MENU
klinika

Si llogaritet?

Kushti për të përfituar pensionin e pjesshëm

02.03.2021 - 14:10

Krahas përfitimeve të plota dhe të reduktuara, në skemën e pagesave të invaliditetit përfshihen edhe përfitimet e pjesëshme.

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, çdo person që bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike, duke përfshirë edhe verbimin, ka të drejtë të marrë pension të pjesshëm invaliditeti.

Kjo lloj pagese mund të përfitohet vetëm në rastet kur individi ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit të përcaktuar, dhe kur për çdo arsye, përveç aksidentit në punë dhe sëmundjes profesionale, bëhet i paaftë të kryejë punën e fundit, por mund të punojë në kushte të veçanta pune.

Shkalla e invaliditetit dhe puna që do të kryejë i siguruari, përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).

Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror.

Pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 përqind e pensionit të plotë të invaliditetit. Ai llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i plotë i invaliditetit.

Për të përfituar pension të pjesshëm invaliditeti përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pjesshëm invaliditetit. Së bashku me kërkesën për përfitim, aplikuesi duhet të paraqesë edhe dosjen e dokumenteve të përcaktuara ku duhet të përfshijë: Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin, dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës, dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara, si dhe dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore.

Ky dokumentacion i dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili pas verifikimit të nevojshëm njofton datën për të kaluar në KMCAP. Në rastet kur dosja ka mangësi, ajo i kthehet mbrapsht aplikuesit për plotësimin e tyre.

Më pas KMCAP në mbledhjen e tij shqyrton paraprakisht dokumentat, njofton dhe ekzaminon të sëmurin, merr vendimin përkatës jo në prani të tij, dhe kryetari i KMCAP-it ia komunikon zyrtarisht të sëmurit gojarisht dhe nëpërmjet vërtetimit tip. Kundër këtij vendimi i sëmuri ose invalidi mund të ankohet tek komisioni epror. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në DRSSH përkatëse.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Propozimet e Raportit të Bankës Botërore për Shqipërinë

Si do t’i ruajnë kompanitë vendet e punës?