Me një fushatë të udhëhequr nga organizata më e madhe myslimane për mbrojtjen dhe të drejtat civile, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR) dhe organizatat “Tani Demokraci për Botën Arabe” (DAWN) dhe “Fito pa Luftë”, iu bë thirrje presidentit të SHBA-së, Joe Biden që të zbatojë sanksione ndaj Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman lidhur me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.
CAIR në deklaratën e saj për media tha se me një fushatë të mbështetur nga mbi 40 organizata për të drejtat e njeriut, administratës së Bidenit i është dërguar një letër për zbatimin e sanksioneve ndaj Bin Salman i cili është kuptuar se është përgjegjës për vrasjen e Khashoggit, kolumnistit të “Washington Post” dhe i cili kishte qëndrim të përhershëm në SHBA.
Në letrën e shkruar pas deklasifikimit të raportit të inteligjencës kombëtare të SHBA-së lidhur me përfshirjen e Mohammed bin Salman në vrasjen e Khashoggi thuhet: “Presidenti Biden në kuadër të Ligjit Global Magnitsky duhet të përdor fuqinë e tij për të zbatuar të gjitha sanksionet, përfshirë ngrirjen e aseteve dhe ndalesat e vizave ndaj të gjithë shtetasve sauditë dhe ndaj Bin Salman të cilët janë të përfshirë në vrasjen e Khashoggit”.
Më tej thuhet se sanksionet është e nevojshme të zbatohen edhe ndaj kompanisë ajrore që është përdorur për transportimin e atentatorëve të Khashoggit mes Arabisë Saudite dhe Turqisë si dhe ndaj Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite e cila është pronare e avionëve.
“Publikimi i raportit është një veprim transparent shumë i gëzueshëm, por nëse kjo nuk shndërrohet në një sanksion kjo do të duket si një dokument i zbrazët. Është e nevojshme që ligjet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, pavarësisht pozicionit të lartë që mund të ketë individi. Ka një rëndësi kritike që administrata e SHBA-së t‘i dërgojë një mesazh të qartë Bin Salman dhe të gjithë liderëve të botës”, thuhet në letër.
“Së fundmi kërkojmë që presidenti të ngarkojë me detyrë Byronë Federale të Hetimit që të fillojë hetim penal lidhur me vrasjen e një personi që banon në SHBA, ashtu sikurse për amerikanët e tjerë që ekzekutohen jashtë vendit”, theksohet në letër.
Roli i Mohammed bin Salman në vrasjen e Khashoggit
Raporti që Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare (DNI) e SHBA-së publikoi se Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman ka dhënë miratimin për vrasjen e Khashoggit shkaktoi jehonë të madhe, por administrata e Bidenit nuk mori ndonjë vendim sanksionues kundër Bin Salman.
Administrata e Bidenit e cila shkaktoi reagime në opinionin dhe mediat amerikane për shkak se nuk ndërmori ndonjë hap kundër Bin Salman, vendosi sanksione për 76 shtetas sauditë, përfshirë edhe personat për të cilët thuhet se janë përfshirë në vrasje.
Jamal Khashoggi, kolumnist në gazetën “Washington Post” dhe i cili njihej për kritikat e tij ndaj Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, më 2 tetor 2018 hyri dhe nuk doli më nga Konsullata e Arabisë Saudite në Stamboll. Më pas u zbulua se Khashoggi u vra në konsullatë dhe më pas trupi i tij u copëtua.