MENU
klinika

Nga Preç Zogaj

Me nerva të zbuluara

25.03.2021 - 11:47

Fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit nuk dallon shumë nga të mëparshmet sa i takon ngarkesës me negativitet, me animozitet, me fjalë të rënda, me akuza të ndërsjella për tradhti, korrupsion, vrasje dhe krime, të cilat po të gjendeshin nga drejtësia fiks siç i thonë politikanet për njëri-tjetrin, Kodi ynë Penal do të “thyhej” nga shumorja e viteve me burg për ta.

Kjo fushatë ka ndërkaq veçorinë që ka startuar qysh në krye me nerva të zbuluara, me tela ta zhveshur, fryt i një frustrimi të akumuluar përgjatë gjithë legjislaturës, ndër më konfliktualet apo më saktë sinteza e konfliktualitetit të tranzicionit.

Mjafton një shkujdesje, një provokim i maskuar si ushtrim i detyrës apo i së drejtës, një fjalë e pamenduar, një gjest naiv apo i përllogaritur keq, deri edhe një prekje me pupël, si i thonë fjalës, që ambienti politik të bjerë në masë, të shpërthejë si bombë duke ngritur në hava të gjitha anatemat në qarkullim të rivalëve për njëri-tjetrin.

Mjafton që dikush të nxjerrë bezen e kuqe dhe do të dalë me patjetër “demi” që do të sulet me vrull. Kjo është arena jonë në vlim.

Ngjarjet në Elbasan dhe ngjarja në zyrat e FRD-së janë “majat” e deritanishme të këtij vlimi. Ngjarje më të vogla të së njëjtës tipologji ka gjithandej. Ato mund të shkaktohen me lehtësi; mjetet, mënyrat dhe justifikimet për të provokuar “naivisht” apo “trimërisht” përplasje, duke hedhur gurin e fshehur dorën, ka sa të duash në mjedisin tonë.

Nëse nuk shmangen e ndalohen, nuk përjashtohet rreziku që këto lloj përplasjesh të zmadhohen si orteku dhe të zënë nën vete vetë zgjedhjet. E keqja tjetër e madhe është se përplasjet në fjalë dhe konfliktet e karakterit politik në përgjithësi të kësaj periudhe janë si ndeshjet pa arbitrim në një kafaz, ku sedra i shtrëngon ata që përfshihen ta çojnë “duelin” deri në rraskapitje dhe me keq se në rraskapitje.

Kushdo mund t’i imagjinojë pasojat e kësaj xhungle. Ndaj është domosdoshme dhe emergjente që qeveria, institucionet shtetërore dhe partitë e vendosura në startin e garës elektorale të marrin përgjegjësitë dhe të angazhohen pa humbur kohë me fjalë dhe me veprime për një fushatë qytetare me debate dhe ballafaqime të forta për bilancin, programet e ekipet, me sa më pak eksese, mundësisht pa eksese.

Prej tyre kërkohet të shmangin situata dhe rrethana të mbarsura me përplasje. Të izolojnë e pengojnë në pikënisje “shkëndijat” që ndezin fitilat… Kjo është detyra e drejtuesve të urtë e largpamës.

Në shumicën e zgjedhjeve të zhvilluara në të kaluarën ka ekzistuar dhe funksionuar një kornizë rregullash, më shumë të pashkruara se të shkruara, që kanë nënkuptuar vetëdijen e drejtueseve politikë rivalë se përballja duhet të mbetet në caqet e një beteje politike, sado të tendosen termat e saj. Përndryshe s’do të kishte të ardhme për asnjë.

Po sa e duan e sa nuk e duan tensionin e lartë politik e social partitë në garë, drejtuesit e tyre? Kush e ka tensionin strategji dhe kush është në pozitën e atij që kthen goditjen? Kjo nuk është e lehtë të thuhet në formë generike. Por mund të jepen gjykime për ngjarje konkrete dhe interesa konkrete të palëve, nisur nga pozita dhe synimet që kanë.

Nëse marrim ngjarjen te zyrat e FRD-së, nuk ka si merret vesh a u provokua nga bashkia me qëllim, në formën e kalimit të miut në mustaqe, siç thotë populli, apo pa një qëllim të tillë.

Nuk ka ndonjë lajm që të tregojë se Rama i ka tërhequr vërejtje Velisë në lidhje me atë që tentativa për t’i marrë selinë FRD-së, pikërisht pas përfshirjes së kësaj partie në koalicionin opozitar, ishte ashiqare një veprim politik hakmarrës, s’ka rëndësi instiktiv apo i planifikuar.

Ata të bashkisë mund të thonë pa fund se nuk na shkoi në mendje, por drejtuesit prandaj janë, që t’u shkojë mendja dhe të japin shembullin e prudencës në rrethanën e dhënë. Qeveria nuk ka asnjë vështirësi të qëmtojë ngjarje që ushqejnë tensionin.

Në një vështrim të përgjithshëm, asaj i intereson të shtyjë ditët drejt 25 prillit me sa më shumë “muhabete” dhe “xhalo” që mbajnë njerëzit të mbërthyer në shamatoren “e lagu, s’e lagu”, duke i shfokusuar nga debatet për bilancin dhe programet.

Për këtë, Kryeministri Rama mund të jetë gjithnjë nën tundimin për të provokuar përplasje që mund t’i konsiderojë të menaxhueshme brenda interesit të qeverisë së tij që mishi të piqet e helli të mos digjet. Por llogaritë nuk dalin. Për shumë arsye përplasjet kanë gjasa të eskalojnë, vetë PD dhe opozita është e detyruar të tregojë forcën. Forcë dhe mirëkuptim janë skaje të bashkëlidhura, thoshte liberali i madh, Benedeto Kroçe.

Sekreti për të gjithë aktorët në arenë, për Ramën dhe Bashën në radhë të parë, është ruajtja në çdo gjë e sensit të masës, shmangia me inteligjencë e sensit të aventurës.

Kjo është e mundur po të mbajmë parasysh faktin se konfliktualitin e lartë e gjejmë kryesisht në nivelin e kupolave politike dhe shpurave rreth tyre që presin përfitime për vete.

Ky lloj konfliktualiteti mund të bëjë shumë dëme, por nuk ka asnjë shans për sukses në kuptimin që të krijojë një plojë. Në këto kushte, strategjia e PD-së dhe opozitës në fushatë është pikësëpari të ballafaqohet, të shpjegohet dhe të dëgjohet.

Pa lënë mënjanë qëndrimet e domosdoshme për ngjarjet korente politike. Kjo është rruga që po shton vota për të nga radhët e të pavendosurve. Këtë strategji po ndjek kryetari i PD-së, zoti Basha. Çdo segment i opozitës së bashkuar rreth tij duhet të bëjë të njëjtën gjë për të synuar fitoren.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Preç Zogaj

Amerika e para


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin