MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Martesa e dytë (pa Gërdecin në mes)

01.03.2021 - 13:03

Kur në vitin 2008 Edi Rama i rrihte shpatullat Sali Berishës në dalje nga spitali ku ndodheshin të plagosurit e shpërthimit të Gërdecit, Ilir Meta dhe partia e tij, që asokohe bëheshin gati të garonin më vete për zgjedhjet e një viti më pas, akuzuan me të drejtë kreun e opozitës se po i hidhte një komerdare shpëtimi kryeministrit, në momentin e tij më të keq.

Gabimi i Ramës me butësinë e pashpjegueshme ndaj ngjarjes ku u hodh në erë një fshat e ku vdiqën 26 njerëz të pafajshëm, i kushtoi me gjasë atij zgjedhjet e një viti më vonë. Berisha duhej goditur fort për tragjedinë, me të cilën ishte i lidhur me një mijë fije dhe duhej dënuar politikisht e pse jo, edhe ligjërisht, për tragjedinë që vrau njerëz dhe që shkundi dritaret e gjithë Tiranës.

Historia që pasoi, do të provonte gabimin politik të Edi Ramës, por edhe hipokrizinë e LSI, që mori vota majtas në zgjedhje me sloganin “Sali Gërdeci” dhe të nesërmen e votimeve hyri në bashkëqeverisje me Doktorin. Ka qenë një ndër aktet më të shëmtuara dhe që i vuri vulën kësaj force politike në sytë e gjithë atyre që donin ikjen e Berishës nga pushteti, e që ishin shumicë votash popullore. Ka qenë ky veprim që i vuri vulën kësaj partie, si një fluger politik që kthehet nga fryn era dhe nga vjen aromë pushteti. Një parti që hiqet e majtë por që de facto sillet si një zyrë pune, tenderash dhe interesash personale.

Sot, 12 vjet më vonë Gërdeci është etiketuar si “aksident teknologjik” dhe është harruar, janë pastruar edhe ato pak skrupuj që mund të kishin mbetur në gjakun e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nënshkruan aleancën postzgjedhore për bashkëqeverisje, duke dhënë sinjalin se do të jenë bashkë, nëse shifrat nuk do t’i shtyjnë nëpër pirueta e aventura politike pas 26 prillit. Një premtim i palumtur për një çift liderësh që janë në rastin më të mirë vetëm aksionerë në partitë e tyre, të cilat pas perdeve ndjejnë rregullisht hijen e rëndë të dekanëve Berisha e Meta.

Paketa ligjore për zgjedhjet që kemi në fuqi, e vështirëson në kulm formimin e një koalicioni paralektoral. Duhet të humbasësh identitetin, të futesh në listë unike etjetj. Andralla që Rama i ka shpikur për të krijuar pikërisht këtë digë procedurale, që do të çonte në këtë lloj marrëveshjeje, si kjo që shohim mes PD e LSI. Përtej faktit që rregullat duheshin shkruar me konsensus mes palëve, e këtu qeveria luajti me hile në lidhje me 25 prillin, është jashtë çdo dyshimi se kjo marrëveshje tingëllon pak a shumë si ftesa e Ushtarit të mirë Shvejk “takohemi në ora 5 pas lufte, te pijetorja ‘Te gota’”! Sepse është po aq e mjegullt dhe e pasigurt e në ajër, sa fraza e babaxhanit Shvejk, pasi nuk ka asnjë garanci se këto dy aleatë nuk do të përplasen e sherrosen mes tyre gjatë gjithë fushatës elektorale, deri ditën e zgjedhjeve. Premtojnë të ‘martohen’ në 26 prill, e do të shohin për ‘variante’ të tjera deri në datën 25. E bukur marrëveshje!

Marrëveshja për bashkëqeverisje mes Bashës e Kryemadhit kalon mes shifrave dhe votave. E këtu PD dhe LSI janë hiç më pak, se dy parti rivale dhe konkurente. Madje luftojnë për të njëjtin porcion votash në të gjitha qarqet. Nuk ka asgjë prej aleati në sjelljen që demokratët e lësëistët kanë nisur të shpalosin në terren, prej sot e deri më 25 prill. Dhe arsyeja është krejt banale: LSI ka pasur këto tetë vite një hipotekë votash që i takonin dhe i takojnë ende edhe sot PD-së. Në vitin 2013 Meta mori 170 mijë vota, kurse në 2017 ai e ngriti stekën në 225 mijë vota. Ata që analizojnë zgjedhjet dhe aritmetikën e partive në terren, thonë njëzëri se këto ishin në një pjesë të mirë, vota demokratësh të zhgënjyer a të frikësuar për vendin e punës, që u tërhoqën nga LSI me premtimin e një vegjetimi paqësor nën pushtetin e Edi Ramës.

Sot Lulzim Basha, e cili e di fort mirë gjeografinë dhe demografinë e votës blu, reklamon rikthimin e fortë të partisë së tij, nga gropa e 200 mijë votave të humbura, tek rivaliteti i hapur me socialistët. Dhe që ta arrijë këtë nivel përfaqësimi me mandate parlamentare, nuk ka asnjë rrugë tjetër, veç rimarrjes së dhjetra mijë votave demokrate, që LSI ka devijuar në bahçen e vet.

Kjo rrethanë elektorale i vendos këto dy parti që sot nënshkruan një pakt postzgjedhor, në pozita krejt të pazakonta: rivale deri në zgjedhje deri në votën e fundit, por ama mike dhe aleate një ditë më pas! Ky paradoks ka më shumë peshës sesa fakti nëse Presidenti Meta do t’i konsiderojë apo jo nesër PD e LSI, pas zgjedhjeve, si koalicion elektoral?!

Nëse kësaj fabule i fut në mes edhe efektin gërryes të PS mbi partinë e Metës, del një rezultat krejt i paparashikueshëm për LSI në 25 prill. Sepse mund të ndodhë që nga ambicja dhe presioni i dy partive të mëdha, Kryemadhi të mos jetë në gjendje ta ndihmojë nesër aleatin Basha që të nxjerrë hundën mbi ujë me 71 mandate. E në këtë rast, vetë marrëveshja do të jetë grisur edhe me duart e për shkak të aleatit blu të Monika Kryemadhi. Që sot bëhet gati të rimarrë votat blu, që dikur kërkonin një strehë pas ikjes së Berishës më 2013.