me penj ari, nga malli për ty ndezë,
një napë të qëndisa me këtë dorë,
po ma shpagove më cohën e zezë,
për nder tënd s’pyeta as vapë, as borë
e ti s’më ndjeve, s’më pe kurrsesi,
aq shumë të desha e djalin ma vrave ti.
………………………………………………………
O Mirditas, o burra e ku ishit ju?
Të më ndodheshit s’do isha kështu!
I madh ky ngashërim, bir që më mbyt,
e madhe gozhda që në gji m’u fut
dhe në i parrëfyeshëm fat i yt
për këngë trimërie këngëtarin lut,
po të lëvdoj me nyje vaji në fyt
e kënga brengën time aspak s’e zbut
se për nder tënd e ndritura lëvdatë
atdhetarin gëzon, po shtyp një atë.
………………………………………………………
Vërtetë më shtyp, po më bën krenar
sepse trima si ti ndesh shumë rrallë,
se ti, romak, dhe gjithashtu shqiptar
së vjetrës derë që kurrë s’pat të sharë,
lavdinë i shtove kur re fitimtar;
kur për atdhe ti dhe jetën e shtrenjtë
mbështjellë me flamurin t’liris së shenjtë.
Pa lëvizur nga vendi, e mjera nënë
as flet, as qan, s’përgjigjet e s’rënkon,
në faqe e zbehtë si një dimërore hënë
kur i borës savani dheun mbulon,
me sy hapur, po me perde zënë,
zbrazësinë vëren e asgjë s’shikon,
po herë-herë ngjethet dhe fshan:
“O bir, o djali im, pse të vranë?”
Si zogj që trimbi shkreptinë në re
kur shkrep stuhia me rrëmbim në maj
e bashkë me t’ëmën dridhen në fole
ashtu të vegjëlit rrinë pranë saj,
gjëma e papritur të flasin s’i le
e nuk guxojnë as të shkrihen në vaj,
s’guxojnë as të pyesin për atë vëlla,
po në heshtje brengën zemrën ua ha.
Seç i shkulë flokët e shpleksur të bardhë
gjyshja plakë, vajton e thotë: “O bir,
dy herë bir e si m’u nise vallë
në atë udhë që ndiqet me pahir
e të përpinë ty gropa me baltë
e jo mua që të prehem kam dëshirë
nuk deshi Zoti e të rrëmbeu në qiell,
si një stuhi që gjithësinë mbështjell.
Dhe unë vet them: Ju që më vini
për kryeshëndoshë e të më ngushëlloni
ju faleminderit me zemër, të dlirë,
po fjalë të më zbusni mos kërkoni,
vetëm ju lutem, po qe se e dini
mos më fshihni dhe hapur të më thoni:
Ç’faj i pata fshatit vallë unë i ngrati,
që zemrën ma këputi e dhimbje s’pati?
Ç’i bëra Pjanës që ashtu m’paguan?
…Me punë e jo me dokrra e nderove.
Ç’i bëra Pjanës që ashtu më gjuan?
…Nga armiqtë e saj e mbrojte dhe
Ç’i bëra Pjanës që haren’ më shuan?
…Të kishe dritë e mirësi u mundove.
Nga të Pianës tim bir, pra, pse e vranë?
…E vranë të liqtë, por të mirët e qajnë.