MENU
klinika

Preç Zogaj

Lista, dita e popullit ende larg

10.03.2021 - 12:43

PREÇ ZOGAJ

Falë  presingut të ambasadores së SHBA, zonjës Juri Kim, por edhe falë  shembujve  nga zgjedhjet e  mëparshme,  ku gënjeshtarët  i kanë parë sherrin fshehjes së të kaluarës,  gjasat  janë  që të mos ketë  në  këto zgjedhje  nuk do të këtë kandidatë, CV-të e  të cilëve bien  ndesh me ligjin e dekriminalizmit.

Ndërkaq nuk është shumë e qartë çeshtja e kandidimit të personave që mund të jenë në listën e  zezë të SHBA-së. Për këtë pikë mund të sqarohemi kur  zonja Kim  të shprehet për listat në dritën e kërkesave amerikane.

Sidoqoftë,  duket qartë se kësaj radhe nuk do të kemi  nepër lista kandidatë të dënuar si narkotrafikantë apo  të përfshirë në  vepra të  penale  të parashkruara në ligjin e dekriminalzimit. Merr fund kësisoj eksperimenti   pa precedent  i kryeministrit Rama për promovimin e narkotrafikantëve në  politikë.  Përtej kësaj arritjeje, tabloja e  është pak a shumë si çdo herë tjetër qëkurse  Shqipëria  voton me  ligjin zgjedhor  në fuqi, proporcinal –rajonal me lista  të hapura sa vrima e gjilperës, de fakto të mbyllura.

Ka deputetë që rikandidohen për të disatën herë, ka anëtarë forumesh apo mbështetës të partisë e kryetarit  që kandidohen  për herë të parë fale kontributeve të tyre politike-mediatike; ka  aty këtu  individë pa parti, me shkolla të mira dhe karrerë  të mirë, kandidimi i të cilëve ushqen   retorikën e  qarkullimit të elitave,  kënaq  nevojat e kryetarëve  për  operacione imazhi dhe lejon nga ana tjetër të “humbasin” në  pyllin e larushive  njerëzit  e  kupolave  që ndajnë me kryetarët  pushtetin real në partitë tona  kryesore.

Fakti është se  Shqipëria  po shkon sërish  në zgjedhje pa trasparencë për  njerëzit  e këtyre kupolave që janë elita reale politike e vendit.  Ata kanë  shkëmbyer nga llogoret respektive  akuza r\ nga më të rëndat për  përfshirje  në korrupsion dhe krime  të ndryshme,  përfshirë krimet zgjedhore.  Kanë depozituar edhe padi në SPAK kundër njëra tjetrës. Kanë qenë  gjithashtu  subjekt i investigimeve të pavarura nga media dhe gazetarë  profesionistë, që kanë publikuar  fakte për përfshirjen e tyre në afera  të dënueshme.

Mjerisht, Shqipëria shkon në zgjedhjet e vitit 2021 pa  e venë në punë drejtësinë e re, pa e  përuruar dot  dot ditën e saj të parë, që, siç e kemi  thënë edhe herë të tjera, do të jetë dita kur  një  prokuror i SPAK do të lexojë prentencën e pare dhe një gjyqtariI Gjykatës së posaçme do të japë  dënimin e parë   për korrupsion dhe abuzime ndaj  një   zyrtari apo ish zyrtari të sferave të larta.

Shumë prej zyrtarëve të akuzuar   reciprokisht apo nga mediat  vendase e të huaja për  abuzime deri kolosale po shkojnë të  rivishen me imunitet parlamentar, falë  sistemit me lista  faktikisht të mbyllura që nuk u lejon zgjedhesve të mbajnë qendrim ndaj tyre  duke i veçuar nga  partia përkatëse.  Në garën  me kohën,   kupolat politike kanë fituar me drejtësinë dhe do të rivotohen pa trasaprencën minimale për akuzat e  njohura. Ky, sigurisht është një lajm  i hidhur  dhe një bast i humbur për momentin  për  mijëra e  mijëra qytetarë  që  kanë pritur  me padurim  të shohin përpara zgjedhjeve  startin e premtuar të betejës kundër pandëshkueshmërisë në sferat e larta.

Siç  e kemi argumentuar edhe herë të tjera, oligarkia politike  plurale  dhe konfigurimi elektoral  në vendin tonë nuk mundësojnë ende një ndyshim dhe çlirim  me votë popullore . Është drejtësia që duhet të hapë rrugën. Drejtësia do të veprojë, nuk ka dyshim. Ajo po vjen, anija e saj po të shprehemi në gjuhë figurative,  është drejt portit.  Faktin  e shkuarjes në zgjedhje me  kupola të pacënuara e vemë në dukje thjesht për të kuptuar se “ debati”   për listat, kështu i tepruar siç  bëhet,  ka edhe vlerën e një zhurmimi që duhet tua kursejmë sa të jetë e mundur qytetarëve shqiptarë.

Për shkak të sistemit me lista të mbyllura nuk është e mundur të njihet pesha elektorale e  kandidatëve. Shumica dërmuese e tyre nuk janë votuar ndonjëherë.  Në pakicë shumë e vogël janë votuar për herë të fundit në vitin 2005. As ata  nuk e  dinë më peshën e tyre elektorale. Në mungësë të  një ligji ku deputetët zgjidhen me emër nga zgjedhesit, por jo vetëm për këtë, ka qenë dhe është urgjente që edhe në Shqipëri të gjenden mekanizma e zgjidhje që mundësojnë garën e kandidatëve dhe masin mbeshtetjen e tyre. Konkurenca e kandiatëve në primare  ( votim nga anëtarësia apo edhe sipatizantët) është një mënyrë  që aplikohet  tashmë gjerësisht në vendet  demokratike. Konkurenca  është  motorri i demokracisë në çdo fushë.

Të  heqësh konkurencën  është njëlloj si të fikësh motorrin. Në vendin tonë konkurenca politike është zevendësuar me  qokat, me  shpërblimin për  mbështetjen e qëndrimeve të  kupolave dhe  edhe kur ato rresultojnë  të  gabuara; është zevendësuar me “tabelen e nderit”, kur është fjala për të thirrur në skuadër ndonjë person publik me emër në fushën e tij, që merret më të njëjtën lehtësi  si të fortët dje.  Gjithçka është në subjektivitetin  e kryetarit  dhe kupolës  dhe ky raport deformon  vetë funkisonimin  demokratik të partive. Krijon edhe plot telashe të tjera të hatërmbetjes  që nuk do të krijoheshin me një sistem që mat paraprakisht,pak a shumë, peshën elektorale të kandidatëve.

E  gjithë “metodologjia” e listave  vjen në linjë me  filozofinë e  statusquosë  dhe  sundimit kleptokratik.  Si përfundim  populli nuk zgjedh dot përfaqësues. Bashkuar me atë  që pandëshkueshmëria  në sferat e larta s’ka pësuar ende një gërvishtje, kjo e listave të kryetarëve na tregon sërish  se dita e popullit në kuptimin e zgjedhjes  së përfaqësuesve të tij,  është  akoma larg.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!