Mes Turqisë dhe Greqisë ka pasur tensione të larta që prej vitit të kaluar për shkak të kërkimeve sizmologjike nga Ankaraja në Mesdheun lindor, një zonë e diskutuar mes dy shteteve për shkak të Zonave Ekskluzive Ekonomike.
Presionet janë të larta dhe natyrisht kjo gjë ndikon edhe në diskursin publik. Një analist turk duke folur për mediat vendase ka thënë se Turqia ka kapacitete të mjaftueshme ushtarake për të hyrë në Athinë për 12 ditë.
“Nëse në çfarëdo lloj rasti Forcat e Armatosura greke marrin vendimin që të sulmojnë Republikën turke nga deti ose nga toka, nuk do ta kenë të mundur që të avancojnë as 6 kilometra pasi do të shkatërrohen dhe zhduken.
Por nëse na irritojnë, ne do të hyjmë në Selanik për 4 ditë dhe në Athinë për 12 ditë, duke i hyrë Greqisë nga lart poshtë”, tha analisti Hakan Bairaçi për CNN Turk.
Kjo deklaratë e tij është pasqyruar gjerësisht edhe në mediat greke.
Në programin televiziv po diskutohej për zhvillimet e reja në Mesdheun lindor dhe Detin Egje. Kujtojmë që Turqia është duke zhvilluar një stërvitje të gjerë ushtarake të quajtur “Atdheu Blu”.