MENU
klinika

Igli Tola, Pedagog Ekonomie

‘Lavanteria’ Albania

01.03.2021 - 15:07

Pastrimi i parave, për ca kohë qe tema kyçe në çdo tryezë bisede. Debat që u inicua nga një sërë përgjimesh të publikuara, realizuar nga prokuroria italiane.

Ama siç ndodh gjithmonë, ‘çudia më e madhe zgjat 3 ditë’ e ‘çudira’ të reja i zunë vendin asaj të pastrimit të parave. Aq më tepër që asgjë më nuk na bën përshtypje, edhe ‘çudia – batardia’ më e madhe na duket normalitet. Sikur edhe për tema të tjera po kaq ‘alarmante’ përsëritet po i njëjti ‘rreth vicioz’: Flitet shumë, aludohet, akuzohet; por shumë pak e shohin problemin në gjenezë. Nuk pyetet përse ka kaq shumë para të pista (ilegale) në Shqipëri dhe jo pse pastrohen paratë e pista.

‘Paratë e papastra’ vijnë kryesisht nga 2 burime kryesore: aktiviteti kriminal i grupeve shqiptare kryesisht në narkotikë dhe korrupsioni në nivele drejtuese të politikës dhe biznese të lidhura me to nëpërmjet tenderave, konçensioneve etj.

Ndalemi te fluksi i parë, raporti i Zyrës së OKB-së për Drogën (UNODC), na bën me dije se Shqipëria zinte 24% të tregut të kanabisit në Evropën Perëndimore dhe Qendrore, dhe 61% të tregut në Evropën Juglindore. Përgjatë këtij viti në Shqipëri u asgjësuan 2.5 milionë rrënjë kanabis ose 40-45% e prodhimit. Ndërkohë, bimët e prodhuara dhe të hedhura në treg përllogariten në 3.2 milionë rrënjë, me një vlerë mbi 2.2 miliardë Euro ose pak më shumë se 20% e PBB-së sonë.

Europol në raportin e përpiluar për KE-në, gjatë po këtij viti tregon se heroina zë vendin e dytë për nga volumi i tregtuar dhe trafikuar në dhe nga Shqipëria, duke sjell afro 28% të të ardhurave të këtij tregu; kurse kokaina rezulton në vlerën 24% (1.2 miliard Euro). Kështu, po të mbledhim të ardhurat që vijnë nga drogërat e forta dhe kanabisi, qarkullimi vjetor i këtij sektori illegal llogaritet në skenarin më racional që i tejkalon 4 miliardët Euro në vit.

Ndërsa, niveli i lartë i korrupsionit, sidomos në prokurimet publike është i konfirmuar nga një sërë raportesh ndërkombëtare, duke filluar nga Transparency International, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Evropian; të cilët flasin për një rënie të Shqipërisë me 7 vende në renditjen vjetore (sipas Transparency International) duke u renditur e 106-ta; dhe përhapje të korrupsionit në të gjitha nivelet drejtuese të qeverisjes (DASH).  Për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, edhe ekonomia informale është shumë prezente. Nga 1991-2018 niveli i saj mesatarisht ka qenë 32.7% e PBB-së. E kur shumë ekspert flasin që në realitet ajo e tejkalon 50% të PBB-së.

KLSH-ja raporton se buxheti i shtetit ka pësuar një dëm financiar afro 6 miliard Euro nga keqmenaxhimi i financave publike, abuzimit  me prokurimet, shkelje gjatë proçedurave të shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë së shtetit. ¼ e fondeve publike janë dhënë në kushtet e një ofertuesi, duke rritur kështu premisat për favorizime klienteliste.

Kështu, që vetëm nga këto 2 veprimtari ilegale xhirohen mesatarisht 7 miliard Euro në vit, nga të cilat një pjesë e mirë ngelet në ekonominë tonë për tu investuar, konsumuar etj.  

E teksa arrijmë të konkludojmë në një total mbi fluksin monetar të gjeneruar nga ‘ekonomia e zezë’ në Shqipëri, logjikisht aktorët e këtij tregu do të përpiqen të gjejnë mundësi për ti ‘përfshirë’ ato në treg. Atraktiv janë ndërtimi dhe shërbimi.

Në vetëm 3 vitet e fundit në Tiranë janë dhënë 976 leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 3.155.000 m², kurse në gjithë Shqipëri janë miratuar leje për rreth 5 milion m². Gjatë vitit 2018 u firmosën 388 leje ndërtimore, një sipërfaqe prej 940.348 metra katrorë. Një vit më pas edhe pse u miratuan 15 leje më pak, por sipërfaqja arriti në 1.4 milionë metra katrorë. Shifrat janë të afërta edhe në vitin 2020 edhe pse gjithçka u ndërpre si pasojë e pandemisë. 215 leje ndërtimi me një sipërfaqe prej pak më tepër se 758 mijë metra katror.

Që ndërtohet është shenjë e mirë për ekonominë, pasi ka vlerë të shtuar, punësim, zhvillim të sektorit të imobiliareve etj. Ama, si çdo industri tjetër edhe ndërtimi i nënshtrohet rregullit “Kërkesë-Ofertë”. Për ofertën folëm, të ndalemi shkurtimisht te disa të dhëna sintetike për ofertën.

INSTAT, na thotë se popullsia në Tiranë u shtua me 10 869 banorë (2019) dhe 10 714 banorë (2020). Po ta marrim me numër familjesh, duke prezumuar apriori që një familje ka katër anëtarë, atëherë do të kishim afërsisht 5 395 familje të reja në këtë periudhë. Sikur të gjitha të kishin mundësi të blinin shtëpi (?!) do t’u duheshin jo më shumë se 539 550 metra katrorë për banim (sikur të gjithë të merrnin një shtëpi 3+1, me sipërfaqe bruto 100 m²). Shifër shumë e ulët po të merret për bazë se vetëm në 2019 u dhanë lejë për 1.5 milionë metër katrorë leje ndërtimi.

Një tjetër pyetje që mund të ngrihet me të drejtë është sa janë mundësitë e këtyre familjeve apo qytetarëve për të blerë një shtëpi në Tiranë? Sipas të dhënave zyrtare, çmimi mesatar për apartament shkoi 1000 Euro/m²; ndërsa pagat dhe të ardhurat e qytetarëve nuk është se kanë ndryshuar kushedi sa, vetëm 5% e të punësuarve kanë pagë bruto mbi 1000 Euro/muaj.  Kaq pak fakte mjaftojnë besoj për të kuptuar kush i blen apartamentet në Tiranë, sidomos kur shiten edhe me 3000 – 4000 Euro për metër katror?

Duke konsideruar edhe faktin që remitancat kanë qenë në rënie dhe atraktiviteti i ekonomisë sonë për biznese të huaja nuk ka shënuar progres sinifikativ (raportet vjetore të Doing Business); na bind se kërkesa për ndërtime as nuk i afrohet 20-30% të ofertës.

Shqetësuese nuk është vetëm fakti i mospërputhjes së kërkesës me ofertën, por edhe ‘cilësia’ e ofertës në ndërtim. Prej disa

vitesh bankat e nivelit të dytë në Shqipëri (10 nga 12 bankat që operojnë në treg) kanë bërë publik efuzimin për të kredituar këtë sektor përr shkak të riskut të lartë që mbart ai. Ndaj, auditim nevojitet për burimet e financimit 140 kompantë (shoqëritë) që përfituan leje për të zhvilluar ndërtime mbi 3.6 milionë metra katrorë në tre vitet e fundit në kryeqytet? Shpesh me kapital shumë modest, me humbje apo pa të ardhura ia dalin të ndërtojnë me kosto miliona euro. Risk i madh besoj? Apo më konkretisht si ka mundësi që një kompani e themeluar 3-4 vite më parë, me kapital as 100 mijë lekë, merr tre leje ndërtimi, për projekte disa miliona eurosh në qendër të Tiranës?

Ndërtimi, pavarësisht se të gjithë e shohin si ‘të keqen e madhe’, nuk është i vetmi sektor që përdoret si ‘lavatriçe’. Nqs duam ti identifikojmë të tjerët është punë e kollajtë. Mjaftojmë të shohim ku ka shkëlqim glamuroz, publicitet marramendës, apo investime me 5 yje e lajle-lule të praruar; e nga krahu tjetër nuk kanë asnjë klient gjatë gjithë ditës.

Igli Tola,
Pedagog Ekonomie