MENU
klinika

Kosovë

Lumir Abdixhiku zgjidhet kryetar i ri i LDK-së, ja sa vota mori

14.03.2021 - 15:04

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka zgjedhur sot Lumir Abdixhikun, për kryetar të ri të kësaj partie. Abdixhiku, i cili kishte përballë edhe dy kandidatë tjerë për kryetar të LDK-së, nënkryetarin Lutfi Haziri dhe anëtarin e kryesisë, Besian Mustafën, ka fituar pa balotazh.

Në garën për kryetar të ri të LDK-së, kandidaturën e kishte shpallur edhe nënkryetari i kësaj partie, Anton Quni, por pak para nisjes së kuvendit, ai u tërhoq nga gara për kreun e partisë.

Abdixhiku ka marrë 191 votave të 328 delegatëve të këtij kuvendi. Zgjedhja e kryetarit të ri të LDK-së është bërë me vota të fshehta.
Sipas statusit të kësaj partie, që është themeluar më 1989, secili nga këta kandidatë, që zyrtarisht të hyjë në garë, i duheshin që fillimisht të marrnin aprovimin e 178 anëtarëve apo 50 për qind plus një të delegatëve të partisë.

Më herët, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pas votimeve për kryetarin e ri të LDK-së, u ka thënë mediave se kjo parti do ta ruajë unitetin pas zgjedhjes së kreut të saj.

“Edhe Lumiri, por edhe Besiani, si kandidatë, jo vetëm që janë kolegë të mirë, miq të mirë, por edhe bashkëpunëtorë të mirë dhe të sinqertë. Janë emra kredibil për ta udhëhequr LDK-në. Unë sapo përfundova procesin e votimit. Besoj shumë që kjo ditë e bardhë do të jetë ditë, e cila jep përgjegjësi dhe ndan përgjegjësi. Kushdo që vetëm një votë e ka më shumë, për mua është kryetar i LDK-së dhe do t’ia jap mbështetjen deri në fund”, tha Haziri.

Gjatë punimeve të kuvendit të LDK-së, Besian Mustafa që ishte në garë për drejtimin e partisë, deklaroi se pavarësisht se kush do të zgjidhet kryetar i ri i LDK-së, të tre kandidatët që garuan për kryetar të saj, do të punojnë ngushtë dhe së bashku edhe më tej.

“Jemi një ekip, pra, ekipi i LDK-së. Këtë e kam kërkuar, që ne të kemi ekipin LDK dhe projektin LDK dhe jo projekte dhe ekipe individuale. Prandaj, unë, Lumiri, Lutfiu dhe gjithë të tjerët jemi një ekip, jemi ekipi i LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Mbajtja e këtij kuvendi të LDK-së, vjen pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku kjo parti regjistroi rezultat të dobët, duke fituar 12.73 për qind të votave, gjë që çoi në njoftimin e Mustafës për tërheqjen nga udhëheqja e partisë.

Pak kohë pas fillimit të punimeve në kuvendin e LDK-së, Isa Mustafa ka dhënë edhe zyrtarisht dorëheqjen nga detyra e kryetarit të kësaj partie. Në një prononcim për media, ai ka deklaruar që dorëheqja e tij ishte e parevokueshme dhe për këtë shkak nuk është hapur fare diskutime në këtë kuvend, lidhur me dorëheqjen e tij.

“Kam besim edhe sot që ky kuvend do të nxjerrë një kryetar të LDK-së, i cili do ta çojë atë përpara, mbi bazat fundamentale mbi të cilat është themeluar kjo parti, si parti e qendrës së djathtë, parti konservatore, parti e të gjitha gjeneratave. Ajo kultivon partneritetet të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partneritet me Bashkimin Evropian dhe parti që është cilësuar gjithmonë si parti shtet-formuese, e cila në asnjë rast nuk duhet t’i mungojë skenës politike të Kosovës. Por, besoj fuqishëm që do të kthehet në të ardhmen në krye të vendit”, ka thënë Mustafa.

Këtë kuvend zgjedhor, LDK-ja e mbajti pa nënkryetaren e partisë, Vjosa Osmani, e cila u shkarkua nga postet partiake në qershorin e vitit të kaluar.
Për rikthimin e Osmanit, ka premtuar se do të punojë Lutfi Haziri, nëse merr besimin për ta udhëhequr LDK-në. Ai ka theksuar se është e domosdoshme, që kjo parti të hapet.

“Do të angazhohem për një vlerësim të drejtë, reformë të bazuar në meritë, konkurrencë, vlerësim të rezultatit dhe hapje të domosdoshme për brezin evropian të LDK-së në vendimmarrje”, ka deklaruar Haziri, më 10 mars në Gjilan, komunë të cilën ai e udhëheq.

Osmani u shkarkua nga të gjitha postet partiake, pasi kishte shprehur kundërshtitë e saj për prishjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe ishte shprehur kundër ekzekutivit që pasoi, të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Osmani, që ka formuar një iniciativë të re politike, garoi në kuadër të listës së LVV-së dhe doli kandidatja më e votuar, duke fituar mbi 300 mijë vota.

Lumir Abdixhiku, që në LDK u bashkua më 2017, gjatë shpalljes së kandidaturës për kryetar, ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit ishte “ndëshkim nga njerëzit tanë nga qytetarët e vendit tonë, nga të njëjtit që dikur na kishin dhënë besim.

“E rëndë është rënia, por më i pafalshëm do të mbetej mosreflektimi i thellë i yni në rrugëtimin tonë përpara. Ky rrugëtim kërkon ndryshim”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërkaq, Besian Mustafa, i cili njëherësh është ministër në detyrë i Bujqësisë, ka premtuar se do të krijojë unitet brenda partisë.

“Do të sigurohem që LDK-ja do të ketë debat, diskutim dhe bashkëbisedim të hapur e të gjatë me secilin dashamir, votues e ish-votues dhe anëtarë e ish-anëtarë, ku së bashku do të ndërtojmë unitetin dhe komunikimin tonë të vazhdueshëm”, ka thënë Mustafa.

Kjo është hera e parë që një kryetar i LDK-së jep dorëheqje. Kjo parti është themeluar më 1989 dhe që atëherë ka pasur tre kryetarë: Ibrahim Rugovën, Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një muaj pas zgjedhjeve parlamentare

Lidhja Demokratike e Kosovës zgjedh sot kryetarin e ri


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë