Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka paralajmëruar dorëheqjen e tij nga ky post, nëse sipas tij, Kryeministri Edi Rama merr 71 mandate më 25 prill, pa prekur votën.
I ftuar në emisionin “Frontline” në ”News 24″, kreu i shtetit u ndal të komentojë rritjet e vazhdueshme për zgjedhjet parlamentare, ku deklaroi se nëse fiton Rama, ai do jap dorëheqjen dhe do kalojë në opozitë më 26 prill, duke lënë të kuptohet se Edi Rama mund të fitojë vetëm përmes manipulimit. Sipas Metës zgjedhjet e 25 Prillit janë testi kryesor dhe sfida për të gjitha partitë politike për ridimensionimin e demokracisë dhe rendit kushtetues në vend.
Kreu i shtetit tha se do t’u presë dorën kujtdo që tenton dukje se kushdo që do tentojë të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve me vjedhjen e votës do të ndëshkohet rëndë. Meta e quajti Kryeministri Edi Rama si një njeri që nuk është mirë nga trutë e kokës pas akuzave të tij se ikën natën në Selenicë. Teksa rikujtoi 2 marsin e kaluar, një vit pas tubimit të thirrur prej tij, Meta u shpreh i bindur se nuk mund të ndalonte irritimin e tyre me këtë qeveri dhe padrejtësitë që ajo ka bërë. Kreu i shtetit nuk dha asnjë koment për koalicionin opozitar dhe marrëveshjen e nënshkruar dje midis PDAN dhe LSI-së, por ripërsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij në lidhje me “djegien” e mandatave të opozitës duke u larguar nga Kuvendi.
ZGJEDHJET
Unë jam President dhe më intereson që vota e Presidentit dhe vota e çdo qytetari në Shqipëri të jetë e barabartë. Çdo shqiptar, në këtë moment historik, për shtetin tonë që ka degraduar turpshëm në 100 vjet, të përfundojmë ne 10 vjet mbrapa Serbisë dhe Malit të Zi për negociata e zgjedhjet janë çdo gjë. Vota e lirë është çdo gjë, e çdo qytetar që shet votën, s’ka të drejtë të kërkojë gjë, sepse është shitur si lopë. Kush nuk voton s’ka të drejtë të ankohet. Ka nga ata që thonë se s’kemi kë të votojmë. Dikë për të ndëshkuar nuk ke, për të ndëshkuar?! Trimi vdes njëherë!
25 prilli do iu japë gjithë shqiptarëve atë çlirim, për të cilin ata kanë nevojë. Prandaj e kam bërë të qartë që 25 prilli është një referendum për demokracinë, për shenjtërinë e votës dhe për paprekshmërinë e saj. I gjithë ky tani është një proces, që kulmon me 25 prillin, ku kemi dy gjëra që do të bëhen të shenjta njëherë e përgjithmonë dhe ku ndëshkueshmëria do të jetë fatale, që janë vota e lirë dhe e barabartë dhe Kushtetuta dhe paprekshmëria e saj.
Shqipëria do të hyjë në epokën e sundimit të referendumeve pas 25 prillit. Do dalë nga epoka e errët. Unë votën e kam kundër oligarkisë. Unë votën e kam për të thënë se këtu sovran është populli shqiptar. Në emër të popullit shqiptar, do ua pres dorën. Mos guxojë njeri të luajë me votën e popullit shqiptar. U prek Vota, u pre dora. U pre dora e banditit, e policit të korruptuar, kaq! Policët janë për të mbrojtur popullin jo për ta dhunuar. Policët e Mubarakut ishin për të dhunuar popullin dhe ju e dini se si përfunduan në shesh’. Presidenti do jetë në krye të detyrës dhe populli do të votojë. Është moment historik për të ardhmen e Shqipërisë.
Armiqtë e Shqipërisë janë armiqtë e qytetarëve. Garancia është populli shqiptar, me votën e tij. Presidenti do i japë fuqi votës së qytetarit. Do iu them të gjithëve që të votojnë, të tregojmë se jemi popull shqiponjash dhe jo sorrash. Na takon që të zgjedhim dhe të ndëshkojmë. Ai nuk është në rregull nga trutë, që më akuzon mua se iki në Vlorë. Të vijë në Selenicë, më kërkoi populli sepse e kishin gënjyer për votën. Unë s’kam frikë nga populli, s’kam frikë nga qytetarët.
DORËHEQJA SI PRESIDENT
Si mund të ketë njeri më të nderuar se unë në Shqipëri, që jam ulur në karrigen e numrit një të shtetit. Karrigia e Presidentit i takon popullit dhe unë i shërbej popullit. Në këtë tokë Zot është populli i Shqipërisë, pikë! Mori Edi Rama 71 mandate? Unë më 26 prill do të jap dorëheqjen, kaq do ta bëj, siç bëri Ramiz Alia. Nëse ai merr 71 mandate, pa prekur votën e popullit, unë do të jap dorëheqjen dhe unë do të kaloj në opozitë, sepse unë respektoj demokracinë. Ama nëse preket një votë e lirë e shqiptarëve, këtu historia mbaron. Nuk më intereson fare, unë besoj te vota e lirë dhe demokracia. Kam qenë student i dhjetorit dhe kam dalë në një protestë e rrezik të madh, nuk e dinim çfarë do të ndodhte me mua e të tjerë. Mendonim ku do na çojnë, në Spaç e diku tjetër, kur na futën në fugon. Ramiz Alia ishte një njeri që i thirri mendjes dhe nuk e pati mbylljen aq të keqe. Dy gjëra janë degraduar, që jemi kaq mbrapa ne, jemi këtu sepse nuk kemi treguar respektin tonë ndaj vetes dhe votës sonë, e kemi dorëzuar apo treguar, e dyta se kemi toleruar prekjen e Kushtetutës dhe kjo ka sjellë këtë situatë, që të kapet shteti.
2 MARSI
Nuk ka asnjë lloj dështimi. 2 marsi ishte një lloj zgjimi, pas një thirrje të Presidentit. Falënderoj të gjithë qytetarët që erdhën atje. Nuk ka sesi të dështojë populli në aspiratën e vet për të mbrojtur sovranitetin e vet, sepse në Kushtetutë është e qartë që sovraniteti i përket popullit. Vetë populli ka vendosur që për çështje të rëndësishme shprehet me referendum, gjë që për dekada të tëra është bllokuar, me një ligj për të bllokuar referendumet. Nuk kam pasur kohë të mendoj për këtë gjë, por nuk e di a do më zërë gjumi sot, por do përpiqem të jem i freskët nesër, sepse kam një agjendë mjaft intensive. 2 marsi është një proces që kulmon më 25 prill, i cili e kam bërë të qartë që është një referendum. Nuk kam guxuar t’i thërras më shqiptarët pas 2 marsit, sepse kam qenë i bindur që nuk do i përmbaja dot, sepse për 1 vit kanë ndodhur gjëra shumë të rënda, ka ndodhur shkatërrimi barbar në kulmin e pandemisë i Teatrit Kombëtar, kanë ndodhur kaq shumë koncesione korruptive, që kanë dëmtuar rëndë interesin publik e kombëtar. Ka kaq shumë probleme që kanë ndodhur.
PËR KOALICIONIN PD-LSI
Unë një gjë i kam bërë të qartë z. Basha dhe znj. Kryemadhi. Zgjedhjet do të bëhen, pavarësisht se ata mund të provokohen. Zgjedhjet do të bëhen më 25 prill, askujt të mos i shkojë mendja të bëjë grusht shteti. Kemi qenë në grusht shteti pa pushim, ka të bëjë me kapjen e shtetit. Zgjedhjet do bëhen më 25 prill. Çdo shqiptar të tregojë përgjegjësi për veten, për familjen dhe atdheun. Të mos presin zgjedhje suedeze dhe daneze, unë jam gati të bashkëpunoj me ta për të mbrojtur zgjedhjet. Ajo që dua t’ju them se ata dy që kanë firmosur sot, kanë bërë një gabim shumë të rëndë: kanë lënë parlamentin dhe që nuk kanë hyrë në zgjedhjet lokale. Ajo që nuk i fal zonjës Kryemadhi si kryetare e LSIsë është lënia e mandateve në Parlament. Në demokraci nuk ka asnjë centimetër pas, sepse boshllëqet plotësohen. Prandaj, sot është situatë kaq dëshpëruese.
ARDIAN DVORANI
Po më habisni dhe po më zhgënjeni. Unë nuk hy në punët e brendshme të Amerikës, sepse e kemi dikë që merret, unë kam punët e Shqipërisë. Ju duhet ta bëni perceptimin tepër korrekt të asaj që kam thënë. Mesazhi është shumë i qartë për gruan e Bilalit që është mburrur me certifikatën antikorrupsion. Kjo është një gjë që nuk më intereson fare. Për zotin Dvorani nuk lëviz asnjë presje nga ajo që ka shkaktuar me presidentin Ilir Meta. Ky ka bërë çështje procedurale, unë i kam shkuar deri në themel dhe në fund fare ka thënë që me këto prova që kemi, nuk kemi gjë. Mënyrën e procedurës e ka marrë në mënyrë të paligjshme, e ka bërë për të mbajtur peng procesin. Kush ka shkelur Kushtetutën do të shkojë në burg. Venecian se kam kërkuar unë, e kanë kërkuar tjetër kush. Venecia i ka dhënë 100% të drejtë presidentit të Shqipërisë. Ju e dini shumë mirë dy herë kanë dalë dy deklarata nga Komisioni i Venecias dhe janë ndryshuar pas pesë minutash, janë hequr pasi kemi reaguar ne dhe relator të Venecias që nuk blihen. Edi Rama e di mirë që nuk impresionohem nga këto punë. Sa respekt ka Edi Rama për Shtetet e Bashkuara, e dimë. Ai ua hodhi në fytyrë marrëveshjen e 5 qershorit. Unë jam Presidenti i Shqipërisë. Marrëdhëniet e mia me SHBA-në janë të shkëlqyera. Ai t’i lërë atë punë andej sepse për demokracinë japim edhe jetën, ne na ka mësuar një rilindës i vërtetë, Petro Nini Luarasi. Neve nga rruga e demokracisë, e lirisë, nga rruga e sovranitetit, e votës së lirë, e drejtësisë e pavarur nuk na ndal askush. U bëra 30 vjeç kryeministër dhe më erdhi një diplomat në emër të Shteteve të Bashkuara për të mbyllur një aferë. Unë i thashë se Shtetet e Bashkuara na kanë mësuar për lirinë dhe demokracinë. ”Amerikanët e Edi Ramës, Ilir Meta i kap për veshi. Jo si President i Republikës. Ata të mos e gënjejnë se i dalin për zot të prekë votën e lire”.