MENU
klinika

"Gratë po ndryshojnë botën"

Manastirliu uron 8-Marsin nga “Shefqet Ndroqi”: Brenda kësaj jave përfundon vaksinimi i të gjithë personelit shëndetësor

08.03.2021 - 15:42

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishte pranë mjekeve dhe infermiereve në spitalin Covid 2, “Shefqet Ndroqi”.

Manastirliu i ka quajtur mjeket dhe infermieret kudo në vend, si kolonat e sistemit shëndetësor.

“Sistemi ynë shëndetësor përbëhet nga 60% gra. Gratë janë kolona që mbajnë sistemin tonë shëndetësor. Janë më shumë se 17 mijë gra që punojnë në shëndetësi, në vijën e parë dhe në prapravijë. Zgjodha për të qenë sot në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku 311 gra punojnë dhe luftojnë çdo ditë me të keqen, kundër armikut të padukshëm dhe japin më të mirën nga vetja për t’i shërbyer tjetrit”, tha Manastirliu.

Duke shprehur mirënjohjen për gratë dhe vajzat në sistemin shëndetësor, Manastirliu tha se brenda javës përfundon vaksinimi i personelit shëndetësor.

“Mirënjohjen tonë e tregojmë jo vetëm çdo ditë në mbështetjen për punën tuaj, por edhe me investimet që ne bëjmë në sektor, nëpërmjet përmirësimit të kushteve të punës, me mbështetjen direkte me rritjen e pagave me 40%, nëpërmjet bonusit special prej 1 mijë euro dhe 500 euro për shërbimet mbështetëse, ku kanë përfituar më shumë se 4 mijë punonjës të shëndetësisë. Dhe jam e kënaqur që finalizojmë brenda kësaj jave vaksinimin e të gjithë personelit tonë shëndetësor, me synimin për ta mposhtur virusin dhe për ta kontrolluar këtë pandemi, e cila është duke u përballuar pikërisht falë forcës së çdo punonjësi të shëndetësisë”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar mbështetjen e Ministres Manastirliu, prof. Silva Bala u shpreh: “Këto gra po bëjnë një sakrificë që duhet të na e kuptojnë i gjithë populli. Që ne punojmë deri në pikën tonë të fundit për të shpëtuar një jetë. Dhe jetë pas jete, çdo ditë pas çdo dite”.
Prof. Alma Cami tha: “Pasuria jonë më e madhe, e të gjithave ne, është mirënjohja dhe reskpeti, falenderimet e qytetarëve dhe të pacientëve, që shprehin mirënjohjen për jetët e shpëtuara dhe na bëjnë ne që ta vazhdojmë më tej këtë luftë. Dhe do ta vazhdojmë deri sa të krijohet mundësia e kthimit në normalitetin e jetës”.

Dr. Loreta Bici u shpreh: “Për një vit pandemie, ne kemi harruar festat tradicionale. Festa jonë më e madhe është sfida ndaj kësaj sëmundjeje. Festa jonë më e madhe është shpëtimi i sa më shumë jetëve. Jemi këtu një ekip i tërë, vajza, gra por edhe pjesa tjetër, në cilindo sektor, për të mbështetur fort njëri-tjetrin, për të luftuar fort dhe për t’ja dalë mbanë”.

Në sistemin shëndetësor dhe veçanërisht në spitalet COVID, pjesa dërrmuese e personelit shëndetësor janë gra dhe vajza. Në spitalet COVID shërbejnë 747 gra dhe vajza, ndërsa në të gjithë sistemin shëndetësor janë 17,734 gra, të cilat përbëjnë mbi 60% të burimeve njerëzore.

Eksperti i sigurisë: Ja si do të përfundojë beteja e Rusisë

SHBA dhe Greqia mbyllin ambasadat e tyre në Kiev

“Kemi lidhur kontratë për t’i mësuar fëmijëve gjuhen shqipe”

Rama prezanton 8 mësuesit e parë në Greqi