MENU
klinika

Nga Frrok Çupi

Në kërkim të spiunit

24.03.2021 - 10:35

Luftën fizike këta duan ta nisin që tani për 25 prill, por spiunazhin politik e kanë nisur prej kohësh; ose e kanë nisur në një kohë që nuk mbahet mend.

Spiunazhi nuk mbaron kurrë edhe sikur luftërat të mbarojnë. Për fund- prill, kur ka votime, këta së bashku kanë bërë gati armët dhe militarët; ndërsa spiunët i kanë ‘secili për vete’.

Presidenti i Republikës, Meta, që ka marrë përsipër rolin e Zhukovit në luftën mbi Stalingrad, po ndjek hap pas hapi Berishën, liderin e ushtrisë së PD, ose Stalinin e gjeneralit Zhukov. Edhe një foto ‘si i përhumbur’ e Berishës ku pret të kalojë rrugën për te vila në Lalës, tani po mburren njerëzit e Metës se e kanë nxjerrë ata. Në Lalëz nuk ka male, dhe, dronët janë të dukshëm, pa ndryshe do të ishin mbushur mediat me fotografi nga kuzhinat e vilave…

Por kjo është pika e fundit. Ilir Meta, president, ka kopjuar ekzaktësisht idenë e Berishës për ta lidhur Lalëzin me botën e informacionit sekret. Ndërsa qeveria e vitit 2007 nisi projektin për lidhjen kabllore të Lalëzit me Italinë, Meta ka punuar për të njëjtin projekt, por më minor: Ai e ka shpallur Lalëzin ‘kryeqytet të spiunazhit’ dhe e ka rrethuar me vrojtues.

A nuk e keni menduar, bie fjala, pse në Durrës dhe pikërisht në zonën e Ishëm- Shën Pjetër ka tërhequr shefin e spiunazhit të Republikës, Bahri Shaqiri? Bahriun e kishte marrë këshilltar në presidencë, por papritur e veshi me kostumin e kandidatit për deputet në Durrës, me qëllim që ta kishte aty rrotull.

Në shumë raste i është sulur CIA-s dhe amerikanëve se ‘do t’i kapë për veshësh’, edhe pse dyshon se në Lalëz ata përplasen me spiunët e Metës. Çfarë fshehin dhe çfarë zbulojnë krerët e shtetit me spiunët përkatës? Edhe këtu ka dy qasje mes dy liderëve të pasionuar pas spiunazhit:

Ndërsa zoti Berisha i tërhoqi pranë, i bëri deputetë e ministra spiunët e Sigurimit të Shtetit, Meta bëri si ‘vogëlush’, sikur nuk merrte vesh nga punët e Spiunazhit. Në njollosjen e kundërshtarit politik si ‘spiun’, ose ‘agjent’, Meta ka kopjuar shumë nga Berisha.

Po çfarë fshehin?

Berisha bëri- ç’bëri atëherë dhe dëshmitarët e pisllëkut të tij nuk jetojnë më, ndërsa Meta i mori në gji ‘dëshmitarët’. Këtu është ndryshimi dhe thelbi: Që në fillesa, Ilir Meta e ndjente se kishte shumë për të fshehur.

Atëherë, kë thërriti?

Shefat në krye të spiunazhit i bëri karroca për vete…

Bahri Shaqiri, ish kryetar i SHISH, emëruar në atë post me këmbënguljen e Metës, është sot njeriu që kontrollon por edhe kontrollohet nga Meta; sot është kandidat i tij për deputet. Janë ‘larë’ edhe letrat e tij si ‘trafikant njerëzish’ duke përdorur agjencinë e tij turistike për të cilën u fol shumë; është larë edhe pazotësia e tij për të marrë një diplomë në shkollë të mesme.

Por sot Meta e ka aty… Vishe Ajazi, i cili erdhi në post në kohën e Berishës, u vu menjëherë nën kontrollin e Metës: Sot e nesër në zyrat e Kuvendit! Derisa me këshillimin amerikan ai u transferua në Bruksel.

Ndoshta jo kot Meta kërcënon sot se ‘do të ngre më këmbë Brukselin’… Kujtim Hyseni jetoi shkurt në krye të SHISH, por si një diplomat ‘i lirë’ e thoshte shpesh hapur se Meta e kërkonte përditë ‘për kafe’në zyrë; edhe pse ishte njeriu i Berishës në qeverinë e Nanos….

Ndërsa ‘njeriu më i besuar’ i Metës u bë Fatos Klosi, kryetar i SHIK. Çfarë mund ta lidhte një shtangist me një profesor fizike!? Megjithatë Meta guxoi duke u shtirë si ‘trim mallakastriot’ dhe i dha Fatosit honorin e themeluesit dhe të anëtarit të Byrosë së LSI…

Prapë pyetja: Po çfarë duan këta burra shteti në kërkim të spiunit? Përgjigja është e shkurtër: Kërkojnë dosjet e tyre! Nëse dosjet e tyre nuk mund të zhduken sot, atëherë këta kërkojnë një gjë më të thjeshtë: Të dinë çfarë kërkon CIA për ta!.

Këta pikërisht këtë duan të kontrollojnë:

“Ke takuar dikë nga Amerika?… Çfarë të kërkoi për mua? E ti çfarë i ke dhënë?”.

Mendojnë se mund të ndërtojnë kështjellën e mbrojtjes nën hijen spiunëve. Ose mendojnë se në luftën e 25 prillit do të shkojnë me armë që nuk ua njohin…”. Ç’mizerabiltet në krye të shtetit!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Hap dyert misioni diplomatik në Bruksel”

Apeli i kryeministrit Rama: Bëhuni pjesë e “TeamAlbania”!

"Të vijë në debat televiziv..."

Sali Berisha sfidon kryeministrin Rama pas lirimit

"Seanca parapake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon"

GJKKO la të lirë Berishën, reagon SPAK: Do ta ankimojmë vendimin!

"Krijo qeveri teknike, mos e zvarrit kot"

U la i lirë, Sali Berisha mesazh Edi Ramës nga selia blu