MENU
klinika

Dita 4, vijon vaksinimi masiv

Manastirliu: Javën tjetër nis lëvrimi i dozave të Pfizer

31.03.2021 - 09:01

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër mëngjesin e sotëm fillimin e procesit të vaksinimit të të moshuarve në sheshin “Skenderbej”. Manastirliu ka bërë me dije se brenda muajit prill do të vijnë edhe 20 mijë doza të vaksinës Pfizer.

“Presim nga kontrata me kompaninë Pfizer të kemi sërish përgjatë muajit prill rreth 20 mijë doza. Brenda javës së parë presim 7 mijë dozat e para, e më tej deri në datë 19 prill 20 mijë doza. Ndërkohë që presim që të lëvrohen edhe sipas kalendarit të lëvrimit dhe pjesa tjetër e dozave Sinovac”, bëri me dije Manastirliu.

Duke falenderuar ekipet e vaksinatorëve për punën e mirë që po bëjnë, Manastirliu tha se jemi përgatitur për të rritur numrin e vaksinimeve.
“Të gjithë ekipet tona të vaksinatorëve po bëjnë një punë shumë të mirë. Fakti që për tre ditë radhazi kemi kryer mbi 50 mijë vaksinime tregon që kapacitetet tona janë të mjaftueshme. Por sigurisht jemi përgatitur që të rrisim numrin e vaksinimeve nëpërmjet kapaciteteve tona të burimeve njerëzore, të cilat tashmë i kemi trajnuar dhe i kemi futur edhe në forcë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se procesi i vaksinimit do të vijojë në qendrat e përqendruara por edhe qendrat shëndetësore kudo në vend do të vijojnë këtë proces kaq të rëndësishëm dhe jetik për mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer 119,321 vaksinime.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Në spital rreth 1 për qind e të infektuarve aktivë. Arsyet

Dyfishohen rastet me COVID-19, por më pak të shtruar!

"Po bëhet gati struktura te stadiumi “Air Albania”

“Çështje javësh”/ Rama takon mjekët: Ju do vaksinoheni të parët